Targat “përçajnë” jo vetëm Kosovën me ShBA-në, por edhe analistët politikë - NACIONALE

Targat “përçajnë” jo vetëm Kosovën me ShBA-në, por edhe analistët politikë

1 vit më parë

nga Arta Avdiu

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë t'i kërkojnë Qeverisë së Kosovës shtyrjen për 10 muaj të afatit për reciprocitetin e targave. Gjatë ditës së sotme edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë e ka ripërseritur qëndrimin në fjalë, që në fakt është kërkesë personale e sekretarit amerikan Antony Blinken.

Në postimin e Ambasadës amerikane theksohet se SHBA dënon djegien e pronës, e që është përpjkeje për t’i frikësuar serbët që zëvendësojnë targat ilegale.

“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”, ka shkruar Hovenier në Twitter”, shkroi Ambasada e ShBA-së.

Zhgënjimin amerikan kohë më parë e ka theksuar edhe Departamenti i Shtetit të SHBA-së, që është qendra më e rëndësishme diplomatike amerikane. Ned Price, zëdhënës i DASj-it u shpreh i shqetësuar që Qeveria e Kosovës nuk ka shtyrë plotësisht zbatimin e vendimit për targa.

Analistët e njohësit e politikës janë të ndarë në lidhje me këtë kërkesë të ripërseritur të SHBA-ve.

As sovranitet, as aleancë

Filozofi Sead Zimeri mendon se kryeministri Albin Kurti duhet ta mbrojë sovranitetin e shtetit përkundër kërkeses së ShBA-ve.

Në një prononcim nga Norvegjia për gazetën Nacionale, Zimeri deklaroi se nëse edhe një ligj për targa nuk mund të kalojë pa e kontestuar SHBA, atëherë çfarë kuptimi i mbetet sovranitetit të shtetit.

Kryeministri duhet të kujdeset për sovranitetin e shtetit. Shtrohet pyetja sa janë të ligjshme kërkesat e tyre? Besoj që Kurti duhet të bëjë llogarite e tij por nëse edhe një ligj për targa nuk kalon pa e kontestu Amerika atëherë nuk e di çfarë kuptimi mbetet për sovranitetin e shtetit”, tha Zimeri.

Tutje, Zimeri shpjegon mendimin e tij se pse kërkesa e ShBA cenon sovranitetin e shtetit dhe arsyen se pse Kryeministri Kurti po insiston që reciprociteti për targa të zbatohet.

Por është edhe problemi tjetër, me i madh në fakt, që Amerika përmes lojës se saj po e dëmton sovranitetin e Kosovës, po e cenon atë botërisht duke e bërë kështu Kosovën pa asnjë peshë si shtet. Ky është lajm i mirë për Serbinë sepse ata e kuptojnë që kur Amerika de facto nuk e njeh sovranitetin e saj atëherë Serbia nuk ka asnjë arsye pse të brengoset. Ky është një zhvillim shqetësues për mua. Çon ujē në mullirin e Serbisë. Besoj që çdo kryeminister i pakorruptuar e kupton këtë”, shtoi ai.

Ndërsa, politologu Shkodran Ramadani mendon se Qeveria e Kosoves nuk është duke e zbatuar vendimin e saj për targat.

Ramadani i tha Nacionales se Qeveria e Kosovës është dorëzuar përballë kërcënimeve të Serbisë, duke theksuar se në veri po qarkullojne targat ilegale.

Përkundër përshtypjes së krijuar, Qeveria e Kosovës nuk është duke e zbatuar zotimin e paralajmëruar për targat. Ashtu qysh kanë bërë deri tash, serbët e veriut janë duke lëvizur me të njëjtat targa. Qeveria e Kosovës është dorëzuar kundrejt kërcënimeve të Serbisë. Djegia e veturave në veri duket se ka qenë një kërcënim shumë i rëndë dhe i papërballueshëm për qeverinë. Për rrjedhojë, Serbia ia arriti të ruajë targat e deritanishme në veri të Kosovës. Në vend të konfiskimit të targave, Qeveria tash jep vetëm qortime” shtoi Ramadani.

Tutje Ramadani tha se Qeveria e Kosoves as nuk po ua merr targat ilegale dhe po i dëmton raportet me ndërkombëtaret.

“Tash është tjetër gjë që ShBA-së dhe BE-së nuk i pëlqen as qortimi. Mirëpo kjo në asnjë matematikë nuk do të thotë se Qeveria është duke e zbatuar vendimin për konfiskimin e targave të paligjshme, për të cilin është zotuar se do ta implementojë një herë prej 1 shtatorit e pastaj edhe prej 1 nëntorit. Për këtë arsye, me këtë vendim, Qeveria e Kosovës as nuk ua merr targat serbëve, as nuk i ruan raportet më të mira ndërkombëtarët.”, tha Ramadani, që vlerësoi se zbatimi i pjesshëm i vendimit dëmton imazhin e Policisë së Kosovës.

Ndonëse ShBA në pothuaj çdo ditë po kërkon që afati për vendimin e reciprocitetit për targa të shtyhet, zyrtarët më të lartë të shtetit, presidentja e vendit,Vjosa Osmani dhe Kryeministri, Albin Kurti nuk kanë ndonjë reagim në lidhje me këtë kërkesë.

Por të heshtur nuk kanë qëndruar dy vartësit e Kurtit, njëri në Qeveri e tjetri në parti, të cilët më një gjuhë të ashpër u deklaruan në lidhje me targat.

Zëvëndëskryeministri i parë, Besnik Bislmi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, theksoi se plani i shkallëzuar erdhi si korrigjim ndaj Mirosllav Lajçakut, i dërguar posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi.

Kërkesa për shtyrje për 10 muaj ka ardhur si një lloj korrigjimi i kërkesës së Mirosllav Lajçakut (të dërguarit të BE-së për dialogun) që implementimi të bëhet për 12 muaj. Prandaj, edhe në këtë kontekst, mendoj që ka qenë gabim involvimi i z. Lajçak dhe dhënia e rekomandimeve nga ana e tij. Jo vetëm që ka qenë gabim, por ndoshta edhe ka prodhuar efekte anësore të gabueshme”, tha Bislimi.

Ndërsa, deputetja Fitore Pacolli tha se Kosova do të veprojë si shtet i pavarur.

Mund të shqetësohen, kanë të drejtë, por shteti i Kosovës ka treguar se do të veprojë si shtet i pavarur dhe do të vendosë rend dhe rregull në secilën pjesë të vendit. Ne nuk themi se nuk kemi nevojë për partnerët ndërkombëtarë, nuk themi se do t'i rrezikojmë marrëdhëniet për pikë të qefit. Jo (nuk rrezikon marrëdhëniet). Nuk ka gjasa, për shkak se ne i respektojmë deri në pikën e fundit të drejtat e njeriut. Kështu që të vazhdojmë tutje me vendimet tona, është vendim i ligjshëm”, tha deputetja Pacolli.

Ndryshe, nga dje Policia e Kosovës, duke u bazuar në vendimin qeveritar për zbatim të shkallëzuar të ndalimit të targave, ka filluar me qortime për secilin vozitës që ka veturë me targa ilegale serbe.

Lajme të ngjashme