Intervistë | Maliqi: Duhet të përfundojë politika populiste e Kurtit, vendin e ka sjellë në krizë të thellë - NACIONALE

Intervistë | Maliqi: Duhet të përfundojë politika populiste e Kurtit, vendin e ka sjellë në krizë të thellë

4 javë më parë

nga Muhamet Koci

Analisti Shkëlzen Maliqi pret që të ndalet popullzimi i Qeverisë Kurti. Ai ka kërkuar që kjo të bëhet me dorëheqje ose me zgjedhje të reja. Me veprime të pakoordinuara në veri, sipas tij, Qeveria i ka sjellë dëme të mëdha Kosovës.

Analisti Shkëlzen Maliqi mendon se Qeveria Kurti e ka futur Kosovën në një krizë të thellë me aleatët.

Ai ka bërë me dije se kjo ka ndodhur për shkak të veprimeve populiste dhe të pakoordinuara në veri.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale për 3-vjetorin e Qeverisë Kurti, Maliqi ka thënë se duhen veprime të ngutshme riparuese për të shmangur më të keqen.

Ndryshimi i kësaj gjendje, sipas Maliqit, mund të bëhet me dorëheqje ose zgjedhje të parakohshme.

Ai e ka ftuar edhe opozitën që të jetë më largpamëse në këtë drejtim.

Partitë opozitare, ka thënë ai, duhet të kenë shkallë më të lartë të mobilizimit racional.

Nacionale: Z. Maliqi, Qeveria Kurti ka mbushur tre vjet qeverisje. Cili është vlerësimi i juaj për këtë qeverisje?
Maliqi: Qeveria Kurti erdhi në pushtet me votën e shumicës së elektoratit si qeveri e shpresës, me mandat për të qeverisur ndryshe nga qeveritë paraendëse. Nuk duhet harruar se kjo qeveri është amallgam popullist, si koalicion i Vetëvendosjes si lëvizje që vetëpërcaktohet si e majtë me gjysmën e ish votuesëve që e lanë LDK-në, e që si parti reshtohen në spektrin e të djathtës politike. Tani, që hyri në vitin e fundit të mandatit, që edhe mund të shkurtohet (asnjë qeveri e Kosovës së pavarur nuk arriti të qeverisë deri në fund të mandatit, edhe kjo me gjasa nuk do të jetë përjashtim). Për të dhënë një vlerësim sado objektiv të punës trevjeçare, që nuk mund të bëhet në saje të përshtypjeve por kërkon analiza të gjithanshme, unë do të nisesha nga disa minuse të mëdha që kjo qeveri i ka prodhuar në raportet me faktorët relevantë ndërkombëtarë, si dhe në raportet ndërshqiptare dhe politikat e brendshme. Për politikat e saja të pamatura mirë dhe të pakoordinuara me vendet aleate, të cilat edhe kjo qeveri shpesh i cilëson si partnere të pashmangshme strategjike, Qeveria Kurti është ndëshkuar prej kohësh me sankcione serioze financiare, nuk po i jepen porcionet e ndihmave për zhvillim që BE dhe SHBA-të ua ndajnë vendeve të Ballkanit Perëndimor, për arsye se ajo, me masat që i ka ndërmarrë krye në veti, i ka kontribuar përshkallëzimit të krizave të sigurisë në veri të Kosovës. Pas vërejtjeve të parreshtura mbi domosdonë e koordinimit me aleatët, Shtetet e Bashkuara së voni edhe botërisht shpallën se marrëdhëniet me Qeverinë Kurti do të mbahen në nivelet më të ulëta të komunikimit, gjë çka edhe po ndodh, ndonëse kjo porosi tejet dëshpëruese shoqërohej me zotimin se me këtë masë nuk sankcionohet edhe populli i Kosovës.

Këto janë, pa hyrë në detaje tjera, dëshmi kapitale të një krizës së thellë që kërkon veprime të ngutshme riparuese.

Nacionale: Qeveria Kurti kishte ardhur në pushtet me premtime të mëdha për të gjitha fushat e qeverisjes. Ku mendoni se ka lënë gjurmë më të madhe kjo qeveri?
Maliqi: Gjurmet më të mëdha të qeverisë shihen në baltën e ngecjeve që ka shkaktuar në sektoret vitale të shtetndërtimit, që ëshë proces i ngadalshëm, dhe nuk bëhet si duhet kur qasja është përmbysese, me devizën çka kanë bërë pushtetet e mëparshme është e mbrapshtë dhe duhet të prishet, i shkulim strukturat e tyre dhe i sjellim në pushtet kuadrot tona. Kjo ka sjell rrënime pa pasur kapacitete të mjaftueshme dhe të kualifikuara për rindërtim. Një shembull për këtë është “strategjia” Ministrisë së Jashtme, që pothuajse e ka paralizuar këtë shërbim të rëndësishëm, duke larguar edhe para skadimit të mandatit të tyre diplomat të aftë, për t`i lënë ambasadat kyçe shumë kohë pa zëvendësime, ose dërguar kuadro partiake pa përvojë dhe kualifikime. Kështu ka ndodhur edhe me bordet e institucioneve publike, me urgjencë kapeshin postet e rëndësishme me kritere partiake dhe jo profesionale, ashtu siç kanë bërë edhe pushtetet e mëhershme. Intencat e mira dhe bindja se qeveria e re me vetë frymën e saj sjell ndryshimin, nuk mund të japin rezultat me improvizime dhe shpesh shkelje të procedurave dhe ligjeve.

Sigurisht se ka edhe gjurmë pozitive të disa ministri. E kam përcjellur më afër punën e Ministrisë së Kultuirës, Rinisë dhe Sportit, dhe mendoj se aty janë bërë punë serioze të avancimit të përgjithshëm, rritjen meritore të buxhetit, planifikimet, ngritjen e kapaciteve, investimet infrastrukturore dhe kapitale. Për ministritë tjera nuk mund të flas, sepse nuk kam evidenca dhe ekspertizë të mjaftueshme

Nacionale: Në aspektin e brendshëm vërehet mungesa e investimeve kapitale dhe zvarritja e shumë reformave të premtuara. Ka mundur te bëhet më shumë?
Maliqi: Me qasjen që e ka Qeveria Kurti për zhvillimin ekonomik, ku në qendër e ka vënë krijimin e fondit sovran, si një koncept që nuk po arsyetohet qartë si dhe me qëndrimet e ideologjizuar mbi karakterin e ekonomsë private dhe të asaj publike, Qeveria po e pengon strukturimin dinamik të ekonomisë së Kosovës, me çka po destimulohet dhe po largohet kapitali investues vendor. Është p.sh. brengosës trendi që firmat e mëdha private po bartin selinë e tyre jashtë Kosovës, jo vetëm për tu zgjëruar vëllimin e prodhimit dhe zgjërimin e tregut, por sepse në vendet fqinje dhe gjetiu janë kushtet më të volitshme për investime dhe profite. Po kështu, Kosova nuk po konsiderohet si vend i përshtatshëm për investime as nga kapitali i huaj. Po mbetemi vetëm me investime spekulative dhe të interesave të dyshimta nga disa shtetet që duan ta shtojnë influencën dhe dominimin strategjik të tyre mbi Kosovën.

Nacionale: Pjesën më të madhe të kohës Qeveria Kurti është marrë me veriun. Duke filluar me targat, zgjedhjet, dinarin, veprime këto që nxiten kriza të ndryshme. E përmendet më herët se për këto kriza të sigurisë Qeveria, por rrjedhimisht edhe Kosova, u morën masa të sankcionit nga BE-së, SHBA-së, madje edhe NATO anulojë ftesën FSK-së për manovra në rajon. Pse mendoni se kryeministri Kurti e kishte në fokus veriun?
Maliqi: Veriu u bë fokus sepse Kryeminstri Kurti aty gjeti poligon për të ndalur hovin diplomatik të Perendimit për të përfunduar sa më parë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, kur pas hezitimve e detyruan që të takohet me Vuçiqin dhe vazhdojë dialogu, Kurti kuptoi se ankthin se do të detyrohet të krijojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mund ta zvogëlojë duke nisur, brenda nevojës për jetësimin e shtetit ligjor, zbatimin e disa nga marrëveshjet e nënshkruara për të cilat serbët do të reagojnë me ndjeshmëri simbolike më të madhe: kështu targat, kartat e identitetit, qarkullimi i dinarit vërtetë hasën në kundërshtime të Beogradit dhe strukturave paralele serbe në veri, u kthyen barikadat, konfliktet me policinë dhe njësitet e KFOR-it, shkaktoheshin njëra pas tjetrës krizat e sigurisë. Perëndimi nuk e kontestonte të drejtën për këto rregulla dhe masa, por i këkonte kohë Kurtit dhe të bëhen në koordinim që të mos nxiten konflikte të armatosura.

Nacionale: Pra, këto veprime të pakoordinuara në veri sollën kritikat dhe sanksionet e aleatëve ndaj Kosovës. Në këtë mënyrë çështje e dialogut u bë prioritet kryesor i Qeverisë. Cili është mendimi i juaj për qasjen e kësaj qeveria ndaj dialogut?
Maliqi: Kurti fillimisht thoshte se dialogu nuk është prioritet i qeverisë së tij, ngase tërë karriera e tij politike është ndërtuar mbi premisën “Jo negociata, Vetëvendosje!” Kështu që, gjithçka që më parë ishte dakorduar në dialog, gjithë marrëveshjet e arritura, vendosmërisht kundërshtoheshin nga ai. Kurti kërkonte ndryshim rrënjësor të dialogut, të kthehet në negociata normalizimi të raporteve mes dy shteteve të barabarta, e jo që Serbia të trajtohet si subjekt me shtetësi, kurse Kosova një shkallë më poshtë, si subjekt i cili është në kërkim të njohjes të shtetësisë. Kjo nuk u pranua, Serbia nuk bindej të merrte pjesë në dialogun ku kërkohej ta njihte paraprakisht çështjen për të cilën po zhvillohej dialogut. Nuk do të duhej fare dijalogu nëse Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës, por ai zhvillohet si metë që Serbia të pajtohet me modalitetet de fakto ose de jure të heqjes dorë nga Kosova, ku ofrohej garancija shtesë e krijimit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe. Asociacioni ka qenë kundërshtia më ekstreme e Kurtit dhe Vetëvendosjes, tema që e ka rritë politikisht dhe i solli në pushtet. Prandaj, për Kurtin futja në dialog ka qenë një si kurth që rrëzonte tërë politikën e tij. Ai nuk e donte Asociacionin, por me kundërshtim e ndihmonte edhe Aleksandar Vuçiqin, e cili po kështu në pazarin e ij, Asociacionin e shihte si kompensim të vogël, pasi që preferohej, si kompenzim bashkimi i Serbisë me Republikën Setbska, ose këmbinin e dështuar e Veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës. Sulmi i planifikuar në Banjska që dështojë ka qenë me gjasa përpjekja e fundit, që përmes rebelimit të armatosur edhe nga ana e Serbisë të kërkohet më shumë se asociaconi. Por, për ne pasoja e këtyre obstrukcioneve dhe prolongimeve të normalizimit ka qenë krisja serioze e raporteve me aleatët perëndimorë.

Nacionale: Së fundi, edhe emisari Escobar e pranoi se kryeministri Kurti ka probleme komunikimi me SHBA-të dhe gjithë aleatët tjerë. Çka flet kjo për këtë qeveri?
Maliqi: Flet për atë se Kurti me taktikat e tij dhe ambicjen megalomane që ShBA-ve dhe BE-së të ua jap leksione gjeostrategjike në esencë miope, e ka sjell Kosovën në një stad shumë kritik të rrezikimit të partneritetit strategjik nga i cilli mvaret ardhmëria e Kosovës. Kush po e mbron aktualisht Kosovën, dhe kush do të na mbrojë më tutje?!

Nacionale: Po në këtë vitin e fundit të qeverisjes, keni ndonjë pritje?
Maliqi: Pres që të përfundoj kjo politikë populliste e fodullëkut fëmijaç. Dorëheqje ose zgjedhjet, ku edhe partitë opozitare duhet të tregohen më largëpamse dhe shkallën më të lartë të mobilizimit racional.

Lajme të ngjashme