Intervistë | Maliqi: Nëse shkojmë drejt autonomisë, serbëve duhet t`u hiqet veto në Kuvend - NACIONALE

Intervistë | Maliqi: Nëse shkojmë drejt autonomisë, serbëve duhet t`u hiqet veto në Kuvend

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Politologu Agon Maliqi nuk e ka përjashtuar mundësinë që në fund të bisedimeve për statutin e Asociacionit të shtrohet nevoja për ndryshime kushtetuese në Kosovës.

Ai ka bërë me dije se nëse kjo çështje hapet, Kosova duhet të shqyrtojë mundësinë e heqjes së një pjesë të të drejtave për serbët që burojnë nga pakoja e Ahtisarit.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Maliqi ka thënë se serbët nuk mund të kenë autonomi territoriale dhe të drejtën e vetos në nivelin qendror.

Ai ka vlerësuar se vetëm në këtë mënyrë do të ruhej funksionaliteti i Republikës së Kosovës.

Duke i komentuar dakordimet e Ohrit, ai ka vlerësuar se problemi qëndron te fakti se dokumenti e ndërton një kornizë vështirë të zbatueshme, për shkak të gjuhës shumë të përgjithshme.

Sa i përket vetëmenaxhimit, ai ka thënë se ky term i referohet Asociacionit.

Nacionale: Z. Maliqi, kryeministri Kurti i ka thënë “po” edhe Aneksit të Marrëveshjes bazë në Ohër. Cili është vlerësimi i juaj për këtë dokument?
Maliqi: U bë mirë që marrëveshja u arrit. Por një marrëveshje më e mirë mund të nxirrej nëse Kosova nuk do të humbte kohë dhe kapital politik në perëndim gjatë vitit të kaluar, duke rënë në grackat e njëpasnjëshme të Serbisë në veri, duke e ndërtuar një imazh të palës problematike dhe duke e hequr presionin prej Vuçiqit. Përkundër kësaj, Kosova do të humbte më shumë nëse nga Ohri do të dilte si pala që e refuzoi marrëveshjen, kështu që Kurti bëri mirë që e pranoi. Megjithatë, problemi qëndron te fakti se dokumenti e ndërton një kornizë vështirë të zbatueshme, për shkak të gjuhës shumë të përgjithshme dhe faktit se, duke qenë dokument i pa nënshkruar mes palëve, është marrëveshje që garantohet nga BE me instrument të vetëm kushtëzues rrugën integruese të Serbisë. Pra, zbatimi i marrëveshjes varet nga ajo se sa shpejt Serbia dëshiron të ecën përpara drejt BE dhe sa shpejt BE është në gatishmëri ta pranojë atë. Kjo nuk i jep Kosovës kurrëfarë garancie se Serbia do ta zbatojë atë, siç edhe po shihet në ditët e para pas marrëveshjes.

Nacionale: Kush mendoni se janë pikat më problematike të këtij dokumenti?
Maliqi: Së pari, nuk shoh mekanizma të mjaftueshëm në dispozicion në perëndim për t’i nxitur dhe as ndëshkuar palët për t’i zbatuar pikat e marrëveshjes. Së dyti, mungesa e nënshkrimit nga ana e Serbisë mund të jetë problematike në përdorimin që do t’i bënte Kosova këtij dokumenti për t’i siguruar njohjet nga pesë vendet e BE-së. Ekspertët ligjorë dhe ndërmjetësuesit po thonë se marrëveshja është detyruese edhe pa nënshkrim, por nuk është e sigurt se kështu do ta lexojë psh. Spanja. Pa sigurimin e këtyre njohjeve dhe hapjen e rrugës për në NATO, zbatimi i marrëveshjes është vështirë i vlefshëm dhe i dobishëm për Kosovën. Së treti, dokumenti është tepër i përgjithshëm dhe lë hapësirë për shumë interpretime, veçanërisht në kuptimin e radhitjes së hapave.

Nacionale: Si më shqetësuese po shihet termi vetëmenaxhim për serbët lokalë dhe formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe. Sa problematike do të jenë këto për Kosovën?
Maliqi: Mendoj se vetëmenaxhimi i referohet thjesht Asociacionit, ndërsa ky i fundit është tashmë i përkufizuar nga marrëveshjet paraprake, nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe nga garancitë publike të aleatëve se nuk po kërkohet trup me kompetenca ekzekutive. Mendoj se asociacioni, për shkak të politikës sonë të brendshme, është kthyer në gogol më të madh se që duhet dhe se Kosova ka hapësirë manovruese për ta bërë atë të pranueshëm. Problemi qëndron te mundësia që Kosova ta bëjë asociacionin dhe prapë të mos e zgjidh problemin e saj kryesor: dhe ai është bllokimi ndërkombëtar. Në këtë kontekst problemin më të madh nuk e shoh te asociacioni apo te çështja e kishës sa e shoh të mundësia që edhe me këto kompromise Kosova akoma të lejë çështje të hapura për më vonë.

Nacionale: Opozita dhe njohësit e Kushtetutës së Kosovës po e vlerësojnë Planin e BE-së dhe Aneksin si jo kushtetues. Sipas tyre, marrëveshja ofron një autonomi territoriale për serbët në Kosovë. Si i ke parë këto reagime?
Maliqi: Mendoj se është herët që të flasim për këtë pjesë ndërkohë që akoma nuk kemi parë ndonjë draft statut. Nuk përjashtohet mundësia që në fund pas negociatave të ketë nevojë për ndryshime të kushtetuese. Çështja është se kjo ia hap mundësinë Kosovës që ndryshimin eventual të formës së rregullimit të të drejtave të serbëve përmes autonomisë territoriale të kërkojë edhe heqjen e një pjese të të drejtave që burojnë nga pakoja e Ahtisarit. Ky së paku do të duhej të ishte pozicioni negociues i Kosovës: pra, nëse shkojmë drejt segregimit territorial, atëherë nuk mund të ketë edhe të drejta të vetos në nivelin qendror. Kjo është forma e vetme që të sigurohet funksionaliteti i shtetit.

Nacionale: Pavarësisht pranimit të dy dokumenteve, Kurti po insiston në nënshkrimin e këtyre dokumenteve. Pse mendoni se po e bën një gjë të tillë?
Maliqi: Besoj se është një kërkesë e drejtë. Mungesa e nënshkrimit është një lëshim që i është bërë Serbisë nga ndërmjetësuesit. Disa argumentojnë se kjo mund të jetë bërë për t’i dhënë hapësirë Vuçiqit për ta zbatuar marrëveshjen dhe të mos ketë nevojë për ratifikim paraprak në Kuvend para zbatimit, duke rrezikuar që gjithçka të ngecte. Të tjerë insistojnë se marrëveshja është ligjërisht detyruese edhe pa nënshkrim. Problemi për Kosovën është se na duhet një dokument divorci me Serbinë për t’i siguruar njohjet e tjera dhe e kam përshtypjen vetëm një dokument apo traktat ndërkombëtar i nënshkruar e përmbush këtë funksion.

Nacionale: Kryeministri Kurti po vazhdon ta mohojë se e ka pranuar Asociacionin. Madje, ai po thotë se nuk duhet ngatërruar komunitetin me komunat. Mendoni se do të kemi Asociacion?
Maliqi: Me marrëveshjet e deritashme ka Asociacion. Çështja që duhet pasur parasysh është se ndërmjetësuesit nuk po kërkojnë që Kosova ta themelojë asociacionin, por që në këtë fazë vetëm t’i nis diskutimet për të. Mendoj se asociacioni do të duhej të formohej dhe do të formohet vetëm nëse Kosova i korr edhe përfitimet dhe edhe Serbia i përmbush pjesët e saja të detyrimeve. Kështu që nëse marrëveshja dështon, atëherë mund edhe të mos shkohet drejt themelimit të asociacionit por gjithçka të mbetet në pikën e diskutimeve mbi modelet e tij.

Nacionale: Qeveria Kurti tashmë ka mbushur dy vite. Cili është vlerësimi i juaj për këtë qeverise. A i ka përmbushur pritjet tuaja?
Nacionale: Personalisht pritjet i kam pasur shumë të vogla dhe si të tilla këto pritje më janë përmbushur. Problem dhe zhgënjim mund të kenë vetëm ata që u kanë besuar iluzioneve të cilat i ndërtuan Kurti dhe Osmani. Në këto dy vite, përkundër ndonjë arritjeje të vogël, ka dal sheshit në dimensionin e brendshëm mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe ideve, ndërsa në rrafshin ndërkombëtar botëkuptimet e ngurta dhe keqleximi i dinamikave gjeopolitike, që ka çuar edhe në acarim të panevojshëm raportesh më aleatë në një moment shumë të favorshëm gjeopolitik nga lufta në Ukrainë. Qeveria duket se këto dy vite është vetëmjaftuar me imazhin e ndryshimit dhe me shitjen e stories moralizuese se “ne nuk jemi ata të tjerët”, e bindur se kaq mjafton që gjërat të lëvizin pozitivisht. Tani edhe këtij imazhi ka filluar t’i dalë ngjyra teksa njerëzit në jetën e përditshme nuk shohin ndryshime përmbajtjesore dhe ekonomia përballet me tatëpjetë.

Lajme të ngjashme