Kurti dhe VV-ja krenohen me raportin për sundimin e ligjit nga WJP me të cilin krenohej Kadri Veseli - NACIONALE

Kurti dhe VV-ja krenohen me raportin për sundimin e ligjit nga WJP me të cilin krenohej Kadri Veseli

1 vit më parë

nga NACIONALE

Siç ndodhi para një viti, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të lavdërohet në lidhje me progresin e bërë në Sundimin e Ligjit, pas raportit të publikuar së fundi nga “World Justice Project”. Në këtë formë, reagonin edhe pushtetet e kaluara për raportet e viteve paraprake. Kosova ndërkaq, për vitin 2022, radhitet e 57-ta në botë.

Kosova, tash e tri vite shënon progres në këtë renditje, ku që nga 2020-ta, ka dalë më së miri në rajon.

Gjatë vitit 2021, kur edhe dolën këto statistika, kryeministri Albin Kurti e vartës të tij kishin shfrytëzuar rrjetet sociale për t’u lavdëruar me renditjen. Njëjtë, ka ndodhur edhe kësaj radhe, derisa shefi i ekzekutivit pretendon se reformat në drejtësi po i funksionojnë.

Këtë vit, e 57-a në botë

Kosova sipas renditjes së publikuar nga WJP këtë vit ka zënë vendin e 57-ë në botë, duke u renditur kështu për tri pozita më lartë në raport me vitin 2021, kur zuri vendin e 60.

Sipas raportit, Kosova është e dyta në botë për përmirësimin e sundimit të ligjit.

Kryeministri Kurti mbrëmjen e së mërkurës e shfrytëzoi që të lavdërohet për këto statistika, duke pretenduar madje se reformat po i funksionojnë me shpejtësi.

“Këtë vit, WJP e ka e ka renditur sërish Republikën e Kosovës të parën në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit. Kosova gjithashtu është rënditur e dyta në mbarë botën për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar. Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë dhe po funksionojnë me shpejtësi”, ka thënë ai.

Vlen të përmendet, se para pak muajsh, deputetja Doarsa Kica-Xhelili u largua nga grupi parlamentar i LVV-së, pikërisht për shkak të kritikave të saj për reformat në drejtësi.

Edhe deputeti i LVV-së, Driton Hyseni ka bërë një postim në lidhje me këtë, madje duke pretenduar se “ka kaluar koha kur u vinte keq se ku rangoheshin”.

“Kaloi koha kur na vinte keq të shikonim se ku rangoheshim!”, tha ai.

Për këtë rënditje, deri më tani ka reaguar edhe kryediplomatja Donika Gërvalla e zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

“Në raportin e World Justice Project Republika e Kosovës radhitet në vendin e dytë në botë sa i përket përmirësimit në fushën e sundimit të ligjit. Ky është lajm i jashtëzakonshëm”, ka shkruar Manxhuka.

Kur jemi te LVV-ja, partia në pushtet gjatë vitit 2021, kur Kosova zuri vendin e 60-ë në botë duke shënuar rënie, kishte thënë se vendi po prinë në shumë fusha.

Kurti ndërkaq, e kishte shfrytëzuar vazhdimisht këtë raport për të lavdëruar qeverisjen e tij. Të njëjtin madje, e kishte përmendur edhe në gusht të këtij viti, pra nëntë muaj pas publikimit të tij.

“E me punën që kemi bërë së bashku jemi ngritur për 17 vende në Indeksin e Transparency International dhe po aq vende në indeksin e lirisë së mediave, teksa jemi renditur të parët në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit sipas World Justice Project”, kishte thënë kryeministri në një fjalim ku deklarohej për ato që i konsideronte si “suksese” të tij.

Të njëjtën deklaratë, kryeminstri e kishte dhënë edhe në maj të vitit 2022, këtu vetëm ua kishte ndërruar vendin disa fjalëve.

“Sa i përket sundimit të ligjit jemi renditur të parët në Ballkan sipas World Justice Project. Sa i përket korrupsionit kemi lëvizur 17 vende më lart për të mirë sipas Transparency International, dhe po ashtu 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave sipas reporterëve pa kufij”, thoshte shefi i ekzekutivit në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.

Në vitin 2020, lavdërohej Kadri Veseli

Renditjen më të mirë për këto tri vite, Kosova e pati shënuar në vitin 2020, kur kishte dalë e 54-a në botë.

Gjatë vitit 2020, kur statistikat publikoheshin për vitin e lënë pas, Kadri Veseli, atë kohë deputet, lavdërohej me një renditje të tillë.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, deklaronte se Kosova po bën arritje të mëdha, derisa kishte pasur një mesazh edhe për Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilën thoshte se po mohojnë çdo arritje e progres të vendit.

“Pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme të rindërtimit prej shkatërrimeve të luftës, shtet-ndërtimit dhe pengesave në arenën ndërkombëtare, Kosova ka mundur të arrij shumë në shumë pak kohë për sa i përket sundimit të ligjit. Ky indikator vlen veçanërisht si demantim ndaj atyre zërave nihilist në Kosovë, që mohojnë çdo arritje e progres që ka bërë vendin ynë, e nuk humbasin rast për ta njollosur e dëmtuar pa të drejtë reputacionin e shtetit tonë. Nuk ka dyshim që Kosova ka ende rrugë të gjatë për të bërë në sundimin e ligjit, mund të eci përpara edhe më shumë në luftën kundër korrupsionit, megjithatë është e ulët që të mohoen sukseset e deritanishme që me aq sakrificë i kemi mundësuar”, kishte deklaruar Veseli.

Lajme të ngjashme