Pse rënkon vazhdimisht Vuçiqi?
*Ky artikull është publikuar nga Nacionale për herë të parë më 23 mars, por po ripublikohet pas deklaratave të sotme të pamatura me rënkime e kërcënime nga presidenti i Serbisë.
Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, edhe sot ka bërë një ‘kukamë’ tjetër pas deklaratave nga BE-ja se Kosova nuk do të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit.
Në fakt, mbajtja e këtyre zgjedhjeve nuk është ndaluar siç deklaroi Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian.
Kjo u dëshmua edhe nga vetë deklarata e zv. kryeministrit tonë, z. Besnik Bislimi.
Ai e quajti të “pasaktë” konstatimin e bërë nga z. Stano e për të cilin do të ‘qahej’ më pas presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Mendoj se ka pasaktësi në konstantim. Ne nuk kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jokushtetuese, por kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim të institucioneve të Kosovës, është jokushtetuese”, tha ai.
Për një gjë të tillë nuk janë pajtuar ambasadorët e vendeve të QUINT-it, përfshirë edhe ambasadën e SHBA-ve.
Vuçiq, menjëherë kishte reaguar duke anuluar aktivitetet e planifikuara për ditën e sotme.
“Kjo është një situatë shumë e rëndë për vendin (Serbinë)”, u shpreh z. Vuçiq.
Kjo deklaratë në publikun kosovar u përcoll me tallje të shumta në rrjete sociale. Ky lajm mori më shumë reagime me qeshje se sa ndonjë reagim tjetër serioz.
Një gjë të tillë, presidenti i Serbisë e ka bërë edhe në të kaluarën në raste të ndryshme.
Vuçiq, përfshirë edhe ndalimin që ishte bërë për Referendumin për ndryshime kushtetuese në Kosovë.
Por, Vuçiq është qarë për Referendumin, për paralajmërimin e Reciprocitetit, për tarifën doganore të vendosur nga Qeveria Haradinaj, për diskursin e kryeministrit Kurti në Bruksel dhe për shumë tema të tjera.
“A do të reagoni kështu në qoftë se serbët në Kosovë do të ndalojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e tyre ose që, mos dhëntë Zoti, në veri të thonë se zgjedhje të tilla nuk do të ketë fare”, ishte për shembull, mënyra se si Vuçiq vajtoi për mos-lejimin e mbajtjes së referendumit serb në muajin janar.
Duke thënë se ai as nuk qante e as nuk vajtonte, në janarin e 2019-ës, Vuçiq qante e vajtonte për taksën 100%.
“Nuk duhet të harroni se ka 70 ditë prej që na janë vënë taksat 100 për qind në mallrat tona, që është në kundërshtim me CEFTA, në kundërshtim me të gjitha normat dhe drejtat evropiane, ndërsa ne as nuk qajmë as nuk vajtojmë, durojmë...”, ishte qarë z. Vuçiq.
Por, para kujt i bën këto kukama z. Vuçiq?
Gjatë ditës së sotme, në kukamën e tij të tanishme, Vuçiq u shpreh “Do të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.”
Domethënë, Vuçiq po pret ta kuptojë se në çfarë disponimi është Goran Rakiq me politikanët tjerë të Listës Srpska? Zor e besueshme.
Në fakt, Vuçiq deklaratat e tij vajtuese i ka bërë ndaj liderëve evropianë duke u përpjekur që ta forconte pozicionin e Serbisë në tavolinën e negociatave me Kosovën.
Dhe deri tash, kjo ka funksionuar për fat të keq.
Përkundër që Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë – siç ka bërë me vendosmëri Kosova – ajo nuk është denoncuar nga Bashkimi Evropian për një gjë të tillë, e madje as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, Victoria Nuland i kishte bërë thirrje telefonike për ta falënderuar që Serbia kishte votuar për dënimin e agresionit rus në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në ditët dhe javët e fundit, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, edhe presidentja jonë me kryeministrin kanë nisur një fushatë në të cilën denoncojnë presidentin serb Aleksandër Vuçiq si “autoritar”.
Gjatë ditës së nesërme në Nacionale do të ekzaminohet diskursi “vajtues” i presidentit serb dhe do të shqyrtohen përfitimet eventuale që ai merr me njohës të fushës.

