Hoxhaj: Kurti po e izolon Kosovën, kjo qasje është veç në interes të Serbisë - NACIONALE

Hoxhaj: Kurti po e izolon Kosovën, kjo qasje është veç në interes të Serbisë

4 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka përgëzuar Serbinë për qasjen e saj në takimin e 18 gushtit, teksa ka kritikuar Kosovën, duke ngjallur reagime të shumta në opinionin kosovar. E krejt kritik ndaj qasjes së Kurtit është Enver Hoxhaj i PDK-së, i cili po e akuzon Kurtin se po e vetizolon Kosovën.

Një përgjigje për Hillin, e dha sot kryeministri Albin Kurti në konferencë për medie, ndërsa simpatizantë të VV-së tashmë kanë filluar ofendimet ndaj Hillit nëpër komente në Facebook.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka kritikuar vazhdimisht qasjen e Kurtit në dialogun me Serbinë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Hoxhaj, që është edhe nënkretar i Kuvendit nga radhët e PDK-së, konsideron që Kurti po vetizolohet për shkak të mënyrës së dialogimit me Serbinë.

Kritika e Hoxhajt

Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, në një prononcim për Nacionale, deklaroi se Kurti nuk është duke negociuar për marrëveshjen finale që ka qëllim njohjen e Kosovës.

Sipas ish-kryediplomatit të Kosovës, dialogu tash po bëhet për të menaxhuar krizat, gjë që është në interes të Serbisë.

Qasja e Kosovës në dialog me Serbinë po lëviz në rreth të mbyllur dhe jo drejt qëllimit final - marrëveshjes për njohje të ndërsjellë! Përzgjedhja e temave teknike me përfitime populiste, kanë zëvendësuar dialogun nga një platformë për normalizim ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë në temë të menaxhimit të krizës! Kjo qasje është vetëm në interes të Serbisë, që çdoherë synon ta mbajë Kosovën larg nga marrëveshja e madhe, e të përqendruar në kriza të vogla”, tha Hoxhaj për Nacionalen.

Më tutje, Hoxhaj tha se Kryeministri Kurti po dialogon pa vizion, pa platfomrë dhe pa parime.

Kryeministri Kurti dikur thoshte që Kosova duhet të jetë palë e barabartë në tavolinë, dhe jo në meny, por ai tashmë e ka bërë Kosovën temë në menynë e menaxhimit të krizave ndërkombëtare! Kjo është pasojë kur negociohet pa vizion, pa platformë, pa parime dhe pa qëllime”, tha ai.

Ish-shefi i diplomacisë së Kosovës ka thënë se Kurti me ngathtësinë e tij po ia humb shansin Kosovës që gjatë presidencës së Biden të arrijë një marrëveshje të favorshme.

Për më shumë, Hoxhaj thekson se Kurti po shkon drejt izolimit të vetimponuar.

Ndryshimi gjeopolitik është aq i shpejtë dhe reagimi i z. Kurti është aq i ngadaltë, saqë Kosova po humb shansin historik që gjatë Presidencës Biden të arrijë një marrëveshje historike me Serbinë, në një kohë të rënies së Rusisë dhe izolimit të Serbisë! Për amerikanët ekziston një plan kohor që duhet të mbyllet tema e raporteve tona me Serbinë, por Kosova nën udhëheqjen e z. Kurti, po lëviz në kohë e hapësirë drejt izolimit të vetimponuar”, përfundoi Hoxhaj.

Amerikano-evropianët në Prishtinë

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, po qëndrojnë në Prishtinë.

Gjatë të mërkurës, Escobar e Lajçak do të takohen me krerët më të lartë shtetërorë dhe me opozitën kosovare.

Hapa të mëdhenj fizikë do të bëjnë dy diplomatët, duke u vërtitur nga Qeveria në Presidencë, edhe pse nuk përjashtohen zhvillime të reja pas takimeve.

Së pari, Escobar e Lajçak do të shkojnë në Presidencë, te komandantja supreme e Kosovës, e pastaj në zyrë të Qeverisë, te Kurti.

E dikur më vonë, të dy do të takojnë edhe opozitën kosovare, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në.

Lajme të ngjashme