Intervistë | Hyseni: Kurti po manipulon opinionin, tashmë e ka pranuar Asociacionin - NACIONALE

Intervistë | Hyseni: Kurti po manipulon opinionin, tashmë e ka pranuar Asociacionin

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Skënder Hyseni nuk iu beson kundërshtimeve të kryeministrit Albin Kurti për Asociacionin. Ish-kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë ka thënë se shefi i Qeverisë po bën përpjekje për të mashtruar opinionin për këtë temë. Sipas Hysenit, Kurti e ka pranuar tashmë Asociacioni.

Ish-kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Skënder Hyseni e ka vlerësuar si lajm të mirë pranimin e Planit të BE-së nga kryeministri Albin Kurti.

Ai ka thënë se ky plan nuk është perfekt, por ai nuk ka mundur të refuzohet nga Kosova.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hyseni ka vlerësuar se palët kanë qenë të detyruara nga bashkësia ndërkombëtare për ta pranuar dokumentin.

Duke komentuar pikën 7 të planit, e cila po konsiderohet problematike, ai ka thënë se nuk është e rrezikshme.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, është shprehur mosbesues ndaj deklarimeve të kryeministrit, se nuk do ta pranojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Hyseni ka thënë se në këtë mënyrë Kurti po bën përpjekje për të mashtruar opinionin.

Sipas tij, Kurti tashmë e ka pranuar formimin e këtij asociacionin.

Nacionale: Z. Hyseni, të hënën kryeministri Albin Kurti e ka pranuar Planin e BE-së. Si e keni parë pranimin e këtij plani nga kryeministri Kurti, i cili vazhdimisht e ka kundërshtuar këtë proces?
Hyseni: Plani i BE-së, sipas konfirmimeve nga ndërmjetësi dhe SHBA-të, tashmë është pranuar edhe nga Kurti edhe nga dhe Vuçiq. Ky plan, mbase për herë të parë është përkrahur dhe sponsorizuar me konsensus nga gjithë vendet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si i tillë ka qenë e pamundur të refuzohet dhe mendoj se dakordimi për këtë plan është një lajm i mirë. Siç e kam thënë, ky plan nuk është një zgjidhje perfektë por, në rrethanat e krijuara, është një hap i madh i ndërmjtëm më drejtimin e duhur. Palët kanë qenë të detyruara nga bashkësia ndërkombëtare që të pajtohen me këtë plan. Pra, ka qenë një lloj ultimatumi dhe ndëshkimi i politikave të papërgjegjëshme edhe në Prishtinë edhe në Beograd. Tensionimi, tërësisht i panevojshëm, i situatës në veri të Kosovës gjatë vitit të kaluar me veprimet e gabuara dhe leximi e interpretimi thellësisht i gabuar, nga ana e Kurtit dhe Osmanit, i zhvillimeve dhe kontekstit ndërkombëtar të krijuar me agresionin rus në Ukrainë dhe i zhvillimeve tjera gjeostrategjike në botë, e në anën tjetër politika destruktive dhe luftënxitëse e Serbisë, kanë detyruar bashkësinë ndërkombëtare të bëjë një hap prapa, duke lënë për më vonë domosdonë e njohjes formale mes dy vendeve dhe të imponojë një zgjidhje të ndërmjetme, e cila nuk kishte alternativë. Problemi dhe potenciali shpërthyes Kosovë- Serbi reflekton larg përtej kufijve të këtyre dy vendeve. Pra, në thelb, plani evropian ishte ndëshkim ndërkombëtar i politikave destabilizuese dhe presion ultimativ në kontekst të arkitekturës evropiane të sigurisë, përballë luftës në Ukrainë.

Nacionale: Pas pranimit, plani është bërë edhe publik nga BE-ja. Cili është vlerësimi i juaj për këtë dokument?
Hyseni: Siç e thashë, nuk është plan i përsosur por ishte një nevojë e pashmangshme për të krijuar parakushte të pazëvendësueshme për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan nëpërmjet normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

Nacionale: Publikimi i planit ka nxitur reagime të shumta. Kush mendoni se është pika me problematike e këtij plani?
Hyseni: Ky plan duhet të shihet në tërësinë e tij. Zgjidhja e përsosur do të ishte njohja formale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, urgjenca e stabilizimit të situatës Kosovë-Serbi ka imponuar një hap të ndërmjetëm.

Nacionale: Kritikat kryesore janë për piken 7. Sa e rrezikshme është kjo pikë për Kosovën?
Hyseni: Për aq kohë që asociacioni zbatohet në pajtim me nënshkrimet e 2013 dhe 2015, si dhe në pajtim me sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk mund të shihet si rrezik, por mund të paraqes problem pajtimi eventual që të zbatohet një variant tjetër i asociacionit. Megjithatë, kam bindjen se BE dhe SHBA nuk përkrahin zgjidhje që do të provoheshin si defunksionalizim i Kosovës. Sidoqoftë, mbetet të shihet!

Nacionale: Megjithëse parimisht i ka thënë po këtij plani, kryeministri Kurti vazhdon të thotë se nuk do të lejon formimin e Zajednicës. Çka do të thotë kjo?
Hyseni: Kurti po vazhdon të bëjë lojëra semantike në përpjekje për të mashtruar dhe manipuluar opinionin. Ai tashmë ka pranuar formimin e asociacionit!

Nacionale: Deri me tani dy partitë opozitare, PDK dhe LDK kanë shprehur rezerva ndaj këtij plani. Cili duhet të jetë qëndrimi i opozitës ndaj planit? Duhet ta kundërshtojnë me votë, nëse marrëveshja vije në Kuvend?
Hyseni: Opozita po bënë përpjekje ta luaj rolin e vet. Mendoj se ka humbur rastin të jetë e efektshme. Nuk besoj që kundërshtimi i këtij plani mundet me ndodhë!

Nacionale: Tani priten negociatat për planin e zbatimit. Sipas BE-së këto negociata pritet të përmbyllen deri në fund të këtij muaji. Çka pritni të ndodh në fund të procesit. Do t`i pranojë Kurti të gjitha kompromiset?
Hyseni: Plani ka për synim kryesor parandalimin e përshkallëzimit të situatës apo ndonjë konflikti në Ballkan, për çka Federata Ruse është shumë e interesuar. Kurti dhe Vuçiq do t’i pranojnë të gjitha. Negociatat për planin e zbatimit janë vetëm edhe një manovër politike, ngase mendoj se edhe kjo është dakorduar tashmë. Çfarëdo modifikimi i këtij aneksi duket të jetë i pamodifikueshëm.

Lajme të ngjashme