10 pyetjet që duhet t’i shtrohen sonte Albin Kurtit - NACIONALE

10 pyetjet që duhet t’i shtrohen sonte Albin Kurtit

2 muaj më parë

nga Jetlir Buja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të nis sot një ‘ekskursion’ në mediet e Kosovës pas koncesioneve të bëra në Ohër dhe në Bruksel. Ai do ta ketë përballë gazetarin Ermal Panduri, të cilin e pati edhe në një takim bashkë me gazetarë tjerë në Kryeministri. Cilat janë pyetjet që duhet t'i shtrohen Kurtit?

Nacionale e pyeti gazetarin Panduri nëse kishte ndryshuar formatin e emisionit televiziv të quajtur “Debat Plus” por e mohoi një gjë të tillë.

“Formati i takimit, njëjtë si me Lumirin, si Ramush Haradinajn dhe si me Enver Hasanin,” – tha z. Panduri, duke thirrur sërish në redaksi për të thënë që të njëjtin format e kishte pasur edhe me Berat Buzhalën, gazetarin e Nacionales.

Megjithatë, ai nuk i tregoi Nacionales se e kishte ndryshuar orarin e këtij debati. Ai do të fillonte prej orës 20:00 e jo prej orës 20:30 siç ndodh rëndom.

Pyetjet që duhen shtruar

Kurti i ka ikur përballjeve tash e shumë kohë. Shumë shpesh – ashtu si paraardhësit e tij kryeministra – ai ka ikur edhe përmes mënyrës se si përgjigjen, por në dy vitet e fundit ka ikur në të gjitha mënyrat e mundshme. Thjesht nuk është paraqitur, duke i lënë pa përgjigje qytetarët e Kosovës pas zhvillimeve dramatike e të befasishme, sidomos në dialog.

Pa përfshirë Asociacionin (që meriton një varg pyetjesh), më poshtë keni 10 pyetjet që duhet t’i shtrohen kryeministrit të Kosovës:

Pyetja e parë:

Më 18 prill 2020, në cilësinë e kryeministrit, ju ishit në këtë studio dhe qëndruat për 2 orë e 34 minuta e 15 sekonda. Edhe atëherë ishit kryeministër, edhe atëherë përballeshit me presion, edhe atëherë kishit shumë punë. Pse për 2 vjet e 6 ditë si kryeministër në Qeverinë Kurti II nuk na erdhët asnjëherë?

Pyetja e dytë:

Ju po avokoni për Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, që burojnë nga Propozimi Evropian. Ju po thoni se presidenti serb Vuçiq nuk po e nënshkruan, duke nënkuptuar se kjo mund t’i shkojë në dëm Serbisë. Por, më 28 tetor, zv. kryeministri Besnik Bislimi e kishte quajtur “më afër pozicionit” të Serbisë këtë propozim. [Në këtë pikë, edhe mund të lexohet e gjithë deklarata e Bislimit që është shumë, po shumë interesante]

Pyetja e tretë:

Çka ndodhi me udhërrëfyesin e marrëveshjeve për Energjinë? U nënshkrua me shumë bujë, u tha se prej tash e tutje nuk do të paguhej energjia elektrike për qytetarët serbë në veri, e megjithatë asgjë e re s’ka ndodhur. Elektroseveri ka shpërfillur afatet e përcaktuara, ne kemi rënë në një pozitë poshtërimi.

Pyetja e katërt:

Pse i keni njohur letërnjoftimet që lëshohen nga strukturat ilegale në Rashkë? Pse ajo marrëveshje për dokumentet e udhëtimit – kaq e rëndësishme - ishte e formës gojore?

Pyetja e pestë:

Pse ngulmuat kaq gjatë për targat ilegale vetëm për të thënë në fund praktikisht se e konsideronit çështje triviale dhe se donit që të diskutonit për kornizën e përgjithshme?

Pyetja e gjashtë:

Ato që opozita po i quan “ndryshime qëndrimesh” (Bashkimi Kombëtar, Jo Negociata Vetëvendosje, Jo Negociata pa kushte etj etj etj) ju po i quani ndryshime strategjike. A ishte gjithçka strategji, z. Kurti, apo keni diçka për të cilën ende qëndroni?

Pyetja e shtatë:

A është e vërtetë se në vend që Serbia t’i plotësonte kushtet që ju i kishit vënë për t’u ulur në tavolinë negociatash, në fakt ishit ju ai që i plotësoi kushte Serbisë? Pra, Serbia nuk donte që ju ta vendosnit reciprocitetin, dhe ju... nuk e vendosët?

Pyetja e tetë?

Pse nuk e keni bërë asnjë reagim të vetëm pas lajmi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit? Apo, pas kthimit në punë të tre zyrtarëve të suspenduar – tre të vetmit që kishin çelësat në laboratorin ku ndodheshin ato mostra?

Pyetja e nëntë?

Ju banoni aktualisht në një shtëpi me 230-metra katrorë që e paguani vetëm 250 euro në muaj. Këtë qira të lirë e keni marrë nga disa simpatizantë të veprimtarisë tuaj politike. A konsideroni që këtu ka konflikt interesi?

Pyetja e dhjetë?

Është spekuluar shumë për vendin se ku ju e shkolloni vajzën tuaj, Lean. Natyrisht, ne respektojmë plotësisht të drejtën tuaj dhe të bashkëshortes tuaj që ta shkolloni vajzën ku të doni. Por, të dy jeni të majtë ideologjikisht. Ku po e shkolloni vajzën tuaj, z. Kryeministër?

Lajme të ngjashme