Pak ditë pas takimit ‘pa telefona’, Kurti nis ekskursion në mediat që i shpërfilli për dy vjet - NACIONALE

Pak ditë pas takimit ‘pa telefona’, Kurti nis ekskursion në mediat që i shpërfilli për dy vjet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërfillur mediat vendore për dy vjet me radhë përkundër zhvillimeve të panumërta e të rëndësishme politike. Por, kjo mesele po merr fund sot pas një takimi që ndodhi mes njërës palë dhe tjetrës në Zyren e Kryeministrit.

Terri informativ për popullin e Kosovës ishte jashtëzakonisht i madh. Kryeministri Kurti për dy vjet radhazi u shfaq në dhjetëra intervista të ndryshme për media ndërkombëtare, përfshirë edhe ato nga rajoni. Këto intervista vinin pas shumë zhvillimeve të rëndësishme politike.

Por, duket se mediet ‘u dorëzuan’ para kryeministrit... përsëri. Ai do të shpëtojë ‘pa therë në këmbë’ përkundër që dështoi të paraqitej para qytetarëve përmes medieve vendore gati në secilin rast që kërkohej prej tij llogaridhënie.

Ai do të nis sot një ekskursion (mund të thoshim edhe inkursion, por nuk po themi) në disa medie kosovare, vetëm disa ditë pas takimit me përfaqësuesit e tyre ku i kishte lënë edhe pa telefonët personalë në derë të Qeverisë.

Sot, kryeministri del në emisionin Debat Plus para gazetarit Ermal Panduri. Nacionale merr vesh se në ditët në vijim mund të paraqitet në emisionin Rubikon në Klan Kosovë te gazetari Adriatik Kelmendi. Ndërsa, diku javën tjetër besohet se mund të paraqitet edhe në televizionin T7.

Aranzhimi vs. Demokracia

Besohet që ky ekskursion i Kurtit në mediet që kishte shpërfillur për dy vjet është ‘aranzhuar’ - qoftë në mënyrë direkte qoftë indirekte – pikërisht në takimin ‘pa telefona’ në Zyrë të Kryeministrit.

Disa prej përfaqësuesve të medieve që ishin në këtë takim kanë kritikuar raportimin e Nacionales për takimin me Kurtin. Megjithatë, nuk dihet nëse e kanë kritikuar Kurtin në atë takim për mungesën e çuditshme para popullit kosovar dhe për gjuhën e dhunshme të përdorur prej tij dhe vartësve të tij ndaj tyre (medieve të Kosovës).

Kryeministri i Kosovës nuk ka kërkuar asnjëherë falje për këtë gjuhë, ani pse Hysamedin Feraj ishte denoncuar madje edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ). Për më keq, pas këtij denoncimi Kurti e kishte emëruar Ferajn në rolin e këshilltarit politik në kabinetin e tij.

Mediet e përzgjedhura

Dhe, mediet e 'përzgjedhura' nga Kurti flasin po ashtu për ‘ekskursionin’ e tij. Ai do të dalë sonte në RTV Dukagjini që është në pronësi të biznesmenit Ekrem Lluka, siç ishte njoftoi edhe gazetari Ermal Panduri. Ditëve të ardhshme besohet se do të dalë edhe në Klan Kosova, televizion në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Devolli. Ndërkohë që disa ditë më vonë besohet se mund të jetë edhe në Televizionin 7 në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu.

Kurti është njohur gjerësisht për qasjen e tij brutalisht kritike ndaj këtyre biznesmenëve, e më specifikisht ndaj Devollit. Sidoqoftë, kursi i tij politik duket se ka bërë që të fillojë një fushatë pajtimi.

Ai nuk kishte qenë në asnjërin nga këto televizione gjatë mandatit të tij të dytë si kryeministër që nisi më 23 mars 2021.

Konteksti

Përveç që fushata e Kurtit në mediet kosovare po nis pas takimit të tij me përfaqësuesit e këtyre medieve, ajo po vjen edhe pas marrëveshjes së Ohrit që u arrit më 18 mars.

Kurti pak ditë më herët kishte takuar edhe Edi Ramën në Shqipëri dhe Ramush Haradinajn në Gllogjan për të marrë mbështetjen e tyre në lidhje me koncesionet e bëra. Marrëveshja e Ohrit e bëri të qartë – madje, me vet pranimin e Kurtit – se e kishte brenda Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e përveç kësaj nuk ishte fare njohja e shumëpritur nga Serbia apo njohjet nga shtetet mos-njohëse të 5 shteteve të BE-së.

Sa i përket medieve shqiptare, ai së fundi ishte në një emision të mëngjesit në Top Channel dhe paraprakisht kishte dhënë intervistë edhe për një medium të quajtur Shenja në Maqedoni të Veriut.

Lajme të ngjashme