“Ka nevojë për kontroll” – Gjykata Speciale dhe shtetet kontribuese i përgjigjen Konjufcës - NACIONALE

“Ka nevojë për kontroll” – Gjykata Speciale dhe shtetet kontribuese i përgjigjen Konjufcës

1 muaj më parë

nga Besian Beha

Me t’u kthyer nga Haga, kryeparlamentari Glauk Konjufca shfaqi publikisht kundërshtimin e tij për mëyrën se si po punon Gjykata Speciale. Pas takimeve me Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin, Gucatin e Haradinajn, kryetari i Kuvendit e vlerësoi Specialen si një gjykatë absolutise e cila ka nevojë për mekanizëm kontrolli.

“Mënyra se si po funksionon kjo gjykatë me thënë të drejtën, nuk i jep llogari kurrkujt, e kështu nuk ka askund në botë. Ka nevojë për një mekanizëm të llogaridhënies e ky mekanizëm i llogaridhënies nuk po shihet askund në horizont. Kosova nuk e ka kurrfarë mekanizmi që e kontrollon dhe ndaj të cilit jep llogari Gjykata Speciale, por në anën tjetër Kuvendi është themelues i kësaj gjykate”, ka thënë Konjufca pak ditë më parë pas kthimit nga Haga.

Deklaratave të Konjufcës i është përgjigjur vetë Gjykata Speciale. Në një deklaratë për gazetën Nacionale nga Haga kanë theksuar se puna e Gjykatës deri më tash është krejtësisht e bazuar me mandatin që e ka.

“Dhomat e Specializuara janë gjykatë që funksionojnë brenda mandatit të rënë dakord mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës siç parashihet me kornizën ligjore në Kushtetutë dhe Ligj. Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara parashikon të drejtat dhe liritë themelore sipas Kushtetutës dhe Dhomat e Specializuara zbatojnë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në përputhje me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në përgjigje.

Konjufca foli për mekanizmin e kontrollit dhe krijimin e një kontrolli ndaj Gjykatës me seli në Hagë. Megjithatë, Specialja i përgjigjet duke pretenduar se gjyqtarët nuk ndikohen nga asnjë autoritet apo mekanizëm të tillë.

“Si në çdo sistem gjyqësor të bazuar në sundimin e ligjit, ky kuadër ligjor parashikon gjyqtarë të pavarur, të cilët nuk kontrollohen apo ndikohen në mënyrë të padrejtë nga asnjë autoritet ekzekutiv apo legjislativ”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Edhe shtetet kontribuese kundërshtojnë Konjufcën

Gjykata Speciale në Hagë burim kryesor financimi e ka Bashkimin Evropian. Megjithatë, BE-ja nuk ka pranuar ta thotë asnjë fjalë në lidhje deklaratat e Konjufcës. Nacionalen ata e kanë udhëzuar që pyetjet t’i drejtojnë tek zyra për informim e Gjykatës Speciale.

Megithatë, të heshtur nuk kanë qëndruar shtetet e treta kontribuese në Gjykatën Speciale. Zvicra si një nga financuesit kryesorë ka thënë për Nacionalen se e përkrahin punën e Speciales.

“Si Dhomat e Specializuara edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke funksionuar në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare e cila është ratifikuar edhe nga Kosova, përmbushin një mandat të rëndësishëm. Ato përbëjnë institucione të domosdoshme në luftën kundër mosndëshkimit kur bëhet fjalë për krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera të kryera në Kosovë mes 1 janarit 1998 e 31 dhjetorit 2000”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Zvicrës për Nacionalen.

Qeveria zvicerane nuk ka pranuar të jap komente për mekanizmat monitorues, por ka theksuar se e përkrahin punën e Speciales.

“Fakti që një nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara të Kosovës është shtetas zviceran dhe që Zvicra jep një kontribut financiar në aktivitetet e komunikimit publik të Dhomave, dhe për më tepër vë në dispozicion dy ekspertë ligjorë si për Dhomat e Specializuara ashtu edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, nënvizon rëndësinë që ne i kushtojmë punës së këtyre institucioneve”, thuhet në përgjigjen e Zvicrës.

Në mesin e shteteve kontribuese është edhe Norvegjia, e cila ka theksuar se po i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Gjykatën Speciale.

“Norvegjia ka kontribuar në themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës përmes financimit gjatë periudhës 2015-2017. Po ndjekim me interes proceset e vazhdueshme në dhoma. Pyetjet në lidhje me krijimin e një mekanizmi monitorues duhet t'u drejtohen Dhomave”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Norvegjisë për Nacionalen.

Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresën e ambasadës amerikane në Prishtinë, për të marrë një koment rreth këtyre deklaratave, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

Glauk Konjufca është bërë në mesin e zyrtarëve të parë më të lartë të shtetit, që ka vizituar të akuzuarit në Hagë. Ai ka theksuar se Kosova duhet t’i vlerësojë mundësitë për krijimin e një mekanizmi të kontrollit ndaj Gjykatës Speciale.

Lajme të ngjashme