Rama mbështet Kurtin për Propozimin Evropian, e inkurajon të hedhë hapa tjerë për Asociacion, Kishë Serbe etj.
Ramazani, Ramushi, Rama... fatmirësisht jo edhe Ramabaja. Kurti ka nisur përpjekjen e tij për të përforcuar mbështetjen mbi Propozimin Evropian por rruga e tij... del se është e shtruar me pije alkoolike.
Kryeministri shkaktoi shumë debat me fotografinë e parë të publikuar nga Gllogjani i Deçanit. Aty Kurti shkoi për ta takuar Ramush Haradinajn, kreun e AAK-së dhe opozitarin e vetëm që i kishte dhënë mbështetje për koncesionet e bëra ndaj Serbisë me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.
Kurti dukej derisa cakërronte gotën e rakisë me Haradinajn, ndërsa shumë komentues e qortuan pasi panë te ai një lider të shkujdesshëm për ndjenjat e shumicës muslimane në Kosovë.

Kryeministri sot mori një udhë më të gjatë, drejt Shqipërisë. Aty ai takoi krerët institucionalë të këtij shteti, mes të cilëve edhe kryeministrin Edi Rama.
Marrëdhënia e tij me Ramën, ashtu si ajo me Ramushin, është përshkruar gjerësisht si e hidhët. Dhe, jo vetëm në Ramazan.
Dhe, edhe Edi Rama duket se e qerasi kryeministrin tonë me një gojë pije alkolike. Nga fotografia e ndarë prej tij, Kurti dukte në qejf derisa para vetes ka një gotë – me shumë gjasë – me verë të kuqe.

Rama s’ngurroi të fliste në mënyrë të drejtpërdrejt për këtë takim, duke thënë se i kishte thënë Albinit se e kishte mbështetjen e tij për të bërë koncesionet e dhimbshme për Asociacionin e për Kishën Ortodokse Serbe. Po ashtu, ai e quajti Kurtin “mik të posaçëm” derisa u raportua nga mediat se pas takimit ishin parë edhe të përqafuar.
"E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë." - tha z. Rama në llogarinë e tij në Facebook mes tjerash.
Në Kosovë, Kurti mbështetet në pranimin e Propozimit Evropian dhe Aneksit të tij vetëm nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK e LDK, i kanë dalë haptas kundër ashtu siç i kanë dalë edhe partitë opozitare joparlamentare PSD e Nisma.
Në anën tjetër, nuk dihet deri më tash qartësisht se çfarë pozicioni ka Presidentja e vendit Vjosa Osmani apo bashkëpunëtorët e saj në partinë Guxo.
Në këtë udhëtim në Shqipëri, kryeministrit Kurti i dhanë mbështetje edhe presidenti Bajram Begaj dhe kryekuvendarja Lindita Nikolla.