Konjufca nga Haga: Gjykata Speciale është bërë prej zorit, ka shumë defekte - NACIONALE

Konjufca nga Haga: Gjykata Speciale është bërë prej zorit, ka shumë defekte

1 vit më parë

nga NACIONALE

E PLOTËSUAR (13:25) -

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili po qëndron në Hagë për t’i vizituar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim, ka thënë se institucionet e Kosovës e shohin me shqetësim Gjykatën Specale.

“Me iu thënë të drejtën ne si Kosovë i shohim me shumë shqetësim. Shqetësuese ka qenë vet ekzistenca themelimi i kësaj Gjykate. Edhe ata që kanë menduar që është e pashmangshme edhe ata kanë pasur vërejtjet e veta në atë kohë kur është themeluar. Pra nuk është se është bërë prej qefit, ka qenë një far gjykate e zorit më thënë të drejtën, edhe ata që e kanë ngritur dorën kanë menduar se po të mos të bëhej prej Kosovës do të bëhej prej Kombeve të Bashkuara dhe prapë së prapë Kosovë do të pësonte. E di që në atë kohë nuk ka qenë e lehtë as për ata që kanë votuar kundër e as për ata që kanë votuar “për” ”, ka thënë i pari i Kuvendit në një intervistë për RTK.

Tutje, ai është shfaqur prapë kritik ndaj kësaj Gjykate duke thënë se po bëhen dy vite që krerët e UÇK-së janë në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor nuk ka fillua ende.

“Puna e saj deri tashme ka shumë defekte. Ajo që menjëherë ta merr vëmendjen, është se po bëhen dy vjet që këta janë të izoluar dhe procesi gjyqësor nuk po fillon”, ka shtuar Konjufca.

Konjufca takoi Krasniqin, nesër takon Thaçin dhe Veselin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka filluar takimet me krerët e UÇK-së, të cilën gjenden në paraburgim në Hagë.

Shefit i kabinetit të tij, Ilir Kërçeli, ka treguar se Konjufca sot ka takuar Jaku Krasniqin, ndërsa pas drekës do ta takojë Rexhep Selimin.

Ai ka bërë me dije se Konjufca nesër do të takojë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Sot bashkë me kryeparlamentarin Konjufca filluam vizitat në Hagë, takuam ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi e Pjetër Shalën, pas drekës takojmë gjeneral Rexhep Selimin. Kurse nesër ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, e poashtu edhe të dënuarit nga shoqata e veteranëve të luftës Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”, duke u shprehur i bindur në pastërtinë e luftës së UÇK-së.

Ne besojmë fuqishëm në pastërtinë e luftës çlirimtare të popullit tonë në krye me UÇK-në. Sikundër jemi të bindur se adresa e krimeve barbare dhe gjenocidit mbi popullin tonë është Serbia agresore, e pandëshkuar deri më tani. Të bashkuar me njëri tjetrin mbrojmë historinë e vendit tonë”, ka shkruar ai.

Megjithatë, veç të akuzuarve nga Gjykata Speciale, kryeparlamentari ka pak gjasa të takohet me ndonjë përfaqësues të gjykatës. Kështu ka konfirmuar të paktën shefi i kabinetit, Kërçeli.

“Në këtë rast as nuk kemi bërë kërkesë, e as nuk është menduar njëherë, pa i vizituar të burgosurit”, ka thënë shefi i kabinetit të Konjufcës.

Se nuk ka ndonjë agjendë me udhëheqësit e Gjykatës Speciale, e kanë konfirmuar edhe vetë këta të fundit për gazetën.

“Ne nuk jemi në dijeni për orarin e z.Konjufca gjatë kohës që ai do të jetë në Hagë”, kanë thënë për gazetën Nacionale nga Gjykata Speciale.

Përgjatë vizitave të kaluara, dilemat kanë qenë nëse vizitat e krerëve të shtetit nga Kosova, iu merren nga koha e vizitave familjare të akuzuarve nga Specialja.

Madje, një gjë të tillë e kishte thënë edhe vetë Nasim Haradinaj kur kishte folur në seancë për vizitën e Avokatit të Popullit të Kosovës. “Kur ka ardhë avokati i popullit tuaj, e keni llogaritur vizitë zyrtare. E vizitën e avokatit të popullit tim, e keni shkruar si personale”, kishte thënë ai.

E duket se situatë e ngjashme do të jetë edhe me vizitën e Konjufcës. Kështu të paktën është lënë të nënkuptohet nga vetë përgjigja e Gjykatës Speciale.

“Udhëzuesi mbi Vizitat bën dallimin ndërmjet vizitave personale dhe special. Vizitat special përfshijnë ato nga Ombuspersoni i Dhomave të Specializuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe vizitat konsullore, vizitat e ndonjë gjyqtari, sekretarit ose anëtarëve të stafit. Për sa i përket procedurës se si kërkohet vizita për një ose më shumë të paraburgosur, të gjitha vizitat e tjera trajtohen si vizita personale. Nëse një visitor është duke vizituar në një funksion personal ose zyrtar, varet nga ai”, bëhet e ditur në përgjigjen e Speciales për gazetën Nacionale.

Para disa ditësh, Konjufca tha se Specialja po ua shkel të drejtat ish-krerëve të UÇK’së.

“Shkojmë si institucione që përfaqësojmë republikën tonë. Shkojmë që të shohim si trajtohen. Duket qartë se në disa aspekte ata apo shkelin të drejtat e tyre. Ata po i afrohen kohës 2-vjeçare të paraburgimit dhe s’është bërë asgjë. Nuk u është siguruar as mbrojtja e tyre në liri. Jemi të shqetësuar si institucione. Do flasim me zotërinjtë Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli për këto çështje”, ka deklaruar Konjufca

Kryetari i Kuvendit bëhet zyrtari i parë i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, që pranohet në takim nga të gjithë të arrestuarit në Hagë.

Njësoj nuk kishte ndodhur kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte qëndruar në Hagë. Atë e kishin refuzur Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Lajme të ngjashme