Ndërtuesit zbulojnë ar me vlerë 9 milionë euro në muret e një shtëpie në Belgjikë
Ndërtimtarët që po rinovonin një shtëpi në Belgjikë kanë gjendur një sasi të madhe të arit me vlerë rreth 9 milionë euro, i fshehur në muret e bodrumit.
Punëtorët e ndërtimtarisë hasën në arin e fshehur në formë kallëpesh e monedhash përderisa po rrëmihnin për t’i vendosur gypat e rinj të kanalizimit në shtëpinë që ndodhet në Flanders, raportojnë mediat lokale, transmeton televizioni BBC.
Zbulimi i pazakontë ka nxitur interesim për atë se kush mund ta marrë pronësinë e arit. Edhe ndërtuesit, edhe një organizatë bamirëse lokale, që e ka në pronësi shtëpinë, kanë mundësi për t’i paraqitur pretendimet e tyre.
Pas fillimit të një hetimi, policia i paralajmëroi njerëzit që të mos i afrohen objektit për të kërkuar më shumë ar, duke thënë se shtëpia “është kthyer mbrapsht” dhe i tërë ari është vendosur në një vend të sigurt.
Ndërtuesit, përfshirë një 18-vjeçar që këtë profesion po e ushtronte vetëm si punë vere, e gjetën arin përderisa po punonin në themelin e shtëpisë.
“Reagimi ynë i parë ishte mosbesimi, mahnitja. Së pari mendova se ishin monedha 1-euroshe, por pastaj pamë edhe një kallëp ari aty. Në atë moment kuptuam se ishte diçka më e madhe” – tha studenti i quajtur Kobe.
Ata e njoftuan policinë për zbulimin dhe shpjeguan se mbajtja e arit për vete nuk ishte opsion. “Kishte shumë monedha dhe kallëpe, do të ishte pothuajse e pamundur. Përpos kësaj, kjo do të ishte vjedhje” – tha menaxheri i vendpunishtes, Mario.
Studenti Kobe u pajtua: “Nëntë milionë euro – thjesht nuk mund t’i mbash të fshehura.”