Kryeministri Kurti ‘poshtëroi’ shefat e mediave, ua mori telefonët para takimit
Paranoja e kryeministrit Kurti ndaj mediave duket se nuk njeh kufij. Nacionale mëson se ai edhe i thirri, por edhe nuk iu besoj aq sa t’i lejonte të shkonin me telefonët e tyre.
Raporti i kryeministrit Kurti me mediet është kritikuar gjerësisht në Kosovë. Sidoqoftë, ai gjatë ditës së djeshme i ftoi në takim disa drejtues të medieve kombëtare, përfshirë edhe ato që drejtohen nga biznesmenë që ai i konsideronte si ‘oligarkë’ ose të afërt me ‘Klanin Pronto’.
Nacionale mësoi dje se në këtë takim ishin përfaqësues nga mediumi Klan Kosova që është në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Devolli, Televizioni Dukagjini, me pronësi të biznismenit Ekrem Lluka, Televizionit ATV, në pronësi të biznismenit Lul Tafa, Televizioni 7 në pronësi të biznismenit Klodian Allajbeu, si dhe RTV 21, transmetuesi publik RTK, mediumi Koha, Kanal 10, Radio Evropa e Lirë.
Temë e këtij takimi ishin zhvillimet e fundit në lidhje me dialogun e Kosovës me Serbinë.
Por, Nacionale sot mëson që Kurti ka pasur menjëherë qasje poshtëruese e përdhosëse ndaj shefave të këtyre mediave, duke i ‘çarmatosur’ qysh në fillim.
Burime të afërta me takimin i kanë thënë gazetës se përfaqësuesit e mediave në këtë takim nuk u lejuan që merrnin me vete edhe telefonët personalë.
“Te porta poshtë, te dera e Qeverisë,” – mëson gazeta se ishin detyruar përfaqësuesit e mediave t’i linin telefonët e tyre.
Pse ky takim është ‘problematik’?
Intensifikimi i dialogut me Serbinë ka prodhuar shumë ngjarje e zhvillime të rëndësishme, informacionet për të cilat publiku kosovar i merrte nga... mediet ndërkombëtare.
Kjo pasi që Kurti kishte vendosur që t’i injoronte mediet vendëse gati totalisht, duke dhënë intervista – nganjëherë edhe dy herë në ditë – për medie të interesuara jashtë vendit, përfshirë edhe ato nga rajoni ynë.
Nuk dihet nëse e kanë shtruar këtë problem përfaqësuesit e mediave që ishin në takim, ashtu siç nuk dihet deri tash nëse ndonjëri/ra prej tyre ka refuzuar të takohet me Kurtin pas detyrimit për të lënë telefonin te dera.
