Nervozë, përqeshje, siklet e pasiguri: Kurti gati 'i dhunshëm' në intervistën e sontme - NACIONALE

Nervozë, përqeshje, siklet e pasiguri: Kurti gati 'i dhunshëm' në intervistën e sontme

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Fatkeqësisht, pas kësaj nate dhe intervistës së Ermal Pandurit me kryeministrin Albin Kurti, jemi një hap më afër që të futemi të gjithë – 1.7 milionë banorët e këtij kombi, plus diaspora – në botën e brendshme të këtij të fundit. Çka ndodhi sonte?

Intervista e sotme ishte e mbushur me tension. Por, jo me tensionin e rëndomtë – të paktën për vende demokratike – që buron nga sikleti i pushtetarit para një gazetari. Tensioni i sotëm buronte nga sikleti i gazetarit që ndodhej para pushetarit. Problemi ishte se gazetari, Ermal Panduri, nuk ishte aq i informuar e i koncentruar.

Intervista dukej më afër psikologjisë se sa politikës. E para, me “obsesionin” e Kurtit për ta quajtur bash “obsesion” 'këtë punën' e qëndrimeve të tij. E dyta, për shkak të mohimit për ta pranuar se ka ndryshuar fjalët. E treta, nga pasiguria e gazetarit Panduri për t’u shprehur. Dhe e katërta, nga sikleti që na rridhte prej kësaj pasigurie.

Nervoza taktike e Kurtit

Kurti ishte nervoz dhe gati i dhunshëm në këtë intervistë.

Ta kalojmë këtë temë se kemi ardhë për tjetër temë...” – i tha Kurti me nervozë gazetarit Panduri në një moment në fillim të intervistës.

Pastaj – po në fillim - derisa gazetari po përmendte qëndrimet e shkelura të Kurtit ndër vite ai u shpreh si vijon: “Dmth, ende s’ka fillu emisioni...”

“A mund ta përfundoj bre?!” – ishte ndërkohë një tjetër fjali e thënë pëshpëritshëm dhe me tallje.

Ndërkohë, Kurtit s’i mungonin edhe shpotitjet e tjera dhe sulmet në nivel personal ndaj Pandurit. “Ndoshta, do të ishte më korrekte (që gazetari të bëhej pjesë e politikës)...”

Absurde

“Unë bëj pranim minimal të realitetit për ndryshimin maksimal të tij,” – u shpreh Kurti, por as kësaj here nuk iu kërkua që ta zbërthente këtë fjali absurde të përsëritur shumë herë (që është absurde, pra bukfalisht absurde nëse e mendoni mirë). Çka po dëshiron të na thotë? Gjuha, siç vëren filozofi i madh Ludwig Wittgenstein, nuk mund të jetë tjetër përpos event social.

Fjali të tilla absurde për të cilat nuk iu kërkua kurrfarë shpjegimi kryeministrit pati në vazhdimësi. Ne bëhemi sikur po e pranojmë si të kuptueshme atë që e thotë ai, dhe ai bëhet sikur ne bëhemi. Me një fjalë: farsë.

Kurti i mëhershëm

Kryeministri i Kosovës në vazhdimësi mbrojti opozitarizmin e tij të gjatë dhe qëndrimet e tij dhe nuk u sfidua seriozisht të pajtonte kontradiktat evidente.

“Unë jam kryeministër në vitin 2023. Mos kërkoni prej meje as të jem në opozitë...” – tha njëherë. “Mos kërkoni prej meje tash, të flas për veten time të vitit 2012. Ç’është ky obsesion kështu?” – tha njëherë tjetër.

Kurti s'donte të rezononte prej asaj pozite, dhe kjo tingëllonte disi legjitime shkaku i formulimit joadekuat të fjalive për këtë çështje nga gazetari.

Çka ka të re?

Shumica e intervistës ishte hapësirë e dedikuar për ripërsëritjen e fjalëve të thëna së fundi nga Kurti. Megjithatë, u thanë edhe pak të reja.

Mes tyre, ishte edhe ajo për ekipin menaxhues për draftimin e statutit që ishte themeluar nga ish-zv.kryeministri i Qeverisë Hoti dhe ish-ministri i tij Goran Rakiq. Çka po bënte ky ekip dhe çfarë statuti kishte draftuar, nuk u shpjegua.

Një tjetër e re ishte edhe komentimi i marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. Ai në një moment, e pranoi se në fakt kishte marrëveshje duke hequr dorë përfundimisht nga çfarëdo nënkuptimi që hidhte dyshim në këtë çështje.

“Ka frikë të presidentit të Serbisë, jo mungesë të marrëveshjes,” – u shpreh z. Kurti, duke e përsëritur një gjë të tillë dy ose tri herë.

Megjithëse u krekos se kishte njohje de fakto në këtë marrëveshje, ai u shpreh se “nuk ishte dokument i shkëlqyeshëm”.

Ashtu siç edhe pritej, gazetari Ermal Panduri nuk i bëri pyetjet që i kishte sygjeruar gazeta Nacionale më herët gjatë ditës. Por, nëse dikush do që ta kuptojë se cilat do të ishin 10 pyetjet e Nacionales për Kurtin, ju ftojmë ta lexoni duke klikuar në vegëzën e mëposhtme:

Lajme të ngjashme