"Durimi amerikan po humb": Refuzimi kërkesave të aleatëve mund të sjellë pasoja serioze për Kosovën - NACIONALE

"Durimi amerikan po humb": Refuzimi kërkesave të aleatëve mund të sjellë pasoja serioze për Kosovën

2 muaj më parë

nga Muhamet Koci

Me zbatimin e vendimit për targat ilegale, Qeveria e Kosovës ka vendosur t`i shkojë deri në fund të drejtës së saj për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e vendit. Në këtë mënyrë po refuzohet kërkesa eksplicite e ShBA-së dhe e BE-së për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi.
Këmbënguljen e Qeverisë e kanë vlerësuar si të gabueshme njohësit e rrethanave politike në vend.

Ata kanë bërë me dije për gazetën Nacionale se kjo qasje sovraniste mund t`i sjellë pasoja serioze Kosovës.

Analisti Ilir Ibrahimi ka deklaruar për gazetën Nacionale se Kosova nuk është në gjendje t’i refuzojë kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.

"Kosova nuk mund të ketë një qasje të tillë absolutisht sovraniste, kur dihet që edhe siguria e vendit ofrohet nga faktori ndërkombëtar. Madje një gjë e tillë është absurd në vetvete. Duke u treguar si një partner i paparashikueshëm dhe problematik, padyshim se sjell pasoja, madje pasoja serioze. Nuk është hera e parë që lidershipi kosovar tregon një qasje të tillë dhe dikur mund të na thuhet “enough is enough” [mjaft është mjaft]. Deklaratat që i kemi parë ditëve të fundit nga zyrtarët e lartë amerikanë, janë tregues që ai durim po humb dhe hapësira manovruese po ngushtohet"- ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova duhet të dijë se siguria rajonale është prioritet kryesor i aleatëve.

"Nuk është e mjaftueshme që rëndësia e partneritetit me ShBA-në të bëhet vetëm deklarativisht, por edhe me vepra. Siguria e rajonit është prioritet i lartë për vendet perëndimore dhe ata do të punojnë që ta arrijnë atë. Kosova duhet të zgjedhë: të jetë partnere aktive në këto përpjekje apo spektatore pasive"- ka thënë ai.

Ibrahimi ka bërë me dije se veprimet e tilla tregojnë se Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale.

"Nëse vendime të tilla janë parë si pengesa drejt arritjes së marrëveshjes, atëherë lind pyetja se a është e interesuar Qeveria e Kosovës të arrijë një marrëveshje? Status quo-ja është interesi i Rusisë dhe arritja e një marrëveshjeje është interes i Perëndimit. Serbia tanimë dihet se nuk është e interesuar për një marrëveshje. Mbetet të shihet se në cilën anë do të rreshtohet Qeveria e Kosovës"- është shprehur ai.

Edhe politologu Avdi Smajljaj ka deklaruar për gazetën Nacionale se Kosova pa aleatët nuk ka kapacitete për ta shtrirë sovranitetin në veri.

"Sovraniteti është i lidhur me kapacitetin. Është më së e qartë se aktualisht mungojnë kapacitetet e shtetit për ta shtrirë sovranitetin edhe në veri. Andaj qasja sovraniste do të duhej që këtë synim fillimisht ta paraprinte me ngritjen e kapaciteteve për sovranitet"- është shprehur Smajljaj, duke shtuar se qasja e Qeverisë në kundërshtim me kërkesat e ndërkombëtarëve mund të sjellë pasoja për Kosovën.

Sipas tij, kritika ndërkombëtare mund t’i legjitimojnë kërkesat e serbëve te veriut.

"Sa u përket pasojave, mendoj se pasoja më e madhe është ajo politike, ku, si zhgënjim i ndërkombëtarëve, kjo mund te kuptohet jashtë vendit se komuniteti serb në Kosovë paska të drejtë me qasjen e vet, duke i krijuar edhe idetë për një qasje ndryshe ndaj komunitetit serb. Pra, kjo e delegjitimon qëndrimin e Qeverisë dhe qasjen ndaj komunitetit serb. Gjë që mund të përdoret pastaj për kërkesa të tjera, siç është asociacioni, për shembull "- ka thënë ai.

Opozita kërkon që të dëgjohet kërkesa amerikane

Përfaqësuesit e opozitës i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të tërhiqet nga vendimi për zbatimin e targave dhe të veprojë sipas kërkesës së ShBA-së dhe BE-së.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se situata po përkeqësohet dita ditës.

"Situata në Kosovë po përkeqësohet nga çasti në çast e kryeministri nuk e ka idenë se çka po ndodh me vendin e tij! Sot i kam kërkuar që urgjentisht të ndërrojë kahje e ta shfuqizojë vendimin e tij për targat e të mos e rrezikojë stabilitetin në vend e në rajon. Kosova ka nevojë për marrëveshje për njohje me Serbinë, e jo për populizma që me to t'i shërojë egot e sëmura Kryeministri"- ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në "Facebook".

Sipas tij, nëse i pari i Qeverisë nuk i dëgjon kërkesat amerikane, ai rrëshqet në tradhti. "Ne nuk e kemi luksin që, për tekat e tij, t’i rrezikojmë ekzistencën e shtetit dhe lirinë e paguar shtrenjtë. Nëse kryeministri nuk ndërron kurs të veprimit dhe nuk harmonizohet me kërkesat amerikane menjëherë, ai sigurt se po rrëshqet në tradhti. Unë s'kam çka i them tjetër, përpos që nuk do të lejohet as ai e askush tjetër që ta rrezikojë të ardhmen e vendit. Prandaj ndalu!"- ka shkruar Haradinaj.

Edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga zbatimi i vendit për targat.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë kryeministri Albin Kurti duhet t`u kërkojë falje partnerëve ndërkombëtarë për këtë veprim.

Ajo që do të ishte mirë për kryeministrin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës, është që ta rishqyrtojnë vendimin e tyre për targat, të mos futen në përplasje me qytetarët serbë. Nuk është ky problemi kryesor. T`u kërkohet falje z. Eckobar, z. Lajçak dhe të gjithë atyre që janë duke e ndihmuar në bisedime për marrëveshjen përfundimtare Kosovë - Serbi dhe t’ua japin mundësinë që të punohet në këtë drejtim”- ka thënë ai.

Duke folur për sjelljet e serbëve në veri, ai ka thënë se Kosova nuk duhet ta përdorë “shkopin” ndaj serbëve të veriut.

"Sigurisht, sepse ti me shkop po dëshiron t’i detyrosh dhe ata të thonë që nuk duan. Çka do me iu bë? Do me i vra? Me i rrehë? Do me i dënu? Po i dënojshe 150 euro. Mirë, ua jep dënimin. A ta paguajnë? A mund t’ua marrësh me zor? A do ta fusësh në burg, nëse nuk e paguan? Ky është një veprim - do ta quaja - me pasoja, kur të fillojë ekzekutimi"- ka vlerësuar Haliti.

ShBA-ja dhe BE-ja, të zhgënjyera me Kosovën

Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.

Vendimi është një hap drejt vendimit të duhur, por nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, gjë që kërkuam nga të dyja palët. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë kërkesa e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, BE-së dhe ShBA-së. Është zhgënjyese të shohësh që nuk është ndjekur”- ka thënë BE-ja në përgjigje për gazetën Nacionale.

Të njëjtin zhgënjim e ka shprehur edhe ShBA-ja.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren.

Policët e rajonit të Mitrovicës së Veriut kanë bërë me dije se nuk do ta zbatojnë këtë vendim. Pas deklarimeve të tilla, institucionet e Kosovës e kanë pezulluar komandantin e stacionit policor të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq.

Kjo e ka nxitur reagimin e Listës Serbe, e cila ka paralajmëruar për mundësinë e largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Lajme të ngjashme