“Dora e Albinit”: Kush qëndroi prapa fushatës së opozitës në Maqedoni të Veriut?
Ndonëse nuk është hera e parë, këtë vit Lëvizja Vetëvendosje është kritikuar më shumë për ndërhyrjen në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut. VV-ja dhe Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, po përkrahin opozitën shqiptare, e cila synon të rrëzojë nga pushteti pas shumë viteve Ali Ahmetin, kryetarin e BDI-së. Por kush ishte njeriu i Kurtit që organizoi fushatën e opozitës atje?
Arbër Zaimi është pjesë e grupit të Tiranës, që përbëhet nga disa prej aktivistëve më të rëndësishëm nga Shqipëria si Elvis Hoxha, Hysamedin Feraj e Dejona Mihali. Zaimi është edhe anëtar i Kryesisë së VV-së. Megjithatë, javëve të fundit, Zaimi ka pasur edhe një rol tjetër organizativ, që nuk lidhet fare me Kosovën.
Sipas burimeve të Nacionales, por edhe aktivitetit të vetë Zaimit në Facebook, Arbëri ishte njeriu, me shumë gjasë, kryesor në organizimin e fushatës së opozitës shqiptare në Maqedoni të Veriut.
Madje, burimet theksojnë se Zaimi është parë goxha aktiv në fushatë, duke koordinuar shtabin qendror dhe aktivitetet e VLEN-it. Pra Zaimi ishte “dora e Albinit” në organizimin e fushatës për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, që do të mbahen nesër, dhe atyre parlamentare, të cilat do të mbahen më 8 maj.
Për më shumë, Zaimi është parë në disa prej takimeve të VLEN-it, siç njihet opozita e bashkuar shqiptare në Maqedoni të Veriut, ndërsa ka shkruar edhe disa statuse, ku godet Ahmeti e qeverisja e tij. Hiç më larg se mbrëmë, Zaimi bëri dy postime, duke lavdëruar mbledhinë që opozita e bëri në Shkup.
“Skënderbeu çliron Shkupin” – shkroi Zaimi.
Pasi përfundoi tubimi i VLEN-it, Zaimi publikoi një fotografi me njeriun kryesor të opozitës shqiptare, Izet Mexhitin, ish-funksionar i BDI-së tash kryetar i Lëvizjes Demokratike.
“Me Izet Mexhitin, tema e diskutimit: domosdoshmëria e ndryshimit dhe tendenca zëlartë e votuesit të heshtur!” – shkroi mbrëmë Zaimi.
Në këtë kontekst, Zaimit nuk i kanë munguar takimet as me politikanët e tjerë të VLEN-it, si p.sh. me Afrim Gashin e Alternativës.
“Me kryetarin e Alternativës, deputetin Afrim Gashi, të cilin e njoh prej më se dhjetë vitesh, kur ka qenë kryeredaktor i një botimi me vlera të larta intelektuale e kombëtare. Njeri i shkëlqyer, në aspektin kombëtar, moral e shoqëror” – shkroi ditë më parë Zaimi.
“Dora e Albinit” shkroi fjalë të mira edhe për kryetarin e Tetovës.
“Me kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasamin, të cilin askush nuk e akuzon dot për mungesë pune e projektesh transformuese” – shkroi disa ditë më parë Zaimi.
Anëtari i VV-së u pa edhe në takime të tjera. Më 16 prill, Zaimi takoi “Bashkimat në kub”, përkrahës të Arben Taravarit, kandidatit të VLEN-it për president.
Se është udhëheqës i fushatës, Zaimi në një formë e pranoi përmes një shkrimi me titull “Pyetja e keqe “pse po përzihesh në zgjedhje””, në të cilin u mundua të arsyetojë përzirjen e VV-së në Maqedoni të Veriut.
“Ata që ankohen “pse po ndërhyn filani”, janë zakonisht ata që kanë veç hallin e pushtetit të vet. Ngjan pak me mentalitetin mafioz, “kush janë këta që ndërhyjnë në territorin tim”.” – shkroi ai.