Intervistë | Kryeziu: Kurti premtoi hapje të dialogut për serbët, por procesin e mbylli edhe për shqiptarët - NACIONALE

Intervistë | Kryeziu: Kurti premtoi hapje të dialogut për serbët, por procesin e mbylli edhe për shqiptarët

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë të transparencës në procesin e dialogut me Serbinë.

Ai ka vlerësuar se në krahasim me qeveritë e kaluara, Qeveria Kurti ka bërë hapa mbrapa në këtë drejtim.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Kryeziu ka thënë se si udhëheqës opozitar Kurti premtonte hapjen e një dialogu të brendshëm me komunitetin serb, ndërsa tani këtë proces e ka mbyllur edhe për qytetarët shqiptarë.

Kryeziu, i cili prej vitesh monitoron këtë proces, ka vlerësuar se në dialogun e Brukselit Kurti e ka përjashtuar Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, komunikimin me opozitën kryeministri po e zhvillon nëpërmjet emisarëve ndërkombëtarë.

Kryeziu ka ftuar Qeverinë dhe opozitën që të angazhohen ta nxjerrin Kosovën nga pozicioni defanziv në procesin e dialogut.

Sipas tij, sjellja “tërhiqe e mos e këput” nuk është as e favorshme e as e duhura për Kosovën.

Nacionale: Z. Kryeziu, javën e kaluar kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takimin e radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ndonëse takimi nuk solli ndonjë rezultat, kryeministri deri vonë nuk ka treguar detaje se çka është biseduar. A do të duhej të ishte më transparent kryeministri me këtë proces?

Kryeziu: Kryeministri Kurti ka bërë një hap prapa krahasuar me qeveritë pararendëse, sa i përket transparencës së takimeve, publikimit të platformës apo strategjisë për procesin e dialogut. Kjo përbën veprim në kundërshtim të plotë me veprimet dhe kërkesat e vetë kryeministrit dhe partisë së tij, para ardhjes në pushtet. Për më tepër, kryeministri Kurti ka vazhduar të injorojë Kuvendin si institucioni më i lartë mbikëqyrës – duke raportuar me vetiniciativë para të zgjedhurve të popullit vetëm një herë, dhe atë në qershor të vitit të kaluar. Nga një udhëheqës opozitar, që premtonte hapjen e një dialogu të brendshëm me komunitetin serb, ai po përfundon në një kryeministër që ka mbyllur dialogun edhe me qytetarët shqiptarë. Diskutimet apo informimin e publikut për dialogun, kryeministri e ka bartur tek vartësit e tij, kurse komunikimin me opozitën – si akterë të rëndësishëm në arritjen e një konsensusi politik – po e zhvillon nëpërmjet emisarëve ndërkombëtarë.

Nacionale: Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka lavdëruar Serbinë dhe ka kritikuar Kosovën për këtë takim, duke thënë se pala serbe kishte shkuar e përgatitur për bisedime, kurse pala kosovare jo. Si e keni parë këtë deklaratë të diplomatit amerikan?

Kryeziu: Shumë pak informata, dhe ato të copëzuara, kemi për zhvillimet në takimin e fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit, por, marrë parasysh se kjo deklaratë vjen nga një diplomat amerikan që është i familjarizuar me kontekstin politik regjional por dhe vetë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, besoj se do të duhej të trajtohet si një mesazh i drejtpërdrejtë dhe i nevojshëm që pala kosovare, në këtë rast qeveria, duhet t'i qaset shumë më përgjegjshëm rolit të saj në procesin e dialogut. Qeveria e Kosovës nuk mund të sillet si e vetme në këtë proces dhe refuzuese ndaj partnerëve tanë, sepse zhvillimi i dialogut dhe arritja e një marrëveshjeje mes dy shteteve, ka ndikim më të gjerë se sa vetë marrëdhëniet mes dy shteteve.

Nacionale: Emisarët euro-amerikanë për dialogun Kosovë-Serbi kanë qëndruar në Prishtinë, duke takuar krerët e institucioneve dhe ata të opozitës. Çka flet kjo për procesin e dialogut të Brukselit?

Kryeziu: Nëse këto vizita kanë të bëjnë vetëm me zhvillimet e fundit dhe afatet kohore të vendosura nga Qeveria e Kosovës për fillimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, e shpërfaqin Brukselin të pafuqishëm në ushtrimin e mandatit të tyre, jo vetëm si ndërmjetësues por dhe si garantues për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Paaftësia e BE-së për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe qasja një hap para–tre mbrapa, duke rikthyer në tryezë rinegocimin mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura, e bën shumë më komplekse edhe më pak të besueshme nevojën e dialogut në këtë format, si mundësi drejt një normalizimi të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Nacionale: Së fundi kemi parë edhe gatishmërinë e sekretarit amerikan të shtetit për t'u përfshirë në proces, nëse është nevoja. A do të thotë kjo se jemi afër marrëveshjes finale në mes të dy shteteve?

Kryeziu: Një dialog, i cili si proces po duket se s’ka një pikë kohe të kornizuar se kur duhet të përfundojë, e bën më se të nevojshme përfshirjen e shumë shteteve tjera, qoftë dhe përmes shuttle-diplomacisë, përtej tryezës së Brukselit dhe të deleguarve të BE-së. SHBA-të, jo vetëm këtë herë por edhe gjatë administratës së udhëhequr nga republikanët, me përfshirjen e tyre direkte në ndërmjetësim, duke dinamizuar procesin dhe duke ofruar garancitë e nevojshme për të arritur deri tek një marrëveshje, janë angazhuar për të përmbyllur këtë proces, përmes së cilit do t'i shërbehet paqes dhe stabilitetit në rajon.

Nacionale: Cila duhet të jetë qasja e Kosovës, Qeverisë dhe opozitës, ndaj procesit të dialogut?

Kryeziu: Qeveria, por dhe partitë politike e institucionet tjera relevante, duhet të ndjekin një strategji e cila e nxjerr Kosovën nga pozita defensive, pozitë e cila është filluar me qeveritë pararendëse, e së cilës është duke i kontribuar dhe më shumë qeveria aktuale. Kryeministri nuk duhet të tregohet mospërfillës ndaj nevojave, urgjencës dhe impaktit që ka ky proces. Ai duhet të demonstrojë përkushtim dhe fuqi e lidership, që kërkohen në procese si pajtimi dhe arritja e normalizimit të marrëdhënieve mes dy popujve që kanë dalë nga lufta. Sjellja “tërhiqe e mos e këput” nuk është as e favorshme e as e duhura për Kosovën. Qeveria, por edhe partitë politike duhet të kenë orientim dhe strategji për përmbylljen e dialogut, daljes nga ky proces apo ndryshimit të formatit të tij. Veç fotografitë dhe pjesëmarrja në tryezën e dialogut të Brukselit nuk janë të mjaftueshme e as të mençura për Kosovën.

Nacionale: Problemi kryesor në këtë proces po shihet se është tek themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Çfarë veprimesh duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës në këtë drejtim?

Kryeziu: Humbja kohë, stërzgjatja dhe zvarritjet e këtij procesi, paralelisht me mungesën e vullnetit politik për zbatimin e marrëveshjeve të arritura apo rikthimi i këtyre marrëveshjeve në tryezën e dialogut, janë faktorë favorizues për Serbinë, e jo për Kosovën. Prandaj, ne nuk kemi pse të jemi kopjues të politikave destruktive që shteti i Serbisë i bën suksesit potencial që mund të arrihet përmes procesit të dialogut.
Avancimi i të drejtave të komuniteteve pakicë i jep vlerë demokracisë kosovare. Nëse këto të drejta i shërbejnë integrimit të këtyre komuniteteve, ne s’duhet t'i shohim si rrezik. Tani kur kemi deklarim dhe pozicionim të zëshëm të partnerëve ndërkombëtarë rreth formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Qeveria e Kosovës duhet që, pa humbur kohë, të paraqesë draft-dokumentin për themelimin e Asociacionit – bazuar në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.

Lajme të ngjashme