Opozita e shqetësuar për takimin e të hënës: Kurti mund ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë - NACIONALE

Opozita e shqetësuar për takimin e të hënës: Kurti mund ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Përfaqësuesit e opozitës janë shprehur të shqetësuar rreth takimit që kryeministri Albin Kurti do ta ketë të hënën në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Ata kanë bërë me dije se kryeministri Kurti në këtë takim po shkon pa qëndrime të qarta dhe pa e informuar Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se në këtë takim Kurti mund ta nënshkruan marrëveshjen, e cila nuk do të jetë finale.

Sipas saj, kjo do të jetë një marrëveshje e përkohshme dhe pa njohje reciproke.

Plani franko - gjerman nuk ka pikur nga qielli. Ai është produkt i negocimit të Kryeministrit tash e dy vite. Kryeministri Kurti ka arritur suksesshëm që dialogun Kosovë - Serbi nga marrëveshja politike ta kthejë në problem të sigurisë. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër”, ka shkruar në profilin e saj në “Facebook”.

Ajo ka treguar se në kuadër të kësaj marrëveshje do të jetë edhe ajo për Asociacionin.

Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj asociacionin, apo Zajednicën siç e quante dikur. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik. Kaq për gjenialitetin e Kryenegociatorit Kurti”, ka shkruar ajo.

Të njëjtat shqetësime i ka ndarë edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Në seancën e sotme, ai ka kërkuar që debati parlamentar për dialogun me Serbinë, i nisur javën e kaluar, të përfundohet para takimit të së hënës.

Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk duhet të shkojë në takim me Vuçiqin pa u përgjigjur në disa pyetje, të cilat ia kanë shtruar edhe në debatin parlamentar.

Pyetjet që janë shtruar ndaj Kryeministrit në seancën e fundit janë shumë legjitime: Cila është përmbajtja e plotë dhe finale e planin franko-gjerman? Cili është qëndrimi i Qeverisë ndaj këtij plani, përveç deklarimit se është bazë e mirë për negocim? Çfarë vërejtje janë dërguar lidhur me këtë plan në fund të vitit të kaluar? Sa janë marrë parasysh ato vërejtje në draftin që diskutohet të hënën? Cili është qëndrimi i Kryeministrit ndaj marrëveshjeve paraprake, në veçanti për Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe? A është Kryeministri kundër kësaj marrëveshje, siç e ka kundërshtuar në 10 vitet e fundit me akte të dhunshme dhe jo demokratike? Apo është pro, por me kushtet që i ka prezantuar?”, ka pyetur Hoti.

Më tej, ai ka thënë se është edhe në interes të kryeministrit që të sqarohet para takimit.

Besoj se është obligim kushtetues që të informohet Kuvendi i Kosovës për këto çështjet besoj se është e domosdoshme që ky debat të kryhet para të hënës dhe ky është në interes të kryeministrit për të formalizuar qëndrimin e tij të mbështetur edhe me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Haradinaj sërish në krah të Qeverisë

Ndryshe nga zyrtarët e PDK-së dhe LDK-së, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, beson se Kosova duhet ta mbyllë të hënën marrëveshjen me Serbinë.

Në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancës e sotme të Kuvendit, ai ka thënë se në këtë mënyrë do të ndalej agjenda ruse në rajonin e Ballkanit.

Çka mund të bëjmë ne për ta zmbrapsë agjendën ruse në Ballkan. Ne mund të ndihmojmë koalicionin global kundër Rusisë edhe me veprimet tona. Kemi folur për planin franko-gjerman, dhe pse Kosova me pranimin e këtij plani ec përpara në planin e sigurisë”, ka thënë Haradinaj.

Ai para deputetëve ka thënë se vetëm Rusia nuk i gëzohet një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

I vetmi vend në botë që nuk i gëzohet arritjes marrëveshjes Kosovë-Serbi është Rusia. Si mund të veprojë Kosova, mundet të hënën ta mbyllë marrëveshjen, jo vetëm të japë sinjale pozitive por ta mbyllë marrëveshjen”, është shprehur Haradinaj.

Kurti: Pothuajse asgjë s`ka ngelur e panjohur nga propozimi franko-gjerman

Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se deri me tani gjithçka është bërë publike për përmbajtën e planit franko-gjerman.

Ndonëse këtë plan nuk e ka prezantuar kurrë para publikut, ai ka thënë se deri me tani nuk kanë mbetur të panjohura.

“Besoj se pas shumë muajve pothuajse asgjë nuk ka ngelur e panjohur nga ia propozim që paraqet bazë të mirë për diskutimet të mëtutjeshëm që fillojnë të hënë që vjen”, ka thënë Kurti, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Ai ka bërë me dije se ky plan nuk është negociuar.

Nuk është produkt i negocimit propozimi, meqenëse me 18 gusht të vitit të kaluar është hapur tema e kornizës se përgjithshme të marrëveshjes pa pasur takime për atë temë, meqenëse pala tjetër nuk ka qenë e interesuar dhe as e gatshme për këtë”, ka thënë Kurti.

Pas një kohe të gjatë, të hënën në Bruksel do të mbahen takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti të Serbisë, Aleksader Vuqiq.

"Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajcak, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët", është thënë në njoftimin e BE-së.

Ky do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë, pas propozimit të planit franko-gjerman.

Lajme të ngjashme