"Rritja reale e BPV-së ra për shkak të eksporteve", raporti i Bankës Botërore sfidon narrativën e Kurtit - NACIONALE

"Rritja reale e BPV-së ra për shkak të eksporteve", raporti i Bankës Botërore sfidon narrativën e Kurtit

2 javë më parë

nga Flakon Demaku

Në raportin e fundit nga Banka Botërore, peizazhi ekonomik i Kosovës, përveç parashikimit për një rritje mjaft të moderuar - me ritme rritjeje potencialisht 3.7 për qind dhe 3.9 për qind - rezulton plot sfida dhe rreziqe në vazhdën e tensioneve gjeopolitike në Ballkan, përkatësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të kryeministrit Kurti për konflikt të afërt me Serbinë; deklarata të cilat, sipas ekspertëve të ekonomisë, po kontribuojnë në krijimin e një imazhi negativ për investitorët e mundshëm.

I titulluar "Çlirimi i fuqisë së sektorit privat", raporti identifikon fushat ku Kosova dështon dhe sugjeron ndërhyrje politike për të nxitur krijimin e vendeve të punës dhe për të rritur produktivitetin e sektorit privat.

Ndonëse retortika e çuditshme e kryeministrit Kurti për rritje të eksporteve vazhdon, raporti i Bankës Botërore flet për rritjen reale të BPV-së që është moderuar në rreth 3.1 për qind në vitin 2023, kryesisht, për shkak të performancës së dobët në eksporte.

“Në vitin 2023, rritja reale e BPV-së u moderua në rreth 3.1 për qind, kryesisht për shkak të një kontributi më të ulët të eksporteve.” – thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Banka Botërore vë në dukje ndikimin pozitiv të çmimeve të stabilizuara globale të ushqimeve dhe energjisë në inflacionin e vendit, megjithëse nuk specifikon ndonjë politikë të veçantë të qeverisë që mund të ketë ndikuar në këtë prirje.

Pavarësisht përpjekjeve për të kaluar drejt një modeli rritjeje të drejtuar nga eksporti, në raport thuhet se sfidat vazhdojnë, me vetëm 39 për qind të popullsisë në moshë pune që merr pjesë aktive në tregun e punës, një shifër edhe më e ulët për gratë me 22 për qind.

“Vetëm 39 për qind e popullsisë në moshë pune ishte aktive në tregun e punës (22 për qind për gratë) gjatë vitit 2022”, nënvizon raporti.

Raporti gjithashtu mbi rezultatet e vonuara të kapitalit njerëzor të Kosovës dhe zvogëlimin e popullsisë në moshë pune, që i atribuohet kryesisht migrimit të jashtëm duke paralajmëruar ndikime negative.

"Një rritje e mëtejshme e migrimit të jashtëm mund të ndikojë negativisht në ofertën dhe koston e punës", thuhet në raport.

Kjo prirje jo vetëm që përkeqëson sfidat demografike, por gjithashtu kërcënon të pengojë rritjen dhe zhvillimin ekonomik në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, vlerësohet në raportin “Çlirimi i fuqisë së sektorit privat” të Bankës Botërore.

Lajme të ngjashme