Anti-Korrupsioni nis hetimet për qeranë e lirë të kryeministrit Kurti - NACIONALE

Anti-Korrupsioni nis hetimet për qeranë e lirë të kryeministrit Kurti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, banon në një shtëpi të madhe në lagjen më prestigjioze të Prishtinës, Taslixhe. Por, qiraja e vogël të cilën e paguan është një dhuratë e përmuajshme për të, çka mund të përbëjë konflikt të interesit. Nacionale tashmë ka lajmëruar një gjë të tillë në Agjencinë kundër Korrupsionit, e të cilët kanë thënë se do të merren me hetimin e rastit.

Vizita që Albin Kurti i bëri Jeta Zagragjës në Amerikë nuk bëri jehonë të madhe në Kosovë pasi nga kjo vizitë në vendin më mik të Kosovës pritej një takim i një niveli pak më të lartë nga kryeministri, me presidentin amerikan apo zëvendëspresidenten amerikane.

Por, kjo vizitë del të ketë qenë mjaft e rëndësishme.

FOTO: Postimi i Zagragjës ku reklamohen edhe bizneset

Jeta Zagragja është mbesa e Blerim Zagragjës, një simpatizanti të kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje që jeton në mërgim. Por, më e rëndësishmja, e një simpatizanti që i merr vetëm nga 250 euro në qera nga kryeministri i Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë Kurti II, Përparim Kryeziut, shtëpia në të cilën banon Kurti është 230 metra katrorë.

Me një sipërfaqe të tillë e në lagje të tillë, çmimi i qerave është ndjeshëm më i lartë, çka nënkupton se Kurti ka pranuar të favorizohet e të paguajë më pak nga rroga e tij në baza mujore.

Në bazë të kërkimeve të thjeshta në faqe interneti të specializuara në shitblerje, çmimet e shtëpive në Taslixhe shkojnë prej 1100 e deri në 1500 euro, por ka edhe më të lira. Specifikat e shtëpisë në të cilën do të banojë Kurti – përveç lokacionit dhe metrave katrorë – nuk dihen, çka e bën të vështirë të përcaktohet qartë shifra mujore e përfitimit të tij.

FOTO: Çmimi i qerasë për një shtëpi tridhomëshe në Taslixhe

Por, edhe nëse qeraja reale sipas vlerës së tregut për shtëpinë në të cilën banon Kurti do të ishte vetëm 500 euro, kjo nënkupton se ai në konton e tij bankare ka nga 250 euro më shumë në muaj ose 3 mijë euro në muaj. Për krejt mandatin e tij katërvjeçar, del se Kurti do të përfitonte vetëm nga ulja e qerasë 12 mijë euro në buxhetin e tij personal.

FOTO: Një shtëpi me vetëm 150 metra katrorë jepet me qera për 450 euro

Ndërkohë, në rast se çmimi i shtëpisë së tij do të ishte 700 euro, atëherë përfitimet do të ndryshonin edhe më shumë për kryeministrin. Ai do të favorizohej në banim për 450 euro në muaj ose 5400 euro në muaj dhe 21 mijë e 600 euro për gjithë mandatin e tij qeverisës.

FOTO: Shtëpia në të cilën banon Kurti me qera në Taslixhe

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) pasi është informuar nga gazeta Nacionale për rastin është përgjigjur si vijon:

“Agjencia kundër Korrupsionit konfirmon pranimin e informatës”, kanë thënë nga agjencia në fjalë për rastin e Kurtit pasi janë lajmëruar nga Nacionalja për këtë konflikt interesi. Është e çuditshme se si AKK nuk ka nisur procedurat e hetimit të këtij rasti më herët marrë parasysh profilin e lartë publik të kryeministrit dhe faktin se për qeranë në fjalë ishte raportuar vazhdimisht tash e më shumë se një vit.

Jetë o jetë

Në një shkrim të Insajderit të titulluar ““Biznesmeni” Kurti – paguan lirë shtëpinë e madhe, shfrytëzon postin për ta promovuar biznesin e qiradhënësit” ka reaguar Jeta Zagragja.

Ajo ka shkruar “Falemnderit edhe juve për promovimin”, derisa tregon se si kompania e familjes së saj ka qenë “tash e pesë vite një ndër bizneset më të mëdha dhe të suksesshme në sektorin e teknologjisë”.

Zagragja shton se nuk kanë marrë asnjëherë projekte apo para nga shteti. Por, përfitimet mund të jenë të shumëllojshme për familjen qeradhënëse. Një ndër to është edhe edhe promovimi i bizneseve apo i vetë zonjës Zagragja si mbesa e familjes.

Pavarësisht qëllimit të mirë që potencialisht mund të kenë familjarët, Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit është fare i qartë, sidomos në pikën 8 të nenit 6 të tij ku flitet për “Parimet e Veprimit dhe mosveprimit të zyrtarit”.

“8. Zyrtari duhet të shmangë konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, i mundshëm apo në dukje.”

Shpjegimi qeveritar

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë Kurti II, ka dhënë shpjegime të çuditshme e politike në përpjekjen që të justifikonte veprimin e kryeministrit Albin Kurti.

Pasi e ka pranuar se kush janë dy qeradhënësit e Kurtit (Blerim dhe Shega Zagragja) ai ka përdorur terme jobindëse shpjeguese.

“Blerim dhe Shega Zagragja kanë dashur që Kryeministrit Kurti t’ia mundësojnë të banojë falas në shtëpinë e tyre, mirëpo Kurti nuk ka pranuar. Janë marrë vesh që ai ta paguajë qeranë aq sa ka qenë duke e paguar më herët te banesa afër parkut të qytetit”, thoshte z. Kryeziu.

Më tej, ai vazhdon justifikimin duke thënë se hapësira prej 230 metrash katrorë nuk është “plotësisht e shfrytëzueshme”, se dy dhoma janë “të papërdorshme” e se shtëpia “është e vjetër rreth 50 vjet”.

Lajme të ngjashme