Intervistë | Hyseni: Nuk është bërë sa duhet në afirmimin e mendimit të GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë - NACIONALE

Intervistë | Hyseni: Nuk është bërë sa duhet në afirmimin e mendimit të GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka pranuar se diplomacia e Kosovës nuk e ka materializuar sa duhet mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se ka mundur të bëhet më shumë në afirmimin e këtij mendimi, i cili ka konstatuar në mënyrë të qartë se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale për 12-vjetorin e shpalljes së këtij mendimi, ai ka treguar janë shumë zhvillime të më pastajme të brendshme në Kosovë që kanë pasë efekte shpërqëndruese.

Hyseni, i cili e kishte përfaqësuar Kosovën në GJND, ka vlerësuar se dorëheqja e ish-presidentit Fatmir Sejdiu dhe me pas rënia e qeverisë ka ndikuar në mosmaterializimin e duhur të mendimit të GJND-së.

Nacionale: Z. Hyseni po bëhen 12 vite nga mendimi i GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Cila është rëndësia e këtij mendimi për Republikën e Kosovës?
Hyseni: Rëndësia themelore është se Mendimi i Gjykatës i 22 korrikut 2010 ishte përfundim, përkatësisht konstatim i qartë se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Kjo kishte implikime të rëndësishme politike. Së pari, me bërjen tashmë publike të Mendimit, nuk kishte më asnjë arsye për shtetet që të mos e njihnin Kosovën. Dhe, së dyti, nuk kishte asgjë në Mendim që mbështeste çfarëdo thirrjesh për negociata të mëtejshme për statusin e Kosovës, sepse organi kryesor juridik i OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me një votë bindëse prej dhjetë me katër, kishte konstatuar qartë “se deklarata e pavarësisë së Kosovës e miratuar me 17 shkurt 2008 nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.

Nacionale: Në atë kohë ju keni qenë ministër i jashtëm, sa e vështirë ka qenë për Kosovën përgatitja e mbrojtjes së pavarësisë para kësaj gjykate?
Hyseni: Unë, përpos ministër i jashtëm, kam qenë edhe koordinator dhe e kam përfaqësua Kosovën në GJND. Siç mund ta dini vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë, me 8 tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në sesionin e saj të 63-të, me kërkesën e Serbisë kishte aprovuar Rezolutën 63/3, me të cilën Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i kërkohej një mendim këshillëdhënës rreth “Pajtueshmërisë me të Drejtën Ndërkombëtare të Shpalljes së Njëanshme të Pavarësisë së Kosovës’ Pra, aprovimi i Rezolutës 63/3 në tetor 2008 në OKB, vetëm pak muaj pasi kisha marrë detyrën e ministrit të parë të jashtëm të Republikës së Kosovës, mua më kishte vënë para një sfide, sipas shumëkujt atëherë, të papërballueshme.

Nacionale: Gjatë këtij procesi, cili ka qenë momenti më sfidues?
Hyseni: Ka pasë momente sfiduese të shumta, por mbase barrën më të madhe të përgjegjësisë e kam ndije ditën e fjalës time, përkatësisht paraqitjes nga ana ime të mbrojtjes para Gjykatës, më 1 dhjetor 2009. Po aq sfiduese dhe do të thosha ankth i vërtetë ishte nata e 21 korrikut 2010, dmth pritja, një ditë para shpalljes së vendimit. Natyrisht, është krejt e kuptueshme që, edhe përkundër besimit të madh që kisha se fitorja është e sigurt, unë kisha vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha postet publike e politike që mbaja në rast se vendimi i Gjykatës do të ishte i disfavorshëm për Kosovën. Për çdo rast, në xhep tashmë mbaja letrën e nënshkruar të dorëheqjes, të cilën do e beja publike në rast se do të dilnim humbës. Askush, përpos njërit nga bashkëpuntorët e mi të ngushtë nuk e dinte që kisha vendosur të jepja dorëheqje në rast të humbjes.

Nacionale: Pavarësisht mendimi të qartë të kësaj gjykate se pavarësia ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, disa vende të BE-së dhe shumë vende të botës vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Pse mendoni se po ndodh kjo?
Hyseni: Vende të ndryshme kanë edhe arsye të ndryshme. Ka vende që kanë frikë nga precedentët që mund të prodhojë njohja në vet vendet e tyre. Sidoqoftë mendoj se nuk është punuar mjaft nga diplomacia e Kosovës që të afirmohet sa duhet mendimi i GJND-së, i cili Kosovën edhe e ka kualifikuar si rast të veçantë, sui generis. Po ashtu, kujtoj se dorëheqja e Presidentit Sejdiu, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe, rrjedhimisht rënia e qeverisë vetëm 2 muaj pas kësaj fitoreje dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme ka ndikuar në mosmaterializimin sa duhet të mendimit të GJND-së. Sidoqoftë fitorja në GJND nuk mund të zbehet nga asgjë sepse është vulë e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga vet organi kryesor juridik i OKB-së. Dhe kjo vulë mbetet valide përjetësisht.

Nacionale: A është shfrytëzuar sa duhet nga institucionet e Kosovës mendimi i GJND-së për të marrë njohje të reja dhe për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës?
Hyseni: Siç e thashë më lartë, ka mundur të bëhet më shumë, por janë shumë zhvillime të më pastajme të brendshme në Kosovë që kanë pasë efekt shpërqëndrues.

Nacionale: Rusia, e cila është një nga kundërshtaret më të ashpra të pavarësisë së Kosovës, jo rrallë krahason rastin e Kosovës me aneksimet e territoreve që bën ajo. Sa po përdoret nga diplomacia aktuale mendimi i GJND-së për t'i kundërshtuar këto krahasime?
Hyseni: Rusia do të vazhdojë të tërheq paralele të ndryshme, gjithnjë të paqëndrueshme, duke injoruar faktet thelbësore e që në rastin e Kosovës janë në rend të parë, Kosova si një rast i veçantë, pra sui generis, që ka ardhë si pasojë e shtypjes dhe okupimit serb pas shpërbërjes së dhunshme të ish-federatës jugosllave, si dhe shumë e shumë fakte të tjera që do mund të renditeshin.
Diplomacia aktuale e Kosovës është e ngathtë dhe anemike në përgjithësi.

Lajme të ngjashme