Komandanti i KFOR-it këshillon Kurtin: E kemi diskutuar edhe me të, s'është mirë të flitet për luftë
Për disa ditë radhazi kryeministri Albin Kurti ishte kryelajm në mediat vendore e ato ndërkombëtare. Shefi i ekzekutivit, dy herë brenda pak ditëve paralajmëroi një konflikt të mundshëm mes Kosovës e Serbisë. Këto deklarata të tij, u demantuan në mënyrë të qartë sonte nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari.
Opozita i cilësoi deklaratat e kryeministrit Kurti si përhapje e panikut. Për disa ditë, mundësia për fillimin e një luftë në Kosovë, u diskutua vazhdimisht. Krejt kjo, pasi këtë e paralajmëroi i pari i shtetit.
Një gjë të tillë e ka mohuar sot gjeneralmajor Kajari, i cili tha se nuk kanë parë indikatorë se mund të ketë luftë në Kosovë.
Këto deklarata ai i bëri në një intervistë për Radiotelevizionin Publik, ku mes tjerash tha se NATO dhe KFOR-i po qëndrojnë në veri të vendit.
“Përgjigja më e thjesht është jo. Mendoj se lufta nuk është çështje relevante besoj unë. KFOR-i nuk ka parë asnjëlloj indikacioni për një ngjarje të tillë. Nuk ka kërcënim për luftë në këtë pjesë, NATO dhe KFOR-i janë këtu”, ka thënë ai.
Çfarë tha tjetër gjeneralmajor Kajari?
Komandanti i KFOR-it konfirmoi se NATO mund të shtojë trupa ushtarake, por e theksoi qartë se “nuk është mirë të flitet për lufte”, derisa tha se këtë e kanë diskutuar edhe me Kurtin.
“NATO për një kohë relativisht të shkurtër, mund të shtojë trupa ushtarake dhe mjete shtesë nëse për këtë ka nevojë, por nuk është mirë të flitet për luftë, këtë e kemi diskutuar edhe me kryeministrin Kurti”, tha Kajari.
Gjeneralmajor Kajari shtoi se nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve, sepse Rezoluta 1244 e OKB-së i jep dy detyra KFOR-it në Kosovë, që ai i ka quajtur detyra madhore: “Ta mbajnë mjedisin e sigurt dhe rregullin në Kosovë dhe për ta ruajtur lirinë e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët’.
“Nëse krijohen barrikada kjo e pengon lëvizjen e lirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshja, atëherë do të arrijmë në një moment ku KFOR-i do të duhet të veprojë për të mundësuar lirinë e lëvizjes”, ka shtuar Kajari.
Deklaratat e kryeministrit për luftë
Në një intervistë dhënë Reuters, kryeministri përmendi se mund të ketë një konflikt të ri, derisa shtoi se “ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”.
“Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, tha mes tjerash kryeministri.
Luftën, kryeministri e përmendi edhe para pak ditësh në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, të cilën e përktheu gazeta Nacionale.
“Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti për "La Repubblica" të Italisë.
Për këto deklarata, kryeministrit Kurti i kanë reaguar ashpër partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri me paralajmërime të tilla, nënkupton se e dëshiron krizën dhe ëndërron protagonizëm te paniku.
Ndërkaq, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar të mos ndjellet frikë e panikë të qytetarët, derisa shtoi se Serbia e di shumë mirë se çfarë sjellë konflikti me NATO-në.

