A u ngut Kurti me deklaratat për Jakovin, presidentin në ardhje të Malit të Zi?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka shqetësuar opinionin vendor me disa fjali të ashpra kundër Jakov Millatoviqit që u zgjodh dje president i Malit të Zi. Por, a është Millatoviqi aq i keq?
“Nëse fiton kundërkandidati, unë besoj që hapet rruga për zhdukjen e kombit malazez,” – u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten në një intervistë.
Ai u shpreh më tej se kishte “indikacione e madje edhe fakte” kur u pyet për Millatoviqin, se ai (dhe ndoshta edhe bashkëpartiakët e tij) mund të ishin “pro-rusë e pro-serbë”.
Por, a është vërtet kështu?
Jakov Millatoviq tashmë ka fituar zgjedhjet në Mal të Zi dhe pritet të bëhet presidenti më i ri i këtij vendi.
Mbrëmë u përhapën pamje nga festa e përkrahësve të Millatoviqit për fitoren e tij. Kishte shumë flamuj serbë, por edhe këngë për Kosovën.
Sipas analistit të rajonit tonë, Florian Bieber, kjo nuk dëshmonte asgjë për politikat e kandidatit Millatoviq.
“Të pretendosh se kushdo që votoi kundër Gjukanoviqit është pro-serb është thjesht gabim.” – u shpreh ai.
Gazetari Michael Martens po ashtu pati disa fjalë për këtë çështje: “Ata njerëz apo robotë që pretendojnë se fitorja e Millatoviqit është fitore për Putinit mund të/duhet të shpërfillen.”
Por, çka thotë politologu serb nga Kosova, Ognjen Gogiq për këtë çështje?
Sipas tij, Millatoviqi nuk do të bënte ndryshime drastike në politikën e jashtme te fqinji ynë perëndimor.
“Nuk do të ketë tërheqje të njohjes së Kosovës. Nuk do të ketë tërheqje nga NATO dhe s’do të ketë revokim të sanksioneve ndaj Rusisë.” – u shpreh z. Gogiq për Nacionalen.
Ai vazhdoi duke komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për hapjen e rrugës për zhdukjen e kombit malazez.
“Deklarata e tij është e ekzagjëruar... ajo ishte pjesë e fushatës së Milos (Milo Gjukanoviqit) për të mos thënë propagandës së tij. Kjo ishte narrativa që Miloja e promovoi për të homogjenizuar votuesit e tij.” – u shpreh z. Gogiq në fjalën e tij.
Por, pse atëherë Millatoviqi po perceptohej si pro-serb?
Sipas tij, për shkak se ai po kërkonte që të kultivonte raporte më të mira me Serbinë, por pa lënë ndonjë shenjë të madhe në politikën e jashtme të këtij shteti.
“Nëse flasim për politikën e brendshme, ai nuk do të promovojë nacionalizmin etnik serb dhe ekskluzivitetin. Ai do të shkojë matanë ndasive të brendshme mes serbëve dhe malazezëve. Të dyja komunitetet votuan për të. Ai tha se isthe malazez dhe se i përkiste Kishës Ortodokse Serbe. Ai dëshiron ta lërë mbrapa ndasinë identitare që isht më e madhja në Mal të Zi,” – argumentoi politologu.
Madje, sipas Gogiqit Millatoviqi mund të ishte edhe më tërheqës për minoritetet pasi “ishte më teknokrat (se sa Gjukanoviqi).”
“Ai do të fokusohet te ekonomia më shumë se sa te çështjet teknike dhe religjioze,” – shtoi tutje ai.
Një ndryshim: Ballkani i Hapur?
Megjithatë, politologu Gogiq lë derën hapur për një ndryshim që mund të mos i shkojë në favor Kosovës.
“Nëse flasim për politikën e jashtme, atëherë mund të ketë ndryshime por jo deri në masën që pretendon Kurti... Për shembull, Mali i Zi mund të bëhet më i prirur që t’i bashkohet Ballkanit të Hapur,” – na tha z. Gogiq.
Për më tepër, politologu nga Kosova parashikoi se mund të kishim edhe përplasje mes Serbisë dhe Malit të Zi gjatë presidencës së Millatoviqit.
“Jakovi (Millatoviqi) do ta kuptojë se dëshiron të udhëheq dhe do të kërkojë politikë të pavarur nga Beogradi, ndërsa Beogradi do të provojë të ushtrojë ndikimin e saj. Kjo ndodhi kur Krivokapiqi erdhi në pushtet si kryeministër,” – argumentoi tutje Gogiq.
Kujtojmë se presidenti i ri i Malit të Zi kishte qenë ministër në kabinetin e ish-kryeministrit Zdravko Krivokapiq, por qeveria kishte rënë në vitin 2022 për shkak të një deklarate të një ministri se nuk e njihte gjenocidin e Srebrenicës.

