Intervistë | Peci: Serbia dëshiron status autonom për veriun, jo asociacion - NACIONALE

Intervistë | Peci: Serbia dëshiron status autonom për veriun, jo asociacion

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Injorimin e kërkesës amerikane për targat e ka vlerësuar si gabim të madh. Me këtë veprim, sipas tij, Qeveria po ia mundëson Serbisë realizimin e skenarit për ndarjen e veriut. Lulzim Peci ka thënë për gazetën Nacionale se anulimi i këtij plani mund të bëhet vetëm në bashkëpunim me aleatët.

Drejtori i institut KIPRED, Lulzim Peci, ka vlerësuar se me refuzimin e kërkesës së ShBA-së për targat, Qeveria e Kosovës po e dërgon veriun drejt një skenari të përgatitur nga Serbia.

Kjo e fundit, sipas tij, nuk po dëshiron më Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, por një status autonom për veriun e Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Peci ka thënë se ky skenar i rrezikshëm mund të shmanget vetëm duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët euro-atlantikë.

Peci mendon se Qeveria e Kosovës duhet të ketë të qartë se riintegrimi i veriut nuk do të mund të bëhet me masa policore, por me masa politike.

Sipas tij, vetëm dialogu do të shpie në zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit.

Në këtë intervistë, ish-ambasadori i Kosovës në Suedi ka folur edhe për pasojat politike që mund t`i ketë Kosova nga refuzimi i kërkesave të aleatëve.

Anulimi i vizitave për zyrtarët qeveritarë, ka thënë ai, janë vetëm sanksionet e para për Qeverinë.

Nacionale: Z. Peci, Qeveria e Kosovës po vazhdon ta refuzojë kërkesën e aleatëve për zbatimin e vendimit për targat ilegale. Cili është vlerësimi juaj për këtë qëndrim?

Peci: Mendoj që injorimi i kërkesës së Administratës së Presidentit Biden në lidhje me targat ilegale nga Qeveria e Kosovës është një gabim i madh që do t’i kushtojë vendit tonë, si në raport me marrëdhëniet me Uashingtonin, ashtu edhe me situatën tanimë të paparashikuar në veri të vendit. Lehtësia e refuzimit të kësaj kërkese të ShBA-së nga Qeveria e Kosovës, që tanimë e ka dërguar veriun në zbatimin e një skenari të përgatitur për kohë të gjatë nga Serbia, për mendimin tim, e shpërfaq besimin në një fantazi të ndërtuar nga narrativët e VV-së, që nuk ka fare të bëjë me realitetin e kuptueshmërisë së mbrojtjes së sovranitetit dhe me rëndësinë e partneritetit dhe përkrahjes së superfuqive për vendet e vogla. Prandaj mendoj se qëndrimi i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk u shërben interesave të vendit. Përkundrazi, i dëmton ato. Serbia e ka bërë këtë veprim, kur ka parë se Kosova është duke e kundërshtuar dhe duke hyrë në një kurs kolizioni të thellë me Uashingtonin, që është njëkohësisht edhe përkrahësi ekzistencial i shtetësisë së saj.

Nacionale: Zhgënjimi i BE-së dhe i ShBA-së ndaj vendimit të Qeverisë a mund të sjellë ndonjë pasojë për Kosovën?
Peci: Pasojat e para janë “sanksionet e mençura”, të buta, që rezultuan në de facto anulimin e vizitave të planifikuara të qeveritarëve të Kosovës në ShBA. Por këtu nuk duhet përjashtuar as të tjerat, si p.sh. ngrirjen e ndihmave dhe bashkëpunimit me Kosovën në fushën e sigurisë dhe sidomos në atë të mbrojtjes.

Nacionale: Kërkesa e aleatëve të Kosovës është shtyrja e afatit për zbatimin e vendimit dhe formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Cila duhet të jetë përgjigjja e Qeverisë së Kosovës ndaj këtyre kërkesave?
Peci: Nuk jam këshilltar i Qeverisë së Kosovës për të treguar se çfarë duhet të jetë përgjigjja e saj.

Nacionale: Vendimi i Qeverisë ka bërë që tërë presioni ndërkombëtar të drejtohet nga Kosova, duke e harruar planin franko-gjerman për marrëveshjen finale. Sa mund ta zvarrisin procesin e dialogut këto?
Peci: Mendoj se pranimi i planit franko-gjerman nga Qeveria e Kosovës i krijon një hapësirë manovrimi, mirëpo me këtë nuk mund të shmangen kërkesat e Perëndimit në lidhje me targat dhe fillimin e bisedave për asociacionin. Mendoj se stabilizimi i veriut dhe dialogu do të shkojnë paralelisht njëra me tjetrën, tanimë në rrethana të komplikuara dhe të paparashikuara në veri, ku tani Serbia po mundohet ta vë de-fakto në jetë autonominë territoriale apo ndarjen e kësaj pjese nga Kosova. Këtu duhet të kemi të qartë se riintegrimi i veriut nuk do të mund të bëhet me masa policore, por me masa politike, të cilat pastaj do të shpien në zbatimin e plotë të rendit dhe të ligjit në këtë pjesë të vendit.

Nacionale: Pse mendoni se po e bën këtë Qeveria? A po frikësohet nga marrëveshja finale?
Peci: Jo, mendoj se situata e tanishme i ka krijuar rrethana të volitshme Qeverisë Kurti për pranimin e planit franko-gjerman. Jemi dëshmitarë se si ka ndryshuar narrativi i Qeverisë për këtë plan me eskalimin e krizës në veri.

Nacionale: Ndonëse nuk është bërë publik nga palët, pjesë të planit franko-gjerman janë bërë publike nga mediet. Cili është vlerësimi juaj për këtë plan? Si duhet të sillet Kosova ndaj këtij propozimi?
Peci: Në esencë, ky plan i rregullon raportet mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane, të cilat nuk e njohin formalisht njëra-tjetrën, por e pranojnë ekzistencën e palës tjetër, me ç‘rast marrëdhëniet e tyre (para)diplomatike rregullohen përmes Konventës së Vjenës për Misionet e Posaçme, dokument i vitit 1969. Mendoj se ky plan duhet të pranohet nga Qeveria e Kosovës.

Nacionale: Kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca kanë thënë se plani përbën një bazë të mirë, ndonëse ai nuk e parash njohjen reciproke. Çka tregon kjo?
Peci: Besoj se në ketë pyetje jam përgjigjur më lart.

Nacionale: Vendimi për targat e ka nxitur largimin e serbëve të Kosovës nga institucionet qendrore dhe ato lokale në veri. Largimi i tyre shihet si i ndikuar nga Serbia. A po dëshiron të arrijë diçka Serbia me këto veprime?
Peci: Serbia qartazi nuk e ka për qëllim asociacionin, por një status të veçantë autonom apo shkëputjen de-fakto të veriut, mirëpo nëse punojmë ngushtë me partnerët trans-atlantikë, besoj se ky rrezik do te evitohet.

Lajme të ngjashme