SHBA-ja dhe BE-ja thonë se është koha për Asociacion, Kurti dhe Bislimi heshtin
Në prag të takimit të rëndësishëm të Albin Kurtit dhe Aleksader Vuçuqit në Bruksel, ndërmjetësuesit e procesit të dialogut kanë treguar temat e takimit, duke i ftuar palët për konstruktivitet.
Përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së kanë bërë me dije se në këtë takim e të hënës do të diskutohet edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por për këtë çështje nuk ka folur kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi. Këta të fundit nuk kanë dhënë detaje për takimin as kur janë pyetur nga gazetarët.
Pavarësisht heshtjes se tyre, detaje për takimin kanë dhënë zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së.
Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ia ka bërë të qartë kryeministrit Albin Kurti pritjet nga takimi i të hënës
Ai ka bërë me dije se në një bisedë telefonike që ka pasur dje me të parin e Qeverisë së Kosovës i ka treguar atij që koha është të flitet për Asociacionin.
“Shpreha qëndrimin se është koha për të diskutuar për Asociacionin e Koumunave me shumicë serbe. Si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar gjatë procesit të dialogut.”, ka shkruar Chollet në llogarinë e tij në Twitter.
Gjithashtu, ai ka vlerësuar ShBA-ja e mbështet një takim konstruktiv mes Kosovës dhe Serbisë.
“ShBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së.” - është shprehur Chollet.
Një ditë me parë, edhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tregoi se çështja e asociacionit do të jetë temë e diskutimit në takimin e 27 shkurtit.
Në një intervistë për mediumi “The Pavlovic Today”, emisari i BE-së ka thënë se propozimi i BE-së përmban nivelin e duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe për këtë çështje do të flitet në takim.
“Ajo që do të jetë në rend dite është propozimi. Dhe propozimi gjithashtu përmban nivelin e duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Dhe gjëra të tjera. Ne presim që ata të miratojnë dokumentin që ka një referencë shumë të qartë për këtë dhe presim që ata të flasin se si ta zbatojnë atë.”, është shprehur Lajçak.
Kurti e Bislimi asnjë fjalë
Qeveria e Kosovës deri me tani nuk ka dhënë asnjë detaj për takimin e radhës në mes të Kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq.
Zyra e Kryeministrit nuk ka dhënë detaje për takimin as në njoftimin për bisedën telefonike që ka pasur Kurti me Chollet.
“Gjatë kësaj bisede, kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve. Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare.”, është thënë në njoftim.
Detaje për takimin kryeministri nuk ka dhënë as sot para aktivistëve të VV-së.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshme të VV-së, ai ka folur vetëm në vija të trasha për procesin e dialogut.
“Në raport me Serbinë kemi marrë pjesë në takimet në Bruksel sa herë që jemi ftuar. Kemi mirëpritur emisarët special nga perëndimi sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë dhe e do të jem të përkushtuar, parimor, konstruktiv e kreativ. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve. Statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal, e status normal është ai i fqinjësisë së mirë evropiane. Pra, njohje reciproke si thelb dhe reciprocitetin si princip.” - ka thënë Kurti.
Ndryshe nga Kurti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është njeriu kryesor i Qeverisë për dialog nuk ka folur fare për këtë proces.
Madje, ai në ceremoninë nënshkrimit të marrëveshjes IPA 2023 me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka refuzuar pyetjet e gazetarëve për këtë temë.
“Është hera e parë që kemi një program IPA që i dedikohet tërësisht një sektori i cili është i goditur, të cilat do të shpërndahen tek qytetarët. Është hera e parë që në plotësi programi i besohet institucioneve të Kosovës. Është disrespekt për gjithë këtë punë që është bërë. Po më duket që është e padenjë të përgjigjem në këtë pyetje”, ka thënë Bislimi.
Kurse, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, nuk ka hezituar të flas për këtë çështje në prani të Bislimit.
“Presim që të dyja palët të pranojnë propozimin europian dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive se si të zbatohet ajo. Marrëveshja është e rëndësishme për integrimin europian”, ka thënë Szunyog.

