Intervista më qesharake ndonjëherë? Qe çka kuptova pasi e dëgjova intervistën e Kurtit për herë të dytë
Prej ‘armës sekrete’ që s’bënte ta dinte Serbia por që megjithatë s’iu durua pa e thënë e deri te gënjeshtra për World Justice Project dhe te ndryshimi i fjalëve në sekondë për “letrat dërguar pesë shteteve mos-njohëse në BE”. Më poshtë keni anët më qesharake të Kurtit në intervistën para Adriatik Kelmendit.
Këtë javë, kryeministri i Kosovës i dha dy intervista për televizionet kosovare. Por, kontrasti mes tyre s’mund të ishte më i madh dhe kjo mu bë e qartë veçanërisht pasi e dëgjova për herë të dytë intervistën e dytë.
Në Klan Kosova përballë Adriatik Kelmendit, kryeministri Kurti ishte thuajse tjetër njeri për dallim nga ai përballë Ermal Pandurit në RTV Dukagjini. Nëse përballë Pandurit ai ishte nervoz dhe nuk kishte durim t’i dëgjonte deri në fund formulimet e pyetjeve, te Kelmendi ai u shfaq i urtë, i butë, qesharak dhe shpesh gati pëshpëritës derisa fliste.
Kurti i butë
Kurti përveç nervozës, ndaj gazetarit Panduri kishte shfaqur qasje përqeshëse dhe kishte bërë sulme personale. Megjithatë, as 24 orë më vonë ai nuk pati as përqeshje e as sulme ndaj Kelmendit përkundër që ky pati pyetje shumë më sfiduese.
Lexojeni pyetjen e mëposhtme:
“Aleksandër Vuçiq – president i Serbisë – fitoi diçka që nuk ka arritur ta fitojë askush që nga shpallja e pavarësisë: mos t’i kërkohet më njohja e Kosovës për një periudhë kohore. Askush më nuk ia kërkon – as Shtetet e Bashkuara, që ju i përmendët letrat e dy presidentëve – sot thonë “njohje eventuale reciproke”. Si arritëm që t’i bindë një shtet që ka bërë agresionin që ka bërë?” – pyeti z. Kelmendi. As gëk, as mëk nga kryeministri.
Më pas, në një moment tjetër ai u sfidua haptas që të tregonte se si i kishte ndihmuar bizneset kosovare të eksportonin më shumë meqë po i përmendte vazhdimisht.
Përgjigja e tij, ishte siç mund ta prisnim:
“Një aspekt është mbajtja e energjisë elektrike shumë e ulët tek ne. Pastaj i kemi ndihmuar duke ua hequr nga qafa korrupsionin... Dhe gjithashtu u kemi ndihmuar duke i organizuar sa më mirë për eksportet që i bëjnë...”
Pra, çfarëdo përparimi që ju të bëni në jetën tuaj do të përfundojë në ndonjë formë mes letrave të kryeministrit Kurti dhe ai do të mburret me të më shumë se sa ju vetë.
Kelmendi ia përmend Kurtit edhe eksportin më të madh nga Kosova: “dyshekët”. Pra, dyshekët e Devollit. Kurti thotë thjesht “po...” i zënë keq, e për çudi nuk kundërsulmon.
Çakordim total
Kurti ishte jashtëzakonisht i çakorduar gjatë kësaj interviste dhe kjo mund të ilustrohet fare mirë edhe përmes këmbimit të mëposhtëm me Kelmendin, që ishte sa i rëndë aq edhe i turpshëm:
“A i keni njoftuar këto shtete (mosnjohëse të BE-së) për marrëveshjen e arritur,” – e pyeti Kelmendi.
“Së pari neve ndërmjetësit dhe shtetet aleate janë duke na ndihmuar shumë. Dhe unë besoj që është më mirë ta ndjekim këtë rrugë indirekte sa i përket avancimit te njohja e pesëshes. Nuk është thjesht në dorën tonë. Dhe unë besoj që nuk do të ndihmonte që menjëherë pas marrëveshjes ne t’i shkruajmë. Ajo çka na duhet neve tash...”
Pra, Kurti po thotë që nuk iu ka shkruar këtyre shteteve. Por, prisni!
“Pse jo kryeministër? Ne kemi nevojë për njohjen. Na është thënë dhe kemi lobuar gjatë që ta kemi të paktën këtë njohje (njohjet e pesëshes) meqë nuk e kemi njohjen nga Serbia. Pse të mos i drejtohemi me letra?” – pyeti tutje Kelmendi.
“Ne i drejtohemi në çdo takim që organizojmë... Po nuk i jam drejtuar unë personalisht me letra. Mirëpo këto janë edhe çështje të ndjeshme të lobimit. Nëse unë ju tregoj se kujt i kam shkru letër javën e kaluar unë bëj edhe dëm sepse menjëherë i shkruan Serbia atij shteti...” – u përgjigj Kurti.
Nga ky komunikim duket se kreut të Ekzekutivit nuk i ka shkuar as mendja që t’i shkruajë letër pesë shteteve mos-njohëse në BE. Dhe përveç kësaj, këto pesë shtete (Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia e Qipro) i njeh edhe Serbia ashtu siç i njohim ne dhe nuk ka nevojë për kurrfarë fshehtësie siç pretendon Kurti në mënyrë qesharake.
I pari dy herë
“Sipas World Justice Project, jemi për vitin e dytë të parët në Ballkanin Perëndimor,” – gënjeu Kurti në një pjesë të intervistës. Në fakt, Kosova është e para në Ballkanin Perëndimor sipas World Justice Project për vitin e tretë me radhë. Pra, ishte e para edhe në kohën e koalicionit qeverisës PAN (Qeveria Haradinaj II).
Kurti po thoshte “për vitin e dytë me radhë”, pra 2021 dhe 2022, duke shmangur krejtësisht vitin 2020 kur po ashtu Kosova kishte dalë e para në rajon dhe për këtë gjë mburrej Kadri Veseli. Qëllimi ishte të thuhej që Kosova ishte e para vetëm në kohën kur ai kishte ardhur në pushtet. Por, e vërteta është se ishte edhe më herët.
Megjithatë, gazetari ia përmend një gjë tjetër Kurtit: Sipas Transparency International Qeveria Kurti ishte vetëm një shkallë më lart se Qeveria Mustafa në vitin 2016. Pra, gjashtë vjet, e vetëm një shkallë më lart.
Kurti në përgjigjen e tij nënkuptoi se Qeveria Haradinaj që erdhi pas Qeverisë Mustafa e kishte përkeqësuar gjendjen e më pas ai e kishte ndrequr.
E kam një sekret, por hajt po e tregoj
Gjatë kësaj interviste, Kurti u sfidua më seriozisht edhe në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Për herë të parë patëm një pranim se vetëmenaxhimi ishte diçka shtesë përveç Asociacionit, siç ishte edhe Kisha Ortodokse Serbe dhe kanali i drejtpërdrejtë i komunikimit me Serbinë.
“Ju keni luftuar shumë kundër Asociacionit, sot e kemi edhe Asociacionin te pika 10 por edhe një vetëmenaxhim, edhe status special për Kishën Ortodokse Serbe por edhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi...” – ishte pyetja e z. Kelmendi. Kur tha “keni luftuar” ai madje edhe u qesh.
Kurti tha se Asociacioni ishte në thesin e 39 marrëveshjeve, duke u ankuar për atë që kishte trashëguar nga paraardhësit e tij.
“Kaq kam mundur të bëj Adriatik. A kupton?” – tha në një moment Kurti gjatë kësaj pjese.
Por, më pas s’e pranon veten në këtë situatë dhe nis të shpalos disa plane që s’është mirë t’i dëgjojë Serbia ani pse... ai s’po fliste privatisht me Adriatik Kelmendin por ishte në televizion.
“Asociacioni aktualisht ndodhet brenda thesit dhe, shikojeni nenin 10, thotë të zbatohen të gjitha marrëveshjet... me draftin e parë më 9 shtator s’ka qenë, më 6 dhjetor është presje, “which are valid and binding” (të cilat janë valide dhe të obligueshme)...” – nis fjalën e tij Kurti.
Në fakt, në Marrëveshje shkruan “which remain valid and binding” (të cilat mbeten valide dhe të obligueshme). Pra, kryeministri ngatërron edhe foljen . Por, lexojeni pjesën vijuese:
“Këtu kemi një rast të mirë, që nuk kisha dashur të thellohem më tej por besoj po e kupton çfarë po them... A po m’kupton çfarë po them?”
Pasi Kelmendi refuzon që të komunikojë me sy me Kurtin, ai megjithatë e thotë ‘sekretin’ e tij pavarësisht që mund ta dëgjojë Serbia. Kurti pretendon që Serbia e ka shkelur marrëveshjen e vitit 2013 që parasheh integrimin e serbëve në institucione dhe se kjo e bën marrëveshjen jovalide dhe jo të obligueshme për Kosovën.
Njohja nga Serbia
Në intervistë, Kurti na tregon edhe se çka iu thoshte ndërmjetësve kur pyetej se çka përfiton Serbia nëse e njeh Kosovën.
“Përveç tjerash iu kam thënë se e fiton edhe njohjen nga Kosova,” – thotë Kurti.
Ndërkohë, i sfiduar më tej nga gazetari për humbjen e këtij synimi të gjatë të Kosovës ai u përgjigj duke thënë se “rrënjët e fajit” ishin te moratoriumi për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare që ndodhej në marrëveshjen e vitit 2020. Natyrisht, nuk e dha asnjë provë apo shpjegim për një gjë të tillë.
Ai po ashtu u sfidua edhe për mos-njohjen në preambulën e marrëveshjes. Kurti thjesht u shpreh se nuk besonte që Serbia do të mund ta përdorte te vendet mos-njohëse që të vazhdonin ta mbanin qëndrimin e tyre.




