6 muaj heshtje: Agjencia kundër Korrupsionit "s’po guxon të mendojë" për qiranë e Albin Kurtit - NACIONALE

6 muaj heshtje: Agjencia kundër Korrupsionit "s’po guxon të mendojë" për qiranë e Albin Kurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ishte 9 qershori i vitit të kaluar kur Agjencia Kundër Korrupsionit, tashmë e quajtur Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, do të niste hetimet për qiranë e lirë të kryeministrit Albin Kurti në lagjen Taslixhe në Prishtinë. Por, tashmë që kanë kaluar gjashtë muaj e dy javë qëkur nisën këto hetime, bitisja s’duket në horizont.

Menjëherë pas ardhjes në pushtet, Albin Kurti do të zhvendosej nga banesa rreth 60 metërshe te Parku i Qytetit te një shtëpi e madhe në Lagjen Taslixhe. Rivalët e tij politikë, kryeisht PSD-ja, ia pa për të madhe duke besuar që atij po i shijonte luksi dhe po shkëputej nga klasa e mesme e ulët të cilës thoshte se i përkiste. Por, kishte një problem shumë më të madh te kjo shpërngulje: qiraja.

Albin Kurti doli se po e paguante një qira tepër të vogël për shtëpinë 230 metra katrorë në Lagjen Taslixhe, po aq sa kishte paguar edhe për banesën e vogël te Parku.

Çka thoshte Albin Kurti?

Në deklarimin e pasurisë të bërë më 31 mars 2022, Albin Kurti për qiranë në fjalë do t’i thoshte këto fjalë: “Banoj në shtëpi me qira, sipas kontratës të lidhur me qiradhënësin B.Z. në afat prej tre vitesh em mundësi vazhdimi edhe për një afat shtesë prej tre vitesh me kushte të njëjta siç janë parashikuar në kontratë. Qiraja është në shumë prej 250 eurove në muaj.”

Qiraja për shtëpi të mëdha në lagjen ku banonte Kurti shkonte dyfish deri në trefish më shtrenjtë për qytetarët e thjeshtë. Kjo nënkupton, se kryeministri i përfiton 250 deri në 500 euro në muaj vetëm nga qiraja e lirë.

Kush janë zemërmirët?

Eh, këtu edhe lind problemi. Zemërmiri i përmendur vetëm si B.Z. nga Albin Kurti, është Blerim Zagragja. Pra, familja Zagragja.

Kryeministri i Kosovës e kishte takuar Jeta Zagragjën, mbesën e Blerimit, edhe gjatë vizitës së famshme në Amerikë në muajin maj të vitit të kaluar. Dhe natyrisht, e kishte promovuar edhe kompaninë e saj familjare në fotografinë e shpërndarë.

“Ishte kënaqësi të presim në zyret tona qendrore në Chicago, Kryeministrin Kurti dhe ekipin e tij dhe të diskutojmë për punën që jemi duke bërë në Kosovë...” – shkruante mes tjerash znj. Zagragja në atë kohë.

Natyrisht, kjo familje mund të jetë thjesht simpatizante e kryeministrit Kurti dhe qiranë e lirë t’ia ketë ofruar nga dashamirësia por... ligjet ata vazhdojnë të kryejnë punë në Kosovë dhe kjo është, më e pakta, problematike.

Çka thotë Ligji?

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit është fare fare fare i qartë, sidomos në pikën 8 të nenit 6 të tij ku flitet për “Parimet e Veprimit dhe mos-veprimit të zyrtarit”.

“8. Zyrtari duhet të shmangë konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, i mundshëm apo në dukje.”

Çka thoshte Qeveria?

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e fuste në ekuacion pikërisht dashamirësinë në shpjegimin e këtij rasti:

“Blerim dhe Shega Zagragja kanë dashur që Kryeministrit Kurti t’ia mundësojnë të banojë falas në shtëpinë e tyre, mirëpo Kurti nuk ka pranuar. Janë marrë vesh që ai ta paguajë qiranë aq sa ka qenë duke e paguar më herët te banesa afër parkut të qytetit,”

AKK-ja?

Pasi ishte informuar nga Nacionalja për rastin në fjalë, AKK-ja më 9 qershor do të niste procedurat.

“Agjencia Kundër Korrupsionit konfirmon pranimin e informatës,”thuhej nga ky institucion.

Për fat të keq, prej asaj kohe kanë kaluar gjashtë muaj e dy javë dhe nuk ka asnjë informacion në lidhje me çështjen. Nacionale ka insistuar më herët të mësojë ndonjë risi por nga AKK-ja nuk kishin kthyer përgjigje.

E ky, duket të jetë bërë zakon kur bëhet fjalë për AKK-në.

Zakoni

Një tjetër rast potencialisht me konflikt interesi është edhe ai i Shefit të Stafit të Zyres së Kryeministrit, Luan Dalipi. Siç shkruajnë nga Buletini Ekonomik, AKK-ja po e hesht konsulencën e dyshimtë të Dalipit në MDA. Ata thonë që nuk po marrin përgjigje tash e një vit. Jo vetëm nga Agjencia Kundër Korrupsionit (tashmë, e Parandalimit të Korrupsionit) por as nga Dalipi apo kompania në fjalë.

Kujtojmë se drejtor i kësaj agjencie është Yll Buleshkaj që nga dhjetori i vitit 2021.

Lajme të ngjashme