Dita e takimeve për dialogun, Escobar e Lajçak i shkojnë në zyrë Kurtit e Osmanit - e pastaj presin opozitën
E mërkura do të jetë ditë e ngjeshur me takime për dy të deleguarit amerikano-evropian. Gjatë ditës, Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, dhe Miroslav Lajçak, emisar special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, do të takojnë bashkë kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe partitë opozitare. Hapa të mëdhenj fizik do të bëjnë dy diplomatët, duke u endur nga Qeveria në Presidencë, ndonëse nuk përjashtohen edhe zhvillime praktike.
Kurti nuk do të arrijë ta shijojë për asnjë moment kthimin nga Norvegjia, pasi që në zyrën e tij do të zbarkojnë Escobar e Lajçak.
Por, së pari presidentja Osmani do ta takojë Escobarin e Lajçakun, të cilët do ta takojnë edhe opozitën, siç merr vesh Nacionale.
Natyrisht, tema e diskutimit do të jetë pashmangshëm dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, dy vendet që javëve të fundit janë përplasur me deklarata. E gjithë kjo iniciativë euro-atlantike po vjen pas dështimit të arritjes së një marrëveshje në takimin e 18 gushtit, që erdhi për shkak të tensioneve të larta në veri të Kosovës.

Dje Escobar takoi presidenten dhe darkoi me liderët opozitar, por Kurti nuk ishte në Kosovë për të pritur amerikanin që erdhi nergut për të takuar krejt liderët kosovarë.
I pari i ekzekutivit është kthyer dje nga Norvegjia, dhe sot të mbajë një mbledhje të Qeverisë, ku pritet të deklarohet rreth takimit të 18 gushtit.
E për takimin Kurti-Vuçiq ka folur përsëri ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili hodhi kritika në drejtim të Kosovës, duke thënë se “pala e tretë” erdhi e papërgatitur për të diskutuar çështje specifike në dialog.
Çfarë pritet të ndodh sot?
Amerikani Escobar dhe evropiani Lajçak do të bëjnë shumë hapa për dialogun. Kuptohet hapa fizik, megjithëse nuk përjashtohen . Nga ndërtesa e Qeverisë në atë Presidencës, për të takuar ndaras dyshen Kurti-Osmani.
Nuk dihet sa të zgjasin takimet dhe nëse do të ketë ndonjë konferencë të përbashkët pas përfundimit të bisedimeve. Megjithatë, tema e diskutimit tashmë është krejtësisht e qartë: dialogu Kosovë-Serbi dhe reciprociteti me targa dhe dokumente, që u spostua në zbatim deri më 1 shtator, pas kërkesës amerikane.
Ditën e takimeve zyrtare, Escobar e Lajçak e fillojnë në ora 14:00, kur së bashku do të trokasin në derën e komandantes supreme të Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin e Presidencës theksohet se Osmani pret në takim dy përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së.
Ndërsa, në njoftimin e Qeverisë së Koosvës kuptohet që koha takimit mes Escobarit, Lajçakut e Kurtit është caktuar në ora 15:00.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák. Mediat mund të marrin pamje në oborrin e ndërtesës së Qeverisë.
VENDI: Ndërtesa e Qeverisë
KOHA: 15:00”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Dje, Escobar i vetëm takoi Osmanin e liderët opozitarë, gjersa Kurti po kthehej nga Norvegjia për në Kosovë.
Se çfarë u bisedua me Escobarin, një ditë pas kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, shkroi në Facebook. Ai tha se në takimin me të dërguarin e SHBA-ve për dialogun me Serbinë, është biseduar për gjetjen e një zgjidhje për zbatimin e ligjit në veri të Kosovës.
Haradinaj ka vënë në pah se takimi ka qenë i frytshëm.

“Gjatë darkës në rezidencën e Ambasadorit amerikan Jeffrey M. Hovenier, me të dërguarin e posaçëm për dialogun z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit, zhvilluam një diskutim të frytshëm për gjetjen e zgjidhjeve rreth zbatimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat dhe mik i besueshëm dhe së bashku do ta ruajmë paqen dhe sigurinë.”, ka shkruar ai.
Ndërsa, PDK e LDK deri më tani nuk janë deklaruar ende për këtë takim.
Hilli që “dridhi” Kosovën
Ambasadori i njohur amerikan, Christopher Hill, është deklaruar përsëri rreth takimit të 18 gushtit, duke thurur elozhe për Serbinë, e cila sipas tij u shfaq konstruktive.
Ndërsa, ai deklaroi se pala tjetër, duke mos e përmendur me emër Kosovën, tha se nuk ishte e përgatitur.
“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika", tha fillimisht ai.
Tutje, ai tha se të dyja palët duhet të zgjidhin problemet.
"Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por, po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen. Për mua është kyçe që komuniteti serb të ndihet si në shtëpi në Kosovë dhe të sigurt. Pra, janë disa përpjekje për të cilat duhet të bisedohet dhe besoj që këto përpjekje do të vazhdojnë”.




