Intervistë | Lama: Për të mbrojtur luftën e UÇK-së duhet të sulmojmë armikun, jo të vajtojmë - NACIONALE

Intervistë | Lama: Për të mbrojtur luftën e UÇK-së duhet të sulmojmë armikun, jo të vajtojmë

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Nuk është shprehur i kënaqur me punën e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë për të mbrojtur luftën e UÇK-së. Ish-gjenerali shqiptar i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lama, ka thënë se shqiptarët duhet të krijojnë një front të përbashkët për të mbrojtur këtë luftë. Ai ka kritikuar iniciativën e Qeverisë për një proces të ri të verifikimit të veteranëve të UÇK-së.

Ish-gjenerali shqiptar i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lama, ka kritikuar Kosovën dhe Shqipërinë se nuk po bëjnë sa duhet për t’i mbrojtur ish-udhëheqësit e UÇK-së, të cilët gjenden në paraburgim në Hagë.

Ai ka thënë se shqiptarët ende nuk kanë krijuar një front të përbashkët për të mbrojtur luftën çlirimtare të Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Lama ka thënë se kjo është papërgjegjshmëri kombëtare, shtetërore, politike dhe juridike.

Sipas ish-gjeneralit, politikanët shqiptarë duhet të kuptojnë se luftërat e mbrojtjes kombëtare bëhen edhe duke sulmuar armikun.

Lama ka thënë se tani ata po vajtojnë në vend se të sulmojnë.

Në këtë intervistë, ai ka folur për Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë kundër raportit të Dick Martyt, rolin e Sali Berishës në luftën çlirimtare të Kosovës dhe listat e veteranëve të UÇK-së

Nacionale: Z. Lama, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën kundër raportit të Dick Martyt. Si e keni parë këtë veprim të Kuvendit?
Lama: Në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet: “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit,...” Prej nga rrjedhë detyrimi që institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë të punojnë për kombin, përtej dinjitetit të shtetit. Pa kombin nuk mund të ekzistojë as shteti. Shtetet që nuk e kanë kombin, po përpiqen ta krijojnë atë artificialisht se nuk mund të bëjnë pa të. Ne e kemi kombin, e kemi të copëtuar në gjashtë pjesë, kështu që, edhe përgjegjësitë e institucioneve të shtetit duhet të ngrihen në nivelin më të lartë të mundshëm për ta bërë kombin ai që duhet të jetë, për interesat kombëtare.

Dhe unë vlerësoj se sot të mbrosh Luftën Çlirimtare të Kosovës është interesi më i madh kombëtar, sepse pikërisht aty po e jep goditjen më të fuqishme kundërshqiptarizmi. Dhe jo pa arsye, por për faktin që ajo luftë me ata luftëtarë (ani pse ka nga ata që nuk i duan, megjithëse gëzojnë lirinë që ka sjellë vepra e tyre, kur vetë ishin në gjumë, të trembur, apo në shërbim të pushtuesit), solli këtë ndryshim të madh për kombin shqiptar, duke e bërë atë me dy shtete dhe duke ia çliruar 11 mijë kilometër katëror truall e 2 milion qytetar.

Ky është ndryshim i madh në gjeopolitikën ballkanike e europiane, si dhe është goditje e rëndë për ish pushtuesin, i cili ka edhe përkrahës e mbrojtës në Europë e më gjerë. Kështu që, është e kuptueshme të përqendrohet goditja pikërisht këtu.

E shteti i Republikës së Shqipërisë, të përqendrojë vëmendjen për ta neutralizuar atë goditje, bën detyrën e tij.

Unë do të isha shumë i lumtur që ky akt ligjor i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të mos mbetet thjeshtë një akt, që të thuhet “ne e bëmë detyrën, e ngritëm zërin, ne e thamë fjalën tonë, kaq mund të bëjmë,etj”. Do të dëshiroja që ky akt ligjor të jetë thjeshtë shpata me të cilën do të luftohet deri në fund të kësaj lufte të pa precedentë, sepse pikërisht po të përdoret si shpatë do të ketë efektivitet, ndërsa po përdoret si dokument nuk ka vlerë.

E kam ndjekur atë seancë të parlamentit dhe realisht jam entuziazmuar. Nëse do të trajtohet çështja me atë forcë si u shtrua në atë seancë, jam i sigurt se do të ketë vlerë serioze. Por serioziteti varet nga serioziteti. Kur unë e marrë një çështje seriozisht, edhe ai ose ata që kam përballë e marrin seriozisht. Nëse unë lutem, asgjë nuk më jepet. Është mirë të luftosh, në luftë edhe mund të humbasësh, por humbet me dinjitet dhe edhe si humbës fiton nderim. Ndërsa kur nuk ndeshesh, kur i ikën betejës, kur kërkon lëmoshë, askush nuk ka kohë të merret me ty, sepse kanë punë për të bërë. Askush nuk të merr seriozisht.

Dëshiroj që të veprojnë seriozisht për të mirën e atdheut e kombit, për të mirën e historisë dhe për të mirën e dinjitetit të tyre si qeveritarë shqiptarë që kanë mision të bëjnë më të mirën për interesat kombëtare pa u ndalur, pa u trembur, pa përtuar e pa u lodhur.

Nacionale: Në debatin për këtë rezolutë, Rama dhe Berisha akuzuan njëri-tjetrin për Kosovën. Cili është vlerësimi juaj për këtë debat. Kush mendoni se kishte të drejtë?
Lama: Debate të tilla mua nuk më bëjnë shumë përshtypje. Janë të zakonshme në parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Sa i përket debatit për Kosovën, mendoj se vetëm për Kosovën ai debat nuk kishte ndonjë vlerë. Kryeministri fliste për ato që di për atë periudhë, kështu që Berisha do të kalonte në mbrojtje, sepse i dhëmbin plagët e asaj kohe, pasi realisht ka qëndruar dhe vepruar në të kundërt të zhvillimeve kombëtare. Kishte shumë mundësi të ishte pjesë e Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të bënte vepra të mëdha, që sot ta kishin njerëzit mbi kokë dhe jam i sigurt se nuk do të kishte rënë as në këto pozita banale ku ka rënë.
Por ai u pozicionua kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai deklarohet sot se ka qenë me UÇK-në, por me atë që ka luftuar në Kosovë, me të cilën kam qenë edhe unë ai nuk ka qenë.

Edhe politikën që në atë kohë e deri sot e ka bërë kundër saj. Berisha e pranon UÇK-në thjeshtë si simbol, por kur vjen puna te përbërja dhe lufta e saj, ai e humbet rrugën dhe nuk e di se kush është UÇK-ja.Fati i keq i tij, ose detyra e vështirë për të, që të jetë në këtë rol.

Ndërsa, kryeministri Rama është në pozicion komod, sepse realisht forca politike që udhëheqë edhe në luftë e edhe pas luftës ka mbajtur qëndrim korrekt dhe mbështetës për Luftën dhe Ushtrinë Çlirimtare.

Ndërsa për sa i përket politikës në Republikën e Shqipërisë në përgjithësi, mund të them se aty nuk ka debat konstruktiv. Qerrja e politikës në Republikën e Shqipërisë aktualisht është me rrotë të thyer. Që kjo qerre të jetë funksionale duhet të jetë funksionale opozita, që për fate të keq nuk është. E vetmja opozitë e qeverisë në Tiranë është deputeti Erjon Braçe, që është pjesë e partisë që qeveris dhe që ka qenë edhe qeveritar. Të tjerët opozitarë janë aktorë, që thjeshtë luajnë rolin se paguhen për këtë. Kanë gjetur një vend pune.

Nacionale:Krerët e institucioneve të Kosovës, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, nuk kanë falënderuar Shqipërinë për nxjerrjen e kësaj rezolute.Do të duhej ta bënin një gjë të tillë?
Lama: Nuk mendoj se mediat duhet t’i fryjnë këtij fyelli, sepse bëjnë shërbim të keq. Është një melodi që i jep kënaqësi vetëm Serbisë e atyre që janë kundërshqiptarë. Nuk ka asnjë arsye që presidentja e Republikës së Kosovës dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, të jenë në armiqësi me qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Pse duhet trajtuar kështu?

Realisht këtu nuk ka asgjë për të bërë falënderime. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka bërë detyrën e tij kombëtare e kushtetuese, le të bëjë edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës detyrën e tij. Kaq është çështja. Falënderimi më i mirë, më i qartë dhe më i plotë sot bëhet duke u rreshtuar në frontin e luftës për të mbrojtur interesat kombëtare dhe sot interesi kombëtar që po tentohet të cenohet janë vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe portreti i Ushtrisë Çlirimtare që e barti atë luftë. Nuk ka interes më të rrezikuar kombëtar për këto momente, prej cenimit të të cilit rrjedhin shumë rreziqe të tjera. Uroj që politikanët, qeveritarët, udhëheqësit shtetëror dhe intelektualët e Republikës së Kosovës të orientohen drejtë e të jenë shumë luftarak në këto çaste.


Nacionale: Për gati dy vite në Hagë po mbahen në paraburgim krerët e UÇK-së. A po bëjnë sa duhet Kosova dhe Shqipëri për mbrojtjen e tyre?
Lama: Jo. Nuk po bëjnë deri tani asgjë për mbrojtjen e tyre dhe e theksova, jo për mbrojtjen e tyre, sepse ne nuk kemi nevojë për kilogramët e mishit të atyre burrave të Shqiptarisë që janë atje, por për dinjitetin e tyre dhe nëpërmjet tyre edhe për dinjitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Luftës së saj të lavdishme, që ndryshoj përfundimisht kahen e zhvillimit kombëtar shqiptar. Mjerë për ata që nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë këtë të vërtetë.

Kam lexuar diku se një kryetar bashkie kishte hequr përmendoren e heroit nga sheshi kryesor i qytetit se e kishte quajtur të vjetruar dhe kishte vënë përmendoren e tij, sepse i dukej se askush nuk mund të kishte qenë e nuk mund të ishte më i madh se ai. Uroj të mos kemi politikanë e qeveritarë që bien deri në nivele të tilla.

Prandaj do të apeloja, që të bëhet me intensitet një punë e kualifikuar, ligjore, politike dhe diplomatike, për të marrë të drejtën që po na e nëpërkëmbin. Dhe e drejta është që të mos guxojë askush të na përbaltë luftën tonë Çlirimtare dhe Ushtrinë që e barti atë.

Përballë kësaj kryqëzate që është ndërmarrë kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë që e barti atë, shqiptarët akoma nuk kanë krijuar një front unik lufte të pa kompromis. Kjo është keq. Kjo është papërgjegjshmëri kombëtare, shtetërore, politike, diplomatike dhe juridike. Ata që kanë ndërmarrë kryqëzatën kundër UÇK-së dhe luftës së saj, të jeni të sigurt që përveç se luftojnë me shumë forcë për të arritur synimet e tyre edhe qeshin me mefshtësinë tonë politike, diplomatike dhe juridike. Nuk ka gjë më të rëndë kur armiku të lufton edhe duke të shpërfillur e duke të qeshur. Uroj ta kuptojnë qeveritarët, politikanët dhe intelektualët, për të mësuar më së fundi se luftërat e mbrojtjes kombëtare bëhen edhe duke sulmuar fortë armikun.

Kurse aktualisht ne vijojmë qytetarisht, politikisht, intelektualisht dhe shtetërisht të vajtojmë, në vend që të sulmojmë.
Uroj që të mësojmë të sulmojmë.Le të mësojmë edhe nga Kroacia, e cila me mediat e saj dhe me deklarata politike, po flet për lavdinë tonë më shumë se sa po flasim ne për veten tonë, për vlerat e luftës tonë e për lashtësinë tonë.

Unë kam botuar një libër me titull: “UÇK përballë shpifjeve”, ku mendoj se e kam bërë plotësisht avokatinë e rrëzimit të kësaj gjykate që po na dëmton historinë, vlerat kombëtare, të ardhmen kombëtare, duke krijuar situata si ato të prokurorëve e të gjykatave naziste të Hitlerit kundër izraelitëve. Kërkoj që të merremi seriozisht të gjithë me këtë çështje që është më madhorja e kombit shqiptar në këtë fazë të historisë së tij.


Nacionale: Liderët institucional të Kosovës vetëm kur të pyeten nga gazetarët flasin për krerët e UÇK që janë Hagë. Duhet të ndërmarrin ndonjë veprim në raport me këtë gjykatë?
Lama: Unë e kam dëgjuar kryeministrin Kurti në një konferencë shtypi të thotë se detyra ime si kryeministër është të punoj për të bërë atë që duhet për ata që janë në Hagë dhe për krejt çështjen, dhe kjo nuk ka nevojë për deklarata e as për vizita të të ndaluarve në Hagë.

Më falni nëse nuk e kam cituar saktësisht fjalinë e tij, por përgjithësisht kjo ishte ajo që kuptova unë. E nëse është kështu unë jam dakord me të. Të bësh punën që duhet nuk ka nevojë për deklarata. E keqja është nëse nuk bën asgjë. Uroj të arrij të shoh rezultatin e asaj pune të pretenduar. Veç duhet pasur në vëmendje se kjo është një luftë e rreptë, me armiq të fortë dhe që nuk duhet marrë lehtë. Por edhe nuk duhet trembur prej saj.

Unë e di se lufta e UÇK-së është luftë e pastër. Kjo është tashmë një parullë që vërtetë më duket e tepërt ta përdorim, sepse po përdoret nga të gjithë dhe me vend e pa vend. Kush pyetet a shkruan bën atë deklaratën që i duket madhështore: Lufta e UÇK-së është luftë e pastër.

Kjo është një parullë kaq e përgjithshme sa nuk thotë asgjë. Edhe ata që na kanë vënë njëmijë shpifje e dinë këtë, por duan të na njollosin. E kjo parullë nuk është fshesa që pastron plehrat që na lëshojnë në oborrin tonë.

Fshesa jonë duhet të jetë trimëria për të mbrojtur veten, burrëria për të qenë të drejtë, dija për të ditur çfarë është e mirë e çfarë është e keqe, vënia e interesave kombëtare mbi ato personale e klanore, gjetja e vendit që të takon për të mos zënë vendin e tjetrit, dëshira për të bërë mirë, dashuria për atdheun e kombin, krenaria e qenies shqiptar, uniteti i mendimit dhe veprimit përballë armiqve dhe vendosmëria për të bërë detyrën ndaj të sotmes dhe të ardhmes kombëtare.

Udhëheqësit e UÇK-së që sot nga Haga po qëndrojnë në vijën e parë të frontit për të mbrojtur nderin e atdheut dhe të kombit, për të mbrojtur historinë, për të mbrojtur të ardhmen, duhet të na shikojnë se jemi në formacionet e kësaj lufte dhe këtë në radhë të parë duhet ta tregojnë shtetarët me veprimet e tyre si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Republikën e Shqipërisë.

Nacionale: Qeveria Kurti po akuzohet si qeveri anti-UÇK, ngase disa ministra janë shprehur hapur kundër luftës çlirimtare. Sa është i drejt një vlerësim i tillë?
Lama: Ju duhet të jeni të qartë për faktin e kryeministri Kurti është luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Askush nuk të beson të thuash që ai është kundër UÇK-së. Prandaj, nuk është mirë të përgjithësohen problemet. Unë nuk di se ka një akt qeveritar që të tregojë se kjo qeveri qenka kundër UÇK-së. As nuk duhet ta mendojmë këtë. Ndërsa individë që janë kundër UÇK-së ka pasur edhe gjatë luftës, jo më të mos ketë tani që jemi në paqe e gjuha shkon më lirë.

Ju e dini se kundërshtar ka edhe përballë Krishtit e Muhametit që janë pejgamberë të njerëzimit, jo të mos ketë kundër UÇK-së.

Gjithashtu, duhet ditur edhe që Lufta Çlirimtare e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare që e barti atë, ua ka prishur jetën të gjithë atyre që janë ndjerë mirë në gji të Serbisë, a pretendohet që ata të flasin mirë për UÇK-në e luftën e saj? Jo. As nuk duhet menduar e jo më pretenduar.

Megjithëse ata që qeverisin duket se pushtetin as nuk mund e marrin e as nuk mund e mbajnë pa u mbështetur te Lufta Çlirimtare dhe te Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Por për çudi nuk i duan luftëtarët, se si mund të ekzistojë një ushtri pa luftëtarë këtë as e kam kuptuar e as pretendoj ta kuptoj. Por ajo që vlen është të themi një fjali që e dëgjova nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë para disa ditësh, të cilën po e citoj konceptualisht: "Historia nuk të lëshon, - tha ai afërsisht – ajo të del përpara dhe të freskon memorien për çfarë ke bërë e çfarë ke thënë dhe për qëndrimet që ke mbajtur”.

Për këtë jam plotësisht i bindur, prandaj të bëjmë atë që duhet, të qëndrojmë si duhet e të themi atë që duhet, sepse nesër ballafaqohemi me veten e na vjen edhe keq e edhe turp. Sepse nesër do të përpiqemi të mbrohemi e do të bëhemi qesharakë. Shikoni se ka sot prej atyre që janë bërë qesharakë.

Njëherë një kryeministër pasi la detyrën më pati thënë: - Më vjen keq që nuk i plotësova kërkesat tua kur mu drejtove, ti kishe të drejtë, unë gabova.

- Je vonë, - i thashë, - tani ka kaluar ajo kohë, sado të kuptosh se ke gabuar, nuk korrigjon asgjë.

Ndërsa një ish president në një konferencë po jepte këshilla se si duhet të veprojë presidenti në detyrë për të qenë sa më funksional e bashkëkohor për çështjen kombëtare. Dhe pasi përfundoj kumtesën dhe erdhi e u ulë, i thashë: - Nuk veprove mirë, fole pa arsye. Ti ke qenë president. Nuk të ka ndaluar askush t’i bësh ato që po e këshillon t’i bëjë presidenti në detyrë. Pjesëmarrësit që të dëgjuan mos mendo se të miratuan për çfarë the, sepse të quajnë formalist.

I tregova këto dy episode, për të tërhequr vëmendjen për të gjithë ata që qeverisin, të bëjnë atë që duhet bërë sot, të mos bëhen pishman nesër kur të mos jenë, sepse nuk dihet nëse do të kenë ose jo një rast të dytë për të riparuar mangësitë.



Nacionale: Se fundi, Qeveria ka përjashtuar veteranët e UÇK-së nga ngritja e pagës minimale dhe ka kërkuar pastrimin e listave të veteranëve. Çka do të thotë kjo për qeverinë?
Lama: Kjo për mua është të merresh me asgjë. Ligji për veteranët është ligji më i keq që mund të jetë bërë ndonjëherë në shoqërinë njerëzore. Askund të botë nuk ka pension për veteranët. Po të duan të japin pension për veteranët le ta bëjnë pensionin 1000 euro në muaj. Që me atë pension veterani të mbajë familjen dhe të jetë me dinjitet në jetë. Por të bësh pension 170 euro apo qoftë edhe 230 sa po thonë se do të bëhet apo edhe 300 po të duan, kjo është shumë e pa vlefshme. Është thjeshtë shpenzim, është thjeshtë të harxhosh paratë e qytetarëve kot.

Unë kam thënë e kam shkruan shumë herë. Ky ligj është i keq. Ky ligj duhet ndryshuar. Pensioni për veteranët duhet hequr.

Për mua ai pension është thjeshtë një mjet presioni mbi veteranët, për t’u mbyllur gojën, për t’u thënë tani e keni pensionin mos u ndjeni më. Unë do të doja që me ligj të kishte një shpërblim për veteranët, le të ishte sa të ishte, le të ishte edhe 10 euro. Unë i pari do të shkoja ta merrja shpërblimin dhe të pija një kafe me shokët me shumë kënaqësi e krenari. Por ai pensioni është gjëja më e pa vlefshme dhe e shëmton figurën madhështore të luftëtarit të lirisë së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës po të dojë të bëjë rregullimet e duhura le ta ndryshojë ligjin e ta bëjë siç e kanë vendet e tjera, apo siç e kishin edhe Tito në Jugosllavi dhe Enveri në Shqipëri, në vitet 1945 – 1990, që ishte shumë funksional dhe praktik.

Ashtu sikurse nuk i rekomandoj qeverisë që bjerë në kurthin e shkurtimit të listave të veteranëve se nuk mund i paguajmë. Ky është një kurth i keq, që më duket se bëhet thjeshtë për politikë ditore.

E them këtë sepse çdo aplikim ka tre firma, të cilët janë edhe dëshmitarët e aplikuesit në qoftë se nesër do t’i drejtohet gjyqit për të fituar të drejtën e tij. E ato firma janë të eprorëve të drejtpërdrejtë të luftëtarit aplikues. Prandaj kjo praktikë nuk do të sillte asgjë përveç një numri pa fund gjyqesh dhe ato të gjitha të humbura nga qeveria. Nëse donë t’i afrohet të vërtetës qeveria le të gjejë sa mijëra e mijëra luftëtarë të UÇK-së nuk kanë status veterani sot, sepse nuk kanë aplikuar. Dhe po ju them që janë shumë mijëra që sot janë pa status veterani. Dhe janë se nuk kanë aplikuar, se nuk kanë dashtë të marrin merita, megjithëse nuk kanë bërë mirë. Por ky është fakt i vërtetë. Prandaj po përsëris edhe njëherë, të pretendosh për të krijuar një ushtri të vogël, kjo është vetëm punë në shërbim të Serbisë. Ajo ka deklaruar që në atë kohë se UÇK-së është me 410 luftëtarë, me 2000 luftëtarë e me 4000 luftëtarë, por ajo bënte politikën e saj sepse donte të jepte moral forcave që kishte sjellë në luftë në Kosovë dhe donte të justifikohej para opinionit ndërkombëtar, se në Kosovës nuk po lufton populli, por disa banditë, trafikantë, kriminelë, komunistë, islamistë etj. E për çudi këtë që e ka ditur Serbia për interesat e saj e kemi zbuluar tashmë edhe në Prishtinë. Kjo është e pa pranueshme. Pa moral.

Prandaj edhe njëherë e përsëris, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë një ushtri e vogël siç po duan të na e paraqesin qoftë edhe disa luftëtarë, ajo ka qenë ushtri e madhe dhe shifra prej 60 mijë luftëtarësh që unë kam dhënë me llogari në vitin 2003, konsideroj dhe argumentoj para çdo institucioni se është shifra minimale. Sepse po të kisha menduar t’i kategorizoja siç është bërë në këtë ligj që është në fuqi, do të ishin shumë më shumë. Ndërsa për pasqyrën kombëtare duhet pranuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur 2 milion luftëtarë dhe ka 16 mijë dëshmorë të atdheut. Mos e harroni edhe këtë, sepse është një vlerë e shtuar e kombit shqiptar.

Lajme të ngjashme