Hill kritikë kryeministrit Kurti: Pala kosovare s’ishte e përgatitur për dialog
Më datën 18 të këtij muaji, në kryeqendrën evropiane u takuan për herë të tretë zyrtarisht kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Ky takim erdhi si pasojë e zhvillimeve të 31 korrikut, teksa u thirr nga autoritetet evropiane.
Megjithatë, përkundër angazhimit ndërkombëtar, evropian dhe atij amerikan, nuk u arrit asnjë marrëveshje.
Fillimisht u raportua se e vetmja marrëveshje ishte që të përfshirët përballë në tavolinën e dialogurt, mos të prononcoheshin për media, por kjo nuk u respektua nga kreu i Serbisë, që organizoi madje një të tillë siç e apostrofoi më të vështirën në histori.
Heshtja e ekzekutivit kosovar
Qeveria e Republikës së Kosovës nuk lajmëroi asgjë sa i përket përmbajtjes potenciale të takimit.
Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ekzekutivi kosovar konfirmoi temat që rrodhën përgjatë pesë orëve, por pa kaluar në detaje.
“Deklaratë mbi takimin e sotëm në Bruksel - Sot në Bruksel u mbajt takimi i tretë i nivelit të lartë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ky takim është dashur të mbahej me 19 korrik. Mirëpo, ai u pat shtyrë për muajin gusht me kërkesën e palës tjetër, gjersa Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pat shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje. Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim.Kryeministri Kurti falënderoi Bashkimin Evropian, z.Borrell dhe z.Lajçak, për organizimin dhe ndërmjetësimin në këto bisedime, drejt normalizimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në komunikatë.
Në qarqet evropiane, kanë qarkulluar shumë zëra rreth asaj nëse palët kanë qenë të gatshme për të bashkëpunuar.
Përderisa disa sosh thonin që të dy përfaqësuesit ishin të gatshëm të qetësonin situatën dhe shprehën gatishmëri për të diskutuar, qarqe të tjera shtonin se Asociacioni ishte pikëndarja mes palëve.
Pala tjetër
Mund të duket term i dyshimtë, por është i drejtpërdrejt kur kemi parasysh faktin se kush e tha. Hiç më pak se ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Ky i fundit, përveç se lavdëroi palën serbe për gatishmëri bashkëpunimi një ditë pas takimit, këtë e bëri edhe sonte në një intervistë dhënë sajtit serb A1.
Hill thurri elozhe për Serbinë, duke e shfaqur si konstruktive, teksa hodhi “baltë” mbi paraqitjen e kosovarëve, duke thënë se nuk ishin të gatshëm për të diskutuar.
“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika", tha fillimisht ai.
Poashtu, amerikani i parë në shtetin serb, shtoi se nëse palët duan të zgjidhin këto çështje përfundimisht, atëherë duhet folur për specifika.
"Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por, po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen. Për mua është kyçe që komuniteti serb të ndihet si në shtëpi në Kosovë dhe të sigurt. Pra, janë disa përpjekje për të cilat duhet të bisedohet dhe besoj që këto përpjekje do të vazhdojnë”.
Kujtojmë se për këto ngjarje, emisari i posaçëm i presidentit Biden për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar po qëndron në Kosovë.
Ai sonte është takuar me krerët opozitarë si dhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani.


