Intervistë | Murati: Plani i BE-së e fuqizon sovranitetin e jashtëm të Kosovës, por e dobëson atë të brendshmin - NACIONALE

Intervistë | Murati: Plani i BE-së e fuqizon sovranitetin e jashtëm të Kosovës, por e dobëson atë të brendshmin

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

I pari i LB-së, Valon Murati, ka shprehur shqetësimet e tij për Planin e BE-së. Ai ka bërë me dije se ky dokument do ta bëj Kosovën shtet jo funksional në aspektin e brendshme. Sipas tij, privilegjet kushtetuese të serbëve, asociacioni dhe status i Kishës Ortodokse Serbe do të jenë barrë e rëndë për Kosovën.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, është shprehur skeptik për planin e BE-së. Ai ka vlerësuar se të dy shtetet kanë rezerva të mëdha për dokumentin.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Murati ka treguar arsyet se pse Kosova dhe Serbia në fund mund ta refuzojnë planin e zbatimit.

Ai ka theksuar se Serbia mund të mos e pranoj këtë marrëveshje për shkak të fuqizimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës që i bën kjo marrëveshje.

Kurse, sipas tij, Kosova mund ta refuzon planin për shkak të Asociacionit.

Murati ka bërë me dije se për Albin Kurtin do të jetë shumë vështirë pranin i Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbia në Kosovës, të cilin e kundërshtuar për një dekadë.

Nëse pranohet themelimi i Asociacionit, ka thënë Murati, Kurti do t`i shkel të gjitha parime e proklamuara për dialogun me Serbinë.

Nacionale: Z. Murati, kryeministri Albin Kurti e ka pranuar Planin e BE-së. Si e keni parë pranimin e këtij plani nga kryeministri Kurti?
Murati: Fatkeqësisht, kryeministri Kurti, ka vazhduar me qasjen e njëjtë të bisedimeve me Serbinë të cilën e kanë pasur paraardhësit e tij. Në këto bisedime kryesisht është biseduar vetëm për Kosovën dhe pozitën e serbëve në Kosovë. Ka pasur një ndryshim të shkurtër të kursit, kur në vitin 2018 ish presidenti Thaçi hapi projektin e ripërcaktimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, projekt i cili u kundërshtua nga shumica e partive politike në Kosovë, besoj unë vetëm për interesat e tyre të ngushta elektorale. Andaj kur bisedohet vetëm për Kosovën dhe serbët në Kosovë, e jo edhe për Serbinë dhe shqiptarët që jetojnë në Kosovën Lindore, sigurisht që dy janë mundësitë: ose bën kompromis pas kompromisi, ose futesh në kursin e konfrontimeve me ndërkombëtarët. Kështu që kryeministri i cili është ngritur në politikë me refuzimin e bisedimeve dhe zgjidhjeve që kanë sjellë ato, përfshirë asociacionit, për shkak të rrugës së zgjedhur po shkon drejt të njëjtave zgjidhje. Për më tepër në këtë dokumentin e marrëveshjes askund nuk përmenden shqiptarët në Kosovën Lindore e as mundësia e zgjidhjeve të njëjta për të dy popujt.

Në anën tjetër pranimin e këtij plani kryeministri Kurti ka muaj që e ka paralajmëruar, ndonëse fillimisht vetëm si bazë e mirë për diskutim, por kohëve të fundit ishte çdo herë e më e qartë se ai po shkonte drejt pranimit të këtij dokumenti. Vetë e ka theksuar kohëve të fundit disa herë se ky plan më nuk do të diskutohet por iu është ofruar palëve si “merre ose leje”. Sidoqoftë besoj se që nga fillimi çështja më delikate për kryeministrin Kurti është pranimi ose jo i udhërrëfyesit për implementimin e marrëveshjes. Përkatësisht se cili do të jetë qëndrimi i kryeministrit sa i përket implementimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas të gjitha gjasave kjo pjesë vazhdon të jetë problematike sa i përket tërësisë së marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nacionale: Publikimi i planit ka nxitur reagime të shumta. Cila mendoni se është pika me problematike e këtij dokumenti?
Murati: Që nga shtatori kur kanë dal variantet e para të Planit Franko-Gjerman, e të cilat nuk është se kanë ndryshuar thelbësisht, apo jo së paku në frymë, e deri në këtë marrëveshjen zyrtare të publikuar nga BE-ja, ka qenë e qartë se marrëveshja përmban dy komponentë kryesor, njëri për të akomoduar kërkesat e Kosovës, dhe tjetri ato të Serbisë. Komponenti që akomodon interesat e Kosovës, është forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës, përkatësisht fuqizimi i sovranitetit të saj të jashtëm dhe mundësia që Kosova të bëhet pjesë e një numri të rëndësishëm të organizatave ndërkombëtare. Në anën tjetër, akomodimi i interesave të Serbisë, ka të bëjë me institucionalizimin e asociacionit si një mekanizëm i rritjes së autonomisë së serbëve brenda Kosovës. Sigurisht bashkë me këtë të fundit, është akomoduar edhe kërkesa e Serbisë që të mos ketë njohje de jure të Kosovës dhe sipas frymës së dokumentit të prezantuar kjo duket se do të jetë pjesë e një marrëveshjeje të ardhshme përfundimtare. Pra jemi duke folur tani për një marrëveshje jo përfundimtare. Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm si shoqëri. Rrjedhimisht, me këtë marrëveshje Kosovës i fuqizohet sovraniteti i saj i jashtëm, por i dobësohet ai i brendshmi. Dhe kjo është shumë problematike, sepse nuk e zgjidh problemin, por e lë atë gjallë dhe krijon një status quo të re. Po ashtu me këtë marrëveshje nuk trajtohet fare çështja e Kosovës Lindore dhe e shqiptarëve atje dhe as nuk sigurohet njohja de jure e Serbisë. E përmes asociacionit mundësohet ndërhyrja e Serbisë duke shfrytëzuar atë si mekanizëm për ta defunksionalizuar Kosovën dhe për të shtuar kërkesat në një marrëveshje tjetër finale. Nëse realizohet marrëveshja, për çka unë vazhdoj të jam skeptik, do të ketë tek ne një entuziazëm fillestar (me fillimin e procedurave për pranim në Këshill të Evropës, në ndonjë organizatë tjetër, apo edhe me heqjen e vizave), por i cili shumë shpejt do të përcillet me zhgënjim për shkak të problemeve që do të na dalin në raport me mënyrën sesi do të funksionojë asociacioni i komunave me shumicë serbe. Sidoqoftë, kjo është nëse nënshkruhet, realizohet e implementohet marrëveshja. Kjo e ka një NËSE të madhe sepse personalisht vazhdoj të konsideroj se Serbia, përkatësisht Vuçiqi e ka goxha të vështirë pranimin e planit, i cili vërtet e avancon pozitën ndërkombëtare të Kosovës, e sidomos jo pa zbatimin e asociacionit, ndërsa Kosova, përkatësisht kryeministri Kurti e ka të vështirë pranimin e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nacionale: Kritikat kryesore janë për piken 7. Sa e rrezikshme është kjo pikë për Kosovën?
Murati: Tash kjo pikë varet shumë nga plani i implementimit. Në dokumentin i cili doli para disa ditësh, del se pika 7 dhe koncepti i vetëmenaxhimit të komunitetit serb lidhet me formimin e asociacionit. Por nëse jo, atëherë kjo do të mund të na shkaktonte edhe më shumë telashe për shkak të paqartësive konceptuale që do të nënkuptonte ky nen. Aty përmenden edhe përvojat evropiane, e ato janë të shumta, qoftë në zgjidhjen e autonomive për pakicat, e qoftë në ato të administrimit lokal e rajonal. Sidoqoftë, pa e parë planin e implementimit e kemi të vështirë të komentojmë në mënyrën e duhur këtë dokument, i cili në rrethana të tilla me qëllim lihet me gjuhë diplomatike dykuptimësore.

Nacionale: Përveç çështje se Asociacionit, si problematike është parë edhe pjesa ku flitet për çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe. Sa e rrezikshme mund të jetë kjo pjesë?
Murati: Çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe duhet parë në tërësinë e zgjidhjes apo moszgjidhjes së problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në rast se ne do të kishim një marrëveshje e cila do të zgjidhte përfundimisht problemet në mes të Serbisë dhe Kosovës, dhe me këtë unë nënkuptoj ripërcaktimin e kufijve në mes të dy vendeve, atëherë çështja e statusit të Kishës Ortodokse Serbe do të zgjidhej besoj në mënyrë krejtësisht parimore dhe nuk do të rrezikonte funksionalitetin e shtetit. Kështu me këtë marrëveshje, e cila nuk zgjidh problemet, por i shtyn për një kohë tjetër, formalizimi i Kishës Ortodokse Serbe, një marrëveshje me të dhe privilegjet për të, së bashku me asociacionin si dhe privilegjet kushtetuese që ka pakica serbe në Kosovë do të krijonin trinomin që do t’i rrinte si gur në qafë funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Ky trinom, do të ishte një Kalë Troje ndaj sovranitetit të brendshëm të republikës sonë.

Nacionale: Megjithëse parimisht i ka thënë “po” këtij plani, kryeministri Kurti vazhdon të thotë se nuk do të lejojë formimin e Zajednicës. Çka do të thotë kjo?
Murati: E tash kjo është pjesa më e komplikuar e krejt kësaj loje politike me të cilën po luhet fati i vendit, por edhe i ne qytetarëve të tij. Duket pak kontradiktore pranimi i planit, por mos implementimi i asociacionit që është pjesë e planit, së paku i pikës 7 dhe asaj 10. Sidoqoftë në këto detaje, sidomos në modulet e implementimit, kompetencat, dukjen e tij, statusin juridik fshihet në njërën anë pranimi në parim i planit, por refuzimi apo hezitimi për zbatimin e asociacionit. Asociacioni është beteja kryesore e kryeministrit për të treguar se do t’i përmbahet ndonjë nga parimet mbi të cilat është ngritur politikisht, e të cilat po i lëshon një nga një. Kjo është vija e fundit nga e cila e ka shumë vështirë të tërhiqet. Është kauza ndër më të rëndësishmet mbi të cilat ka fituar këtë pushtet dhe legjitimitet kaq të madh që e ka sot. Betejën për këtë çështje e ka edhe me veten e tij dhe si e sheh pozicionin e tij në histori. Nëse ai e pranon themelimin e asociacionit ai do të vazhdojë të jetë Kryeministri Kurti, mund të fitojë edhe një palë zgjedhje, por nuk do të jetë më Albin Kurti, “parimori”, “i drejti”, “kryengritësi anti-sistem”, siç e ka paraqitur veten dhe siç kanë dëshirë të portretizojnë militantët dhe adhuruesit e tij.

Nacionale: Tani priten negociatat për planin e zbatimit. Sipas BE-së, këto negociata pritet të përmbyllen deri në fund të këtij muaji. Si duhet të veprojë kryeministrit për këtë pjesë të negociatave?
Murati: Unë nuk mund ta mësoj kryeministrin Kurti në këtë moment se çfarë duhet të bëj, e i cili të gjithë rrugën e bisedimeve e ka bërë gabim. Tani e kam përshtypjen se është vonë të marrë një rrugë tjetër. Kështu që në rrugën që është nisur ose do të pranojë implementimin e asociacionit, për ta bërë Kosovën jo funksionale, dhe për ta shkelmuar trashëgiminë e vet politike, ose do ta refuzojë dhe do ta vendos veten në një kurs të përplasjes me ndërkombëtarët. Atë që ne si LB me vite kemi bërë thirrje, e ia kemi përsëritur edhe qeverisë aktuale ka qenë që në qendër të bisedimeve nuk duhet të jetë njohja, sepse ajo nuk do të vije në asnjë variant, por reciprociteti. Me reciprocitet kemi nënkuptuar që zgjidhja që ofrohet për serbët sidomos në veriun e Kosovës, të kërkohet edhe për shqiptarët në Kosovën Lindore. E ne kemi besuar atëherë dhe sot, se ky reciprocitet në një moment të favorshëm do të çojë tek ripërcaktimi i kufijve si zgjidhja e vetme e drejtë e problemit shqiptaro-serb, përkatësisht në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këto qasjet e tjera na sjellin zgjidhje si këto, që të ofrohen në një moment të caktuar sepse i ke refuzuar të tjerat, ndërsa bota edhe për shkak të rrethanave gjeopolitike do një zgjidhje për momentin dhe e cila në sytë e tyre i ul tensionet dhe mundësinë e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Nacionale: Deri me tani dy partitë opozitare, PDK dhe LDK kanë shprehur rezerva ndaj këtij plani. Cili duhet të jetë qëndrimi i opozitës ndaj planit, duhet ta kundërshtojnë me votë, nëse marrëveshja vije në Kuvend?
Murati: Pak dallojnë partitë politike të opozitës sa i përket qasjes së bisedimeve me Serbinë në raport me qeverinë. Ato nuk kam çka t’i këshilloj. Por po të ishte LB në Kuvendin e Kosovës do të votonte kundër marrëveshjes. E kjo nuk do të thotë se LB-ja është kundër një marrëveshjeje apo kundër bisedimeve. Përkundrazi ne mendojmë dhe besojmë se me Serbinë duhet të hapen temat më të ndjeshme në marrëdhëniet në mes të dy vendeve dhe dy popujve, por çdoherë mbi parimin e reciprocitetit në zgjidhjet e këtyre temave dhe problemeve. Pra, siç e shihni, Lëvizja për Bashkim ka arsye logjike të kundërshtimit të kësaj marrëveshjeje sepse vazhdimisht ka ofruar opsionin e vet si zgjidhje alternative, gjë që nuk ndodhur me partitë tjera, qofshin në pozitë apo në opozitë, qoftë dje apo sot.

Lajme të ngjashme