Intervistë | Tahiri: Kurti bëri gabim historik, Kuvendi nuk duhet ta miratojë planin e BE-së - NACIONALE

Intervistë | Tahiri: Kurti bëri gabim historik, Kuvendi nuk duhet ta miratojë planin e BE-së

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për pranimin e planit të BE-së, i cili është bërë publik dje.

Ajo ka bërë me dije se duke pranuar një marrëveshje pa njohje reciproke, kryeministri Kurti ka bërë një gabim historik.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Tahiri ka thënë se kryeministri është dashur ta shkëmben Asociacionin me njohjen reciproke.

Ajo ka vlerësuar se tani Kuvendi i Kosovës duhet ta thotë fjalën e tij për dokumentin, i cili po njihet si “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Tahiri ka thënë se Kuvendi nuk duhet të miratojë këtë plan.

Duke refuzuar këtë dokument, ajo ka vlerësuar së deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbrojnë interesin kombëtar të Republikës së Kosovës.

Nacionale: Zonja Tahiri, tashmë kemi një pranim zyrtar të planit të BE-së nga kryeministri Albin Kurti. Cili është vlerësimi i juaj për këtë marrëveshje?
Tahiri: Marrëveshja e arritur mbrëmë në Bruksel, e cila ka mungesë të njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje e dëmshme për Kosovën. Në këtë mënyrë, Kurti nuk e përdori faktin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe hoqi dorë nga njohja reciproke. Pra, ai hoqi dorë nga një kartë e fortë.
Në njërën anë, Kurti hoqi dorë nga njohja reciproke, kurse në anën tjetër ai pranoi formimin e Asociacionit. Pra, Kurti, i cili ka qenë kundër të gjitha marrëveshjeve të Brukselit, tani pranoi gjithçka. Veçanërisht, ai e ka kundërshtuar Asociacionin për të cilën e ka djegur Kuvendit e Kosovës. Praktikisht, ai i tha po një marrëveshje, e cila do të jetë me pasoja për Kosovën dhe nuk do të ndihmon normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Nacionale: Çfarë pasojash mendoni se do të këtë për Kosovën kjo marrëveshje?
Tahiri: Pasojat lidhen me faktin se Serbia, e cila ka humbur luftën në Kosovë në vitin 1999, tani një figurë si Kurti ai mundëson Serbisë të nxjerr një marrëveshje me të cilën nuk e njeh Republikën e Kosovës. Praktikisht, normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore nuk mund të arrihet pa njohje reciproke.
Kurti ishte ai që vazhdimisht thoshte se do të jetë një marrëveshje e bazuar në reciprocitet, kurse në marrëveshje nuk përmendet fare ky parim. Gjithashtu, në marrëveshje përmenden serbët e Kosovës, por askund nuk përmenden shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pra, me këtë marrëveshje u harrua reciprociteti dhe shqiptarët e Luginës.
Kur lexohet marrëveshje flitet për një trashëgimi të së kaluarës pa e përcaktuar që Serbia ka faje për gjenocidin serb në Kosovë, nuk përmenden as dëmshpërblimet e luftës. Ne në dialogun e Brukselit kemi arritur shumë më shumë në këtë proces, kurse në këtë marrëveshje që është dashur të jetë finale, nuk ka njohje reciproke dhe ka Asociacion. Pra, ky është një kompromis i madh dhe një gabim historik i Kurtit, i cili e ka dëmtuar Kosovën.

Nacionale: Kurti dhe zyrtarët e partisë se tij po deklarojnë se ende nuk e kanë pranuar Asociacionin?
Tahiri: Siç e dini në marrëveshje është një pikë e qartë, ku thuhet se marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen dhe brenda saj është edhe Asociacionin. Në kohen tonë ne kemi arritur asociacion pa kompetenca ekzekutive.
Me fjalë tjera kemi të bëjmë me një kryeministër i cili gjithë kohen ka qenë kundër këtij procesi dhe Asociacionit dhe me këtë marrëveshje i pranoi të gjitha.
Këtu kemi të bëjmë me një hipokrizi politike, apo dyfytyrësi politike të Kurtit.
Sepse gjatë gjithë kohës përkrahësit e tij i ka bindur se nuk pranon Asociacion. Ndërsa tani, jo vetëm që e pranoj, por humbi rastin historik për njohjen reciproke. Në këtë mënyrë, tregoi se ai nuk është negociator i fort. Ky është një dështim kombëtar dhe strategjik, i cili dëmton shtetin e Kosovës.

Nacionale: Qeveria këmbëngul se Asociacioni nuk do të këtë kompetenca ekzekutive. I besoni kësaj?
Tahiri: Kurti mund t`i besojnë ata që i pat bindur që nuk pranon asgjë dhe tani u pa se pranoi gjithçka. Me këtë marrëveshje ai ka dëshmuar se është në gjendje të pranon gjithçka. Kam friken se në procesin vijues negociator për planin zbatues të marrëveshje ai do ta dëmton edhe më shumë shtetin e Kosovës.

Nacionale: Megjithatë, kjo marrëveshje po konsiderohet si avancim në raport me marrëveshjen që e keni bërë ju në vitin 2013?
Tahiri: Koha kur është bërë marrëveshja aktuale është e ndryshme. Sepse po konsiderohet si marrëveshje finale dhe caku i Kosovës ka qenë marrja e njohjes reciproke në mes të dy shteteve. Kurti e ka dështuar këtë rast historik, duke hequr dorë nga kjo njohje.

Nacionale: Marrëveshje flet për disa parime universale, për një barazi në mes të dy shteteve. Në bazë të këtyre elementeve, po thuhet se kemi një njohje de facto të Kosovës nga Serbia. A mund te themi një gjë të tillë?
Tahiri: Element të ndryshme të kësaj marrëveshje, si preambula dhe disa nene përmenden në mënyrë të tërthoret këto parime universale. Mirëpo, njohja reciproke, apo njoha de juro, duhet të kishte formulimin e qartë. Pra, është dashur të thuhet se ambasadat e të dy shteteve do të hapen sipas Konventës Diplomatike. Pastaj, në këtë marrëveshjen mungojnë dëmshpërblimet e lutës. Nuk kemi ndonjë garanci për zbardhjen e fatit të të të pagjeturve. Nëse e lexon marrëveshjen nuk kuptohet se bëhet fjalë për një marrëveshje në mes të dy shteteve që kanë pasur luftë, ku Serbia ka qenë agresori dhe Kosova ka qenë viktimë. Në këtë mënyrë Serbia është dashur të marrë obligimet për dëmet e luftës.

Nacionale: Besoni se ka qenë e mundur që njohja reciproke të shkëmbehet me Asociacion?
Tahiri: Kurti ka mundur të përdor kartën e Asociacionit dhe të marrë njohjen reciproke. Fatkeqësisht, ai e humbi njohjen dhe e pranoi Asociacionin. Dështim më të madh nuk ka shkon. Prandaj, po them se ai ka bërë një dështim historik.

Nacionale: Shumë është diskutuar pika 7 e marrëveshjes ku përmenden disa elemente problematike për shtetin e Kosovës. Si e keni parë këtë pikë?
Tahiri: Siç thash se vete faktin që serbët lokalë janë në këtë marrëveshje, ndërsa shqiptarët e Luginës nuk janë në marrëveshje tregon shumë. Sepse Kurti nuk arriti një reciprocitet në raportet në mes të dy shteteve. Se çka nënkupton ai niveli vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, këtë duhet ta tregon kryeministri Kurti.

Nacionale: Sa besoni se plani i zbatimit të marrëveshjes do të mund t`i qartëson gjerat?
Tahiri: Meqenëse ai plan do të behet me Kurtin, mendoj se dështime do të vazhdojnë. Pra, pres dështimeve të reja në këtë proces.

Nacionale: A mendoni se kjo marrëveshje duhet të dërgohet në Kuvendit për miratim dhe cili duhet të jetë qëndrimi i këtij institucioni?
Tahiri: Unë mbetem me shpresë që Kuvendi i Kosovës do të mbron interesat kombëtare të Kosovës. Prandaj, Kuvendit duhet të kundërshtojë një marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë mënyrë, deputetët do të mbronin interesin e Kosovës dhe do të mbronin luftën tonë për liri dhe pavarësi, të cilën e kemi paguar shtrenjtë.

Lajme të ngjashme