Intervistë | Nurellari: Kurti është një kameleon politik, do të dorëzohet përsëri para Vuçiqit - NACIONALE

Intervistë | Nurellari: Kurti është një kameleon politik, do të dorëzohet përsëri para Vuçiqit

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

PDK-ja është e shqetësuar për takimin Kurti-Vuçiq, i cili do të mbahet të hënën. Anëtari i Kryesisë së kësaj parti, Adri Nurellari, ka bërë me dije në këtë takim do të kurorëzohen negociatat e fshehta të Albin Kurtit me Aleksander Vuçiqin. Në këtë mënyrë, sipas tij, do të ketë betonizim të status-quo-së dhe jo njohje reciproke.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari, nuk pret zhvillime pozitive për Kosovën në takimin e të hënës në Bruksel.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij se kryeministri Albin Kurti do të dorëzohet përsëri para presidentit serb Aleksander Vuçiq.

Nurellari ka bërë me dije se strategjia e shefit të ekzekutivit në procesin e dialogut me Serbinë ka qenë shumë e gabuar.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka treguar se Kurti në raport me Serbinë i ka fryrë situata me retorik agresive dhe më pas është tërhequr, duke bërë kompromise në dëm të Kosovës.

Sipas tij, kjo mënyrë e sjelljes se Kurtit i ka lënduar raportet e Kosovës me partnerët perëndimor.

Në këtë mënyrë, ka thënë Nurellari, Kurti ka treguar se është një kameleon politik që i ndryshon qëndrimet në bazë të interesave momentale.

Ai ka vlerësuar se në këtë takim do të kurorëzohen negociatat e fshehta të Kurtit me Vuçiqin.

Nacionale: Z. Nurellari, të hënën është takimi i madh në mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksader Vuqiç. Çka pritni nga ky takim?
Nurellari: Nuk do doja të ishte kështu, por me keqardhje më duhet të them se pres sërish që kryeministri të zmbrapset dhe të dorëzohet përsëri para Vuçiqit, sikurse e ka bërë tashmë traditë. Pra, fatkeqësisht po shohim një tendencë apo mënyrë të vepruarit karakteristike të këtij kryeministri, që e fryn situatën me retorikë agresive e krenare deri sa shkon afër pikës së vlimit situata, e mandej shfryhet e tërhiqet duke bërë koncensione. Këtë gjë e pamë me targat, ku u acaruar aq shumë situata sa serbët e veriut braktisën tërësisht institucionet e u desh riaktivizimi i KFOR-it dhe EULEX-it e mandej shkoi në Bruksel dhe u dorëzua para Vuçiqit duke garantuar imunitet për targat ilegale. E njëjta gjë ndodhi me kryeneçësinë e shpalljes së zgjedhjeve në veri sa përsëri situata u përshkallëzua e vajti afër pikës së vlimit me vendosjen e barrikadave prej bandave dhe bllokimit të policëve tanë për ditë të tëra pa zëvendësim në veri e mandej me ndërmjetësimin e të huajve u zmbraps përsëri Kurti para bandave duke liruar ish policin Dejan Pantiq, dhe garantuar imunitet për të gjithë ata që shkaktuan trazira në veri. Këtë gjë e kemi parë edhe gjatë negociatave, nga njëra anë flet gjithë trimëri se lufta nuk është larg e mund të rikthehet e mandej del e shfajëson Vuçiqin për rolin e tij si ministër i Millosheviqit duke thënë se ai s’ka pasur faj për luftën e Kosovës, sepse demek “Millosheviqi nuk e pyeste’ e ka vepruar me kokën e tij. Mund të vazhdoj edhe me raste të tjera ilustrative që dëshmojnë se Kurti është një politikan amator i papërgjegjshëm që me aventurat e tija të papjekura çdo herë është tërhequr dhe e që e ka dëmtuar rëndë pozicionin e Kosovës në marrëdhënie me partnerët dhe përkundrejt Serbisë.

Nacionale: Edhe ndërmjetësit kanë lënë të kuptohet se një marrëveshje mund të nënshkruhet në këtë takim. I frikësohet PDK-ja një marrëveshje të tillë?
Nurellari: Padyshim që jemi të shqetësuar për negociatat e fshehta që Kurti mund të ketë bërë me Vuçiqin dhe lëshimet që mund të ketë bërë të cilat mund të kurorëzohen në këtë takim që do të mbahet të hënën në Bruksel. Po ashtu, ne jemi të shqetësuar sepse kemi parë që Kurti, me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e tij e ka dëmtuar sistematikisht marrëdhënien e Kosovës me aleatët perëndimor duke përkeqësuar pozicionin tonë negociator dhe duke ia çuar dëm Kosovës një kontekst shumë të favorshëm për të pasur një marrëveshje të leverdisshme. Për ta thënë më qartë, z. Kurti ka pasur rrethana shumë të favorshme qoftë në nivel ndërkombëtar dhe qoftë në nivel të politikës së brendshme, për t'i siguruar Kosovës një marrëveshje finale shumë të mirë. Në rrafshin e jashtëm lufta e Ukrainës dhe dështimi e izolimi ndërkombëtar i Rusisë agresore, e ka vënë Serbinë në pozicion shumë të dobët gjeopolitik dhe nën një presion të paprecedentë ndërkombëtar për të vendosur sanksione ndaj Moskës. Po ashtu për shkak të kësaj lufte kemi një rikthim intensiv të vëmendjes dhe vullnetit të Brukselit për të zgjidhur problemet e mbetura pezull, në Ballkan dhe për të rimëkëmbur projektin e evropianizimit të gjithë kontinentit. Në rrafshin e brendshëm Kurti ka një opozitë konstruktive që ia respekton të drejtën ligjore të konfirmuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të udhëhequr politikën e jashtme dhe nuk e pengon apo i bën presion me bomba Molotov, gaz lotsjellës, gurë, vezë apo domate sikurse bënte ai gjatë kohës që drejtonte opozitën. Po ashtu po shkel në një rrugë të trasuar nga pararendësit e ti si dhe ka një shumicë solide në parlament dhe nuk ka nevojë që të humbasë energji për të siguruar konsensus sigurie iu desh PDK-së për të bindur AAK-në që të pezullonte tarifën doganore para 4 vjetësh.

Mirëpo, fatkeqësisht, këto rrethana të favorshme ai nuk i ka shfrytëzuar për të siguruar një marrëdhënie të leverdishme për Kosovën. Përkundrazi edhe pse ka pasur këto rrethana të favorshme të brendshme e të jashtme, për faj të tij, pozicioni i Kosovës është shumë më i dobët.

Nacionale: Nëse kryeministri të hënën nënshkruan ndonjë marrëveshje, cili do të jetë qëndrimi i PDK-së ndaj atij dokumenti?
Nurellari: PDK-ja e ka bërë të qartë shumë herë qëndrimin e saj, dhe gatishmërinë për të mbështetur një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme duke përmbushur disa kritere bazike. Pra, lideri i opozitës Krasniqi dhe partia kryesore e opozitës PDK-ja, jo vetëm që nuk e sulmon apo e damkos si tradhtar, sikurse ai ka bërë në të kaluarën, por e ka inkurajuar që të negociojë një marrëveshje që e mbyll njëherë e mirë konfliktin me Serbinë. Kurti do të ketë përkrahjen maksimale të PDK-së nëse siguron një marrëveshje finale që siguron njohjen formale nga Serbia të pavarësisë së Kosovës, ruan karakterin unitar të shtetit, mundëson njohjen formale nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk na ka njohur dhe garanton zhbllokimin e rrugës së integrimit Euro-Atlantik duke siguruar marrjen e statusit kandidat me BE-në dhe bërjen pjesë të Partneritetit për Paqe me NATO-n. Kryeministri i Kosovës nuk ka nevojë apo arsye që të nënshkruajë ndonjë marrëveshje që nuk përmbush këto interesa thelbësore shtetërore të Kosovës. Kosova ka nevojë për një njohje “de jure” që e mbyll njëherë e mirë kapitullin e konfliktit të ngrirë. Sepse njohje “de facto” e kemi tashmë nëpërmjet shumë marrëveshjeve të nënshkruara prej shumë vitesh dhe prej pjesëmarrjes si anëtarë me të drejta të plota në të njëjtat organizata ndër-shtetërore e nisma rajonale.

Nacionale: Në muajt e fundit kemi parë një ndryshim të kryeministrit Kurti në raport me dialogun me Serbinë. Në parim ai i ka thënë “po” planit të BE-së dhe Asociacionit. Si e keni ndryshimin e Kurtit në raport me dialogun me Serbinë?
Nurellari: Nuk jam habitur aspak me ndryshimet e shpeshta të Kurtit, ai e ka provuar tashmë veten se është një kameleon politik, që i ndryshon qëndrimet e retorikën në bazë të leverdisë momentale dhe interesave politik. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar tek Kurti është etja e tij e pashuar për pushtet e për kontroll maksimal, për të cilën ai është i gatshëm të bëj gjithfarë metamorfoze apo transformimi. Vetë karriera e tij prej kameleoni është një varg i gjatë i pozicioneve të forta që mandej vetë i ka mohuar apo ndryshuar në një kohë të dytë, duke nisur që nga Rambujeja për të vijuar me mohimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës e mos-respektimin e simboleve shtetërore e për t’u kurorëzuar me kundërshtimin e Zajednicës me aq agresivitet sa pothuaj e futi vendin në luftë civile. Prandaj nuk surprizohem, nuk shoh ndonjë gjë të re, ai ka qenë kundër institucioneve shtetërore sepse ka dashur të jetë vetë në krye të tyre, ka qenë kundër xhipave të zinj sepse ka dashur që të ishte vetë brenda tyre dhe ka qenë kundër Zajednicës sepse ka dashur që të ishte ai që ta vinte në jetë.
Ajo që më surprizon është se përse Kurti, pavarësisht rrethanave të favorshme të sipërpërmendura, e ka degraduar Kosovën në një pozicion ku asociacioni është një koncension që nuk siguron më njohjen. Thënë ndryshe para pesë vitesh kur Serbia ishte në pozicion më të favorshëm gjeopolitik, nga Kosova kërkohej ose të bënte korrigjimin paqësor të kufirit ose të pranonte asociacionin, në këmbim të njohjes formale apo “de jure”. Madje asokohe si pjesë të nënshkrimit të marrëveshjes përmendej edhe lejimi i marrjes së ulëses në OKB prej Rusisë dhe njohja e Spanjës që u konfirmuan nga deklarata të figurave të larta të këtyre dy shteteve. Tashmë që rrethanat politike të brendshme e të jashtme janë më pozitive, më habit fakti që asociacioni nuk është më një koncension në këmbim të njohjes formale, por si parakusht për të nënshkruar një marrëveshje të paplotë që thjesht formalizon status-quo-në.

Nacionale: Çka mendoni se e ka nxitur Kurti të ndryshon qëndrim në raport me dialogun?
Nurellari: Në muajt e parë si kryeministër, Kurti ka thënë se nuk ishte nën presion ndërkombëtar sepse sipas tij “Po të mos ishte i korruptuar, nuk do e përjetonte trysninë ndërkombëtare”. Po të ndjekim logjikën dhe deklaratat e tij të mëparshme, ndaj tij ka presion të madh ndërkombëtar sepse ka korrupsion. Me pak fjalë, sipas mendimeve të kryeministrit Kurti të vitit 2020, të huajt po e detyrojnë kryeministrin Kurti të vitit 2023 të ndryshojnë qëndrimet, sepse e shantazhojnë me afera korruptive ku ai na qenka përfshirë.

Në një farë mënyre, Kurti sot po përjeton karman, është njëherazi xhelat dhe viktimë, sepse po i duhet të gëlltisë vetë gjithë atë helm që ka hedhur kundër rivalëve të tij politik më parë të cilët janë ballafaquar me sfidat e pushtetit. Kurti ka menduar se pushteti është vetëm privilegj dhe ka të bëjë me shkuarje me gjithë familjen në tapetin e kuq të Festivalit të Kanës pranë VIP-ave botërorë të kinematografisë apo me shëtitje disa javorëshe në hotele luksi e shoqëruar me eksortë nëpër SHBA. Mirëpo, pushteti është para së gjithash përgjegjësi, dhe prej antikitetit pushteti simbolizohet me kurorën e dafinës e cila në majë të gjetheve ka gjemba. Të gjithë do donim që Kosova të ishte si Norvegjia, një vend i zhvilluar e pa probleme të trashëguara, mirëpo Kurti ka garuar t’i dalë zot Kosovës me këto probleme që ka, më të mirat dhe të këqijat e saj. Kështu që duhet të bëj detyrën e vështirë të kryeministrit. Nëse nuk e bën dot, le të dorëzohet e t’iu kërkoj falje qytetarëve të cilëve ua ka marrë votën duke premtuar që do i dalë zot vendit dhe do zgjidhë problemet që ka pasur.

Nacionale: Në Kuvend kryeministri ka thënë se propozimi i janarit ka qenë i formatit “merre ose lere”. Besoni se ky plan është negociuar me palët?
Nurellari: E kam vështirë t’i besoj Kurtit dhe gjithë mazhorancës për qëndrimet e mbajtura dhe deklaratat e bëra. Kujtoj këtu që kur plani u përmend për herë të parë, dora e djathtë e Kurtit, zv kryeministri Bislimi deklaroi se ishte një plan që i leverdiste serbëve ndërsa aleatja e Kurtit e quante planin fake-neës. Pak ditë më pas Kurti thotë për të njëjtin plan se ka pika të vlefshme për të njëjtin plan.

Për këtë arsye e kam të vështirë të besoj se Kurti nuk ka negociuar dhe nuk ka pranuar vetë që të bëj koncensione të mëtutjeshme mbi interesat e Kosovës. Tashmë e kemi parë që z. Kurti është më së i aftë që të “hedh gurin e të fsheh dorën” sikurse bëri me rastin e lirimit të ish-policit serb Pantiq. Ai dhe njerëzit e tij u shtirën në publik sikur kinse vendimin e kishte marrë prokurori me kokën e vetë për tu distancuar nga zmbrapsja e tyre. Mirëpo, mashtrimin e demaskuan zëdhënësit e BE-së dhe SHBA-së që treguan se me ndërmjetësimin e tyre, Kurti ishte tërhequr e kishte rënë dakord që të garantonte imunitet ndaj banditëve serbë të veriut në këmbim të heqjes së barrikadave. Pra, nuk do çuditesha që të kishim një përsëritje të kësaj situate, u përpiqet tua mvesh të huajve ato lëshime që ka pranuar ti bëj vetë në kuadër të negociatave jo-transparente që ka bërë sërish me ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Nacionale: Siç po shihet plani nuk përmban njohjen reciproke, por përmban Asociacionin. Cili duhet të jetë qëndrim i Kosovës në raport me këtë plan?
Nurellari: Ky është një kthim prapa tek negociatat e Vjenës kur pala Kosovare ka bërë lëshime e kompromise duke menduar se po merrnim njohjen e Serbisë dhe futjen në OKB në këmbim të tyre. Pra, pavarësisht plagëve të freskëta të luftës dhe faktit që ne ishim fitimtarët, ne ramë dakord për të garantuar jo të drejta, por madje privilegje për pakicën serbe asokohe vetëm e vetëm që të siguronim një njohje formale e mbyllje përfundimtare të konfliktit me Serbinë. Në moment të fundit, Serbia dhe Rusia u tërhoqën dhe nuk nënshkruan për planin e Ahtisaarit që erdhi si rezultat i atyre negociatave. Mirëpo Kosova për shkak të partneritetit me aleatët dhe nevojës për të siguar mbështetje perëndimore për njohjen e pavarësisë, u detyrua që ta gëlltiste të gjithë atë pako koncensionesh të cilat i pranoi në këmbim të njohjes nga Serbia e Rusia. Për ta thënë ndryshe ne në Vjenë kemi “negociuar për të paguar një çmim të shtrenjtë për të blerë një lopë dhe me atë kosto ne thjesht morëm një pulë”. Një marrëveshje që nuk siguron njohjen finale formale është ripërsëritje e të njëjtës situatë dhe betonizim i status-quo-së. Marrëveshja bazike mes Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore të marra si model për këtë plan zgjati 19 vjet dhe situata u ndryshua vetëm me rënien e murit të Berlinit dhe përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Prandaj, duhet theksuar se ky plan franko-gjerman pa njohje “de jure” është një papërgjegjshmëri e madhe përkundrejt brezave të ardhshëm të cilëve do t’iu trashëgojmë një konflikt të pazgjidhur, por njëherazi do ua kemi hequr instrumentat e zgjidhjes. Plani franko-gjerman pa njohje, nënkupton që Kosovës po i largohet “karota dhe shkopi” apo thënë më mirë “kulaçi dhe kërbaçi” me të cilën mund të detyrohej Beogradi që të pranonte formalisht pavarësinë e Kosovës. Pra nga njëra anë Serbia kulaçi ka qenë asociacioni dhe kërbaçi ka qenë kushtëzimi me anëtarësimin në BE. Për brezat e ardhshëm nuk do të ketë instrumenta negocimi më për të detyruar Serbinë që ta njohë Kosovën formalisht. E vetmja gjë që mund ta sigurojë këtë njohje juridike eksplicite ka për të qenë pritja për një demokratizim e evropianizim të brendshëm të popullit serb dhe shpresa që ky popull të emancipohet, të përqafojë vlerat universal dhe eventualisht ta njohë formalisht pavarësinë e Kosovës sepse do e vrasë ndërgjegjja historike për padrejtësitë dhe krimet e kryera në Kosovë.

Lajme të ngjashme