Kap Kosovën e mëshoj Perëndimit: Putini e ka seriozisht kur flet për vendin tonë - NACIONALE

Kap Kosovën e mëshoj Perëndimit: Putini e ka seriozisht kur flet për vendin tonë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sa prej jush e keni lexuar krejt vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën? Mos u merakosni, atë e ka lexuar për ju presidenti rus Vladimir Putin dhe nëse doni, mund t’jua shpjegoj. Sidoqoftë, ne ju rekomandojmë që ta lexoni vet, ose të paktën, të mos e dëgjoni Putinin sepse mund të përfundoni duke u bërë “pro-rusë” si një ambasador i Kosovës.

Në tavolinën e tij të gjatë, “tavolinën e luftës”, siç po quhet nga shumë njohës, presidenti rus Vladimir Putin, pret e përcjell liderë vendesh e organizatash. Ai aty ka për detyrë t’i bindë liderët perendimorë se invazioni i Rusisë në Ukrainë, në fakt nuk është pushtim i tokës së huaj e as gjenocid.

Sipas z. Putin, kjo është thjesht një mbrojtje e sovranitetit të dy krahinave në lindje të Ukrainës, Donetsk e Lugansk, e që sipas tij, nuk po lejohen që ta ushtrojnë të drejtën për sovranitetin e tyre, të konfirumuar në referendum.

Kjo çështje për Vlladimir Putinin ka lidhje të ngushtë e direkte me shpalljen e pavarësisë nga republika e Kosovës në vitin 2008.

Ai këtë ia tha edhe në takimin e fundit, të mbajtur më 26 prill, Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Me nervozizëm e këmbëngulës në argumentin e tij, duke i drejtuar gishtin disa herë, Putin, nëse jo në argument, pa dyshim e dominoi bisedën në lidhje me analogjinë Kosovë – Donetsk e Lugansk.

“Jam shumë mirë i njohur, personalisht i kam lexuar dokumentet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së për Kosovën. Më kujtohet mirë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili thotë se gjatë realizimit të së drejtës për vetëvendosje, një territor i caktuar i asnjë shteti nuk është i detyruar të kërkojë leje nga autoritetet qendrore për të deklaruar sovranitetin e tij. Kështu u tha për Kosovën dhe ky është vendimi i gjykatës ndërkombëtare. Ky vendim u mbështet nga të gjithë.”

Putin tutje shtoi se ai personalisht e ka lexuar opinionin dhe të gjitha komentet e amerikanëve e evropianëve, duke këmbëngulur se një e drejtë e tillë duhet t’i takojë edhe krahinave Donetsk e Lugansk.

“Unë personalisht lexova të gjitha komentet e autoriteteve amerikane, të vendeve evropiane, të gjithë e mbështetën. Nëse është kështu, atëherë Donetsk dhe Lugansk kanë të njëjtën të drejtë të deklarojnë sovranitetin e tyre, pa iu drejtuar autoriteteve qendrore të Ukrainës, sepse është krijuar një precedent”, tha Putin.

“Por Kombet e Bashkuara nuk e njohën Kosovën”, ia ktheu me gjysmë zëri Sekretari i Kombeve të Bashkuara.

“Por gjykata e njohu”, insistoi Putin.

Çka thotë në mendimin e saj GJND për Kosovën dhe a qëndron analogjia që Putin po i mëshon fort?

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2010, pati bërë një kërkesë të paprecedentë, kur e pati pyetur për një opinion këshillëdhënës Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë nga ana e parlamentit të Kosovës. Ishte ky rasti i parë që kjo asamble po e pyeste GJND-në për shpallje të pavarësisë.

GJND, që është gjykata më e lartë e OKB-së, në opinionin e saj, me 10 vota pro dhe 4 kundër, tha se është e mendimit se Deklarata për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare e nuk e shkel rezolutën 1244.

Për ta trajtuar këtë krahasim të Putinit, që sa vjen e itensifikohet, Gazeta Nacionale ka marrë mendimin profesional të Profesorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Besfort Rrecaj.

Profesori Rrecaj argumenton në detaje se si një krahasim në mes Kosovës dhe cilitdo rajon në Ukrainë nuk gjen relevancë në të Drejten Ndërkombëtare

Putini e keqinterpreton mendimin këshillëdhënës të GJND-së me qëllim të realizimit të interesave të veta në Ukrainë duke bërë paralele të paqena ndërmjet Kosovës dhe rajoneve lindore përfshirë Krimenë në Ukrainë dhe duke u bërë kështu një shpërndarës tipik i lajmeve të rreme dhe dezinformatave.

GJND në mendimin e vet për rastin e Kosovës kishte thënë që parimet e së drejtës ndërkombëtare shtrihen në fushën e marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe rrjedhimisht në paragrafin 81 shprehet qartazi se, sipas praktikës së pranuar ndërkombëtare dhe veprimeve të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, Deklaratat e Pavarësisë që vijnë si rezultat i ndërhyrjes nga jashtë në kundërshtim me parimin e Kartës së OKB-së për mos-ndërhyrje ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Gjithashtu Deklaratat e Pavarësisë të cilat bëhen në shkelje të madhe të normave të së drejtës ndërkombëtare të përgjithshme, veçanërisht ato që njihen si ‘jus cogens’ si ndalimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit etj. janë po ashtu ilegale”, ka thënë Rrecaj.

Tutje Rrecaj e quan të papranueshme një analogji të tillë, duke theksuar se për të krijuar precedent, një rast duhet të ketë përputhje të lartë me tjetrin, kurse në rastin e Kosovës dhe Donetsk e Luhansk, sipas tij nuk kemi asnjë ngjashmëri të vogël.

“Asnjëra nga këto nuk ka ndodhur në Kosovë, ndërsa në Ukrainë në rastin e Krimesë kemi aneksimin e plotë të një territori në kundërshtim të hapur me parimet e vetëvendosjes dhe sovranitetit e integritetit territorial e në anën tjetër deklaratat e pavarësisë në rajone Donetsk e Luhansk po ashtu janë ilegale, sepse nuk është respektuar parimi i vetëvendosjes së popujve e që në këtë rast do të duhej të vendoste populli i Ukrainës.

Po ashtu vënia e paraleles me Kosovën nuk qëndron në asnjë pikë sepse para së gjithash Kosova shpalli pavarësinë si rezultat i gjithë atyre krimeve të mëdha që bëri, veçanërisht regjimi i Millosheviqit. Pavarësia e Kosovës ishte pjesë e një procesi të kompromisit ndërkombëtar që nga Rambuje, tek pikat kryesore të dakorduara për statusin e ardhshëm të Kosovës nga Grupi i Kontaktit pjesë e së cilit ishte Rusia, e deri te plani i Ahtisarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës që në fakt paraqet një plan të OKB-së, sepse Ahtisari përfaqësonte Zyrën e OKB-së të të Dërguarit Special për Kosovën dhe që kishte mandat të plotë për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën.

Analogjia kërkon një përputhje të lartë krahasimore të rasteve dhe këtu nuk kemi as edhe një ngjashmëri të vogël në asnjë fazë të procesit dhe rrjedhimisht nuk mund të kemi zbatim të kritereve të njëjta.

E tërë ajo çka shohim këtu është një skenar nga libri i Putinit i cili me veprime të njëanshme kërkon t’i realizojë interesat e tij megalomane, duke neglizhuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë të cilët ishin të përfshirë në masë të madhe në Kosovë. Kjo është absolutisht e patolerueshme dhe ilegale sipas çdo norme të së drejtës ndërkombëtare, praktike të GJND-së apo institucioneve tjera të rëndësishme si OKB.”

E një reagim që argumenton kundër pretendimeve të Putinit, e pati edhe ish-ministri për integrime i Republikës së Kosovës në qeverinë Kurti I, z.Blerim Reka.

Reka analogjinë e Putinit e quajti false, duke argumentuar se pavarësia e Kosovës lindi nga lufta çlirimtare e u shty nga gjenocidi.

“Analogjinë e mëhershme false të “Krimesë me Kosovën”, dje Putini e “begatoi” edhe me atë të Donbasit. Në takimin me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Guterres, ai u mundua ta shesë krahasimin e paqëndrueshëm të dy rasteve krejtësisht të ndryshme. Pavarësia e Kosovës lindi nga lufta çlirimtare kundër një shteti të huaj pushtues që ushtronte apart-hejd dhe gjenocid kundër popullatës shqiptare. Ndërkaq, Kremlini njohu njëanshëm “pavarësinë“ e Krimesë, Donetskut e Luganskut për t'i bashkuar Rusisë. Kosova pra luftoi për çlirim kundër shtetit të huaj (Serbisë), duke e mbrojtur territorin e vet nga ky pushtim. Krimea dhe Donbasi ndërkaq, “u pavarësuan” me pushtimin nga një shtet i huaj (Rusia) duke shkëputur territor të Ukrainës.

Jo se këto nuk i di presidenti i njërit nga 5 shtetet-anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Aq më tepër që edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dallon qartë keto dy raste, duke vendosur ndryshe. Në vitin 2010, GJND-ja konkludoi se pavarësia e Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare.

Po kjo gjykatë e OKB-së muajin e kaluar, e dënoi invazionin rus në Ukrainë, si shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, argumentoi Reka.

Lajme të ngjashme