'Gabimi i Lajçakut': BE s'merret me Bislimin, rikonfirmojnë zhgënjimin me vendimim për targat - NACIONALE

'Gabimi i Lajçakut': BE s'merret me Bislimin, rikonfirmojnë zhgënjimin me vendimim për targat

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Përfshirja e emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, e nervozoi zëvendëskryeministrit dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi, i cili konsideroi se krejt kjo ka qenë gabim. Sidoqoftë, Bashkimi Evropian po refuzon që të komentojë deklarata të tilla që drejtojnë gishtin kah i emëruar i Posaçëm i tyre.

Përfshirja e Lajçakut dhe interpretimi që bëri zyra e tij në lidhje me shtyrjen e vendimit për targat, të gjitha këto siç duket e kanë irrituar numrin dy të Qeverisë së Kosovës.

Ky i fundit, të martën në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka folur për kërkesën që zbatimi i vendimit të bëhet për 10 muaj, e që sipas tij, kjo për bazë ka interpretimin e gabuar të zyrës së z.Lajçak.

“Ne, meqë vetëm kemi pasur një periudhë dymujore që e kemi zbatuar, ata kanë kërkuar që kësaj t’i shtohen edhe 10 muaj. Unë mendoj që kjo ka si bazë një interpretim të gabuar të zyrës së Lajçakut mbi implikimet që rrjedhin nga marrëveshja e vitit 2016”, tha ai.

Bislimi s’e la me kaq, pasi që tha se edhe vetë përfshirja e emisarit Lajçak dhe dhënia e rekomandimeve nga ai, ka qenë gabim.

“Prandaj, edhe në këtë kontekst, mendoj që ka qenë gabim involvimi i z.Lajçak dhe dhënia e rekomandimeve nga ana e tij. Jo vetëm që ka qenë gabim, por ndoshta edhe ka prodhuar efekte anësore të gabueshme”, ka thënë Bislimi.

BE s’flet për këto deklarata: Jemi të zhgënjyer për vendimin

Nacionale ka nisur pyetje në email të Bashkimit Evropian, por të njëjtit nuk kanë pranuar që t’i komentojnë deklaratat e Lajçakut.

Megjithatë, të njëjtit kanë ripërsëritur atë që u shpreh edhe në komunikatën e publikuar gjatë së shtunës së kaluar, ku shprehen të zhgënjyer me vendimin e Qeverisë Kurti.

“Vendimi është një hap drejt vendimit të duhur, por nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, gjë që kërkuam nga të dyja palët. Kosova duhet ta lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë kërkesa e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, BE-së dhe SHBA-së. Është zhgënjyese të shohësh që nuk është ndjekur”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, BE u bëri thirrje palëve që të shmangin tensionet dhe çdo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin, sidomos në very të Kosovës.

Vlen të përmendet, se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehen të zhgënjyera për këtë vendim, e madje për rastin u deklarua edhe vetë sekretari amerikan, Antony Blinken.

Ndërkaq, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier gjatë së mërkurës ripërsëriti qëndrimin e shtetit që ai përfaqëson, duke përsëritur kërkesën për zgjatje të afatit të zbatimit të vendimit për targat.

“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”, thuhej në shkrimin e ambasadorit Hovenier.

Çka bëri z.Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javën që lamë pasë konfirmoi një plan për ta shkallëzuar vendimin për targat, i cili ka nisur që të zbatohet nga 1 nëntori.

“Shkallëzimi” i Kurtit ndahet në tri masa, fillimisht qortim tri javë, masë e gjobitjes dy muaj, targa provuese dy muaj dhe nga prilli konfiskim.

Ditën kur komunikoi planin e ri, Kurti para gazetarëve tha se kjo nuk nënkupton që zbatimi i vendimit është shtyrë, por vetëm është shkallëzuar.

“Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit, e kemi shkallëzuar atë, dhe mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë tani. Në javën e parë të nëntorit e kemi Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet me kancelarin Scholz. Por gjithashtu do të kemi edhe takime të tjera të rëndësishme, për pozicionin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale, e cila vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, dhe gjitha këto na kanë bërë të mendojmë që zbatimin e vendimit ta përshkallëzojmë”, tha kryeministri.

Në ditën e parë të hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë Kurti, janë shqiptuar mbi 30 qortime.

Kjo u bë e ditur nga një zyrtar i Policisë për Nacionalen, kur gazetarët po qëndronin në pikën kufitare në Jarinjë për të parë zhvillimet.

Përveç policëve të Kosovës, atje ka pasur edhe vetura të EULEX-it, ndërkaq edhe KFOR-i ka bërë të ditur se qëndron në gatishmëri për të ndërhyrë nëse rrezikohet siguria.

"Në këtë periudhë, gjithashtu, Forca e Kosovës (KFOR) e udhëhequr nga NATO është duke zhvilluar një stërvitje rutinë për një nga njësitë e saj rezervë. Kjo do të rezultojë në një rritje të përkohshme të numrit të trupave në terren. Njësitë janë duke kryer aktivitete stërvitore për të ruajtur nivelin e tyre të lartë të gatishmërisë dhe për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, sipas mandatit të KFOR-it në OKB. Në përfundim të stërvitjes, kontingjenti ushtarak do të niset nga Kosova", thuhej në përgjigjen e KFOR-it për Nacionalen.

Lajme të ngjashme