Tash nis loja përnjëmend: Dialogu Kosovë-Serbi pritet të dinamizohet
Përfundimi i zgjedhjeve presidenciale dhe nacionale në Serbi mund ta përshpejtojë dinamiken e procesit të dialogut në Bruksel.
Monitoruesit e procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi kanë vlerësuar se BE-ja dhe ShBA-ja, pas rizgjedhjes se Aleksander Vuçiqit president i Serbisë, do të shikojnë mundësinë e intensifikimit të këtij procesi.
Arbër Fetahu, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për gazetën Nacionale se në përshpejtimin e këtij procesi do të luaj rol edhe lufta në Ukrainë.
“Nëse e shohim racionalisht se si është situata në terren atëherë, po, do të duhej të prisnim një dinamizim të procesit të dialogut. Sidoqoftë, është vështirë të bëjmë hipoteza të sakta pasi që bllokadat në dialog dhe ndryshimi i shpeshtë i trajektores së dialogut dhe rrethanave kanë bërë që dialogu të pësoj tronditje. Ndonëse, duke e parë rrjedhën gjeopolitike në Evropë, besoj që nga ndërmjetësuesi BE-ja dhe nga ShBA-ja, do të ketë një tentativë për intensifikim të procesit”, ka thënë Fetahu.
Ai ka treguar se tani ekzistojnë të gjitha predispozitat për ndryshim të dinamikës së këtij procesi.
“Testi i parë do të jetë marrëveshja për targa, dhe nëse që nga aty do te ketë bllokadë dhe jo ecje para, atëherë mund të themi që procesi ka rrezik të qëndroj në vendnumërim. Por predispozitat për dinamizim të procesit ekzistojnë, si në rrafshin e vendeve veç e veç, po ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Edhe politologu Avdi Smajljaj pret që SHBA-ja dhe BE-ja të merren me intesivisht me procesin e dialogut. “Megjithatë, dialogu dhe arritja e një marrëveshje varet nga te gjitha palët, sidomos nga shtytja që komuniteti ndërkombëtar ShBA-ja dhe BE-ja duhet t’i japin këtij procesi. Droja që mund të jetë është neglizhenca nga ana e Serbisë, për një zgjidhje përfundimtare, duke pritur zhvillime ndërkombëtare të cilat do ta favorizonin atë më mirë në këtë proces. Mendoj sa vonesat në marrëveshje dhe zgjidhje të çështjeve, janë më se paku në favor të Kosovës, andaj kërkohet dinamikë më e madhe për përmbylljen e këtij procesi”, ka thënë Smajljaj.
Qeveritë kanë shumicë të fortë
Njohësit e procesit të dialogut kanë bërë me dije se të dy qeveritë, në Beograd dhe Prishtinë, kanë legjitimitetin e duhur për të vazhduar përpara drejt një marrëveshje përfundimtare në Bruksel.
Sipas tyre, në proceset e bisedimeve legjitimiteti politik është faktor shumë i rëndësishëm që mundëson arritjen e një marrëveshje.
“Shikuar nga prizmi i stabilitetit politik, legjitimitetit dhe përfaqësimit politik, mund të themi se në Serbi dhe Kosovë kemi qeveri me shumicë të fortë dhe stabile politikisht. Fuqia politike e qeverive nëse e shikojmë në bazë të një analize që e ka për bazë stabilitetin politik është predispozitë e rëndësishme për çuarjen përpara të negociatave. Prandaj fitorja e Vuçiqit tregon që Serbia nuk e ka çështje përfaqësimin politik në dialog, dhe mund të hapen mundësitë për ri-vazhdim të procesit. Ndonëse në substancë kjo fitore e Vuçiq nuk përbën ndonjë ndryshim me të kaluarat, rrjedhimisht nuk kemi parë që ka ndonjë ndryshim drastik të pozicionit të tij karshi Kosovës, dhe dialogut në veçanti. Andaj, duhet të shohim nëse rrjedhat gjeopolitike dhe involvimi i aktorëve tjerë ndërkombëtarë do ta shtyjë përpara procesin”, ka thënë Arbër Fetagu nga Grupi për Studime Juridike dhe politike.
As politologu Avdi Smajlja nuk pret që presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq , të ndryshoj qëndrim ndaj Kosovës. “Përderisa në skenën politike në Serbi zgjedhjet nuk kanë prodhuar ndryshime në pushtet, atëherë mendoj se nuk do të këtë ndryshime në qasjen sa i përket dialogut, e cila në masë të madhe është dëshmuar e natyrës 'tërhiqe e mos e këput', në kuptimin që Serbia e ka shfrytëzuar dialogun si proces për të avancuar në agjendën e integrimeve, por jo edhe si përpjekje për të gjetur zgjidhje për çështjet e pazgjidhura me Kosovën”, ka thënë Smajljaj.
Dialogu është interes i Kosovës
Liderët institucionalë të Kosovës janë shprehur të gatshëm për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, ndonëse nuk kanë rreshtuar së cilësuari Serbinë si shtet jo demokratik.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se dialogu i Brukselit është në interes të Kosovës.
“Pritjet tona janë shumë të mëdha nga Bashkimi Evropian dhe, natyrisht, institucionet e Kosovës do të kontribuojnë në këtë drejtim, por nuk mund të them që kemi pritje optimiste sa u përket sjelljeve të Serbisë. Ky [dialogu] është proces, në të cilin ne duhet të angazhohemi vazhdimisht dhe ta japim më të mirën tonë, sepse duhet të përqendrohet në njohje reciproke. Ky është interes i Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani në një konferencë për medie.
Kurse, ditë më parë, Ministrja e Ekonomisë, Artan Rizvanolli, se Kosova nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë. “Sigurisht që ka aspekte që mund ta lehtësojnë jetën tonë, por dialogu me Serbinë nuk është në top-listën e problemeve tona, ose më saktë zgjidhjeve tona. Sigurisht që kemi problemin e energjisë në veri, të cilin e kemi tash e 23 vjet, e për të cilin jemi duke punuar. Presim rezultatet e dialogut në këtë aspekt. Ne si shtet i Kosovës kemi bërë maksimumin. Shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe Rregullatorin e Energjisë si edhe disa ekspertë nga Kosova dhe diaspora, të cilët i kemi konsultuar gjatë këtyre negociatave, të cilët kanë qenë shumë këmbëngulës në ruajtjen e interesit të shtetit të Kosovës në mënyrë shumë konstruktive, gjë që është njohur edhe nga ana e BE-së dhe tani presim të shohim edhe sesi do të zhvillohet më tej”, ka thënë Rizvanolli në një intervistë për DË.
Prej ardhjes në pushtet të kryeministrit Albin Kurti, në Bruksel kanë ndodhur vetëm dy takimeve me presidentin e Serbisë, Alkesander Vuçiq.
Në kuadër të këtij procesi, është zhvilluar edhe niveli i dialogut teknik i kryesuar nga kryenegociatorët, i cili më herët është kritikuar nga kryeministri Albin Kurti.
Në këtë nivel të dialogut, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar disa takime në Bruksel.