Intervistë| Hamiti: Vendimi për targat, kamuflim i shkallëzuar i paaftësisë së Qeverisë Kurti - NACIONALE

Intervistë| Hamiti: Vendimi për targat, kamuflim i shkallëzuar i paaftësisë së Qeverisë Kurti

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Vendimin e ri të Qeverisë për targat e ka vlerësuar si të gabueshëm. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se vendimi e tregon vetëm paaftësinë e Qeverisë Kurti. Në këtë intervistë për gazetën Nacionale, ai ka treguar për pasojat që mund t`i këtë Kosova nga veprimet e fundit të ekzekutivit.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, e ka kritikuar vendimin e modifikuar të Qeverisë së Kosovës për targat.

Ai ka thënë se vendimi i qeverisë është kamuflim i shkallëzuar i paaftësisë së Qeverisë për të marrë vendim.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti është bërë peng i retorikës se vet.

Sipas tij, shkallëzimi në rënie i Qeverisë është i dëmshëm për vendin.

Ndër të tjera, Hamiti ka folur edhe rreth planit franko-gjerman për marrëveshjen finale Kosovë - Serbi.
Ai ka bërë me dije se LDK-ja për këtë plan ka vetëm informacione rrethanore.

Zyrtari i lartë i LDK-së ka thënë se zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, para se të flasë për dialogun në konferenca të Beogradit, duhet të flasë para qytetarëve të Kosovës në Prishtinë.

Nacionale: Z. Hamiti, pas kërkesës së aleatëve ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës e ka modifikuar vendimin për targa, duke e ndarë atë në tri etapa dhe shkallë. Cili është vlerësimi juaj për këtë veprim të Qeverisë?
Hamiti: Qeveria e quajti dje këtë “qartësim”, që, në të vërtetë, është kamuflim i shkallëzuar i paaftësisë së saj për të marrë vendim. Vendimi do të ishte i thjeshtë: zbatohet tash, siç insistonte Qeveria se do të bënte, dhe të drejtën e ka, apo në kohën tjetër të caktuar, më të përshtatshme, në këtë rast sipas kërkesës dhe në pajtim me partnerët dhe aleatët tanë, në radhë të parë me Shtetetet e Bashkuara të Amerikës. Ata e kanë kërkuar qartë zgjatjen e afatit për zbatim të regjimit të ri për targat. Pse iu desh kamuflimi që po e quan qartësim Qeveria Kurti? Sepse është bërë peng i retorikës së vet të lartë dhe i padijes dhe i pafuqisë për të vepruar në pajtim me këtë retorikë. Prandaj ky shkallëzim në rënie, që është i dëmshëm për vendin.

Nacionale: Qeveria e ShBA-së përsëri u shpreh e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga veprimet e Qeverisë së Kosovës për targat. Sa mund të reflektojë kjo në raportet Kosovë - ShBA dhe në fazën finale të dialogut Kosovë - Serbi?
Hamiti: E tha qartë Departamenti amerikan i Shtetit dhe jam i sigurt se me këtë qartësi, nëse jo edhe më të madhe, ia kanë thënë në komunikim me Qeverinë tonë, se kërkohet zgjatja e afatit për zbatim të regjimit të targave për të mundësuar përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Dhe qëndrimi i SHBA-ve, siç u pa sërish, është i pandryshuar dhe qëndrim i Kosovës, sigurisht: marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me njohjen e ndërsjellë në thelb (centered on mutual recognition).


Nacionale: Z. Hamiti, të gjithë po flasin për planin franko-gjerman për marrëveshjen Kosovë - Serbi, përveç Qeverisë së Kosovës. Cili është vlerësimi juaj për këtë heshtje të qeverisë?
Hamiti: Qeveria e Kosovës, edhe në këtë rast, po bën shkallëzime e modulime deklarative. Herë e mohon, herë bën tërheqje taktike, siç ishte rasti dje, kur zëvendëskryeministri Bislimi, i ngarkuar me dialogun, duke iu drejtuar një konference në Beograd, tha se propozimi frëngo-gjerman është “më afër” qëndrimit të Serbisë se të Kosovës. Pse të fliste Bislimi për këtë në një konferencë në Beograd dhe jo në Prishtinë?!

Nacionale: A do të duhej që të informoheshin qytetarët për procesin?
Hamiti: Patjetër. Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar vazhdimisht që Qeveria e Kosovës të raportojë në Kuvend për rrjedhën e dialogut. Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të bëjë çka s’duhej të bënte. E ka degraduar dialogun Kosovë - Serbi për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë me njohje të ndërsjellë në dialog për çështje teknike. Madje kryeçështje i ka bërë targat. Përkundër kërkesës së përsëritur të LDK-së dhe të partive të tjera opozitare, por edhe të publikut, Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të mos raportojë në Kuvend. Kur i ka drejtuar LDK-ja Qeverinë dhe dialogun, ka raportuar vazhdimisht për rrjedhën e dialogut në Kuvendin e Kosovës.

Nacionale: A ka ndonjë informacion LDK-ja për këtë plan?
Hamiti: LDK-ja nuk ka në dorë plan a propozim a përvijim idesh apo çfarëdo që të jetë. Informacioni është rrethanor, por jo i plotë, nga kontaktet me ndërmjetës e emisarë.

Nacionale: Në bazë të asaj për të cilën jeni informuar nga emisarët dhe dokumentet që janë publikuar në medie, cili është qëndrimi i LDK-së për këtë propozim?
Hamiti: Ne jemi parti institucionale, tash në opozitë, që e bën punën e vet në pajtim me përgjegjësitë e një partie historike dhe aktuale për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Lëvizja pavarësiste, e drejtuar nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe LDK-ja, është në themelet e shtetit të sotëm të pavarur dhe sovran të Kosovës. Është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të qeverisë dhe t’i drejtojë punët e dialogut. Për aq sa po i bën, po i bën keq të dyjat. Ne kemi ofruar alternativa për qeverisje. Siç e kemi qëndrimin e qartë sot dhe e kishim platformën për dialog, kur i drejtonim Qeverinë dhe procesin e dialogut. Po e sjell në rikujtesë qëndrimin e LDK-së: dialogu duhet të jetë për zgjidhje të përgjithshme, finale, të raporteve me Serbinë, për normalizim të marrëdhënieve me njohje reciproke të Kosovës dhe të Serbisë. Natyrisht, pa i prekur rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Nacionale: Ende nuk është bërë e qartë nëse ky dokument e përmban njohjen reciproke. Nëse nuk e përmban njohjen të cilën e kërkon Kosova, a duhet të pranohet?
Hamiti: Përgjigjja në pyetjen paraprake e jep thelbësisht përgjigjen edhe në këtë pyetje. Pa njohje, zgjidhja e raporteve të Kosovës me Serbinë as nuk është e qëndrueshme, as finale.

Lajme të ngjashme