I dyshuari për plagosjen e dy grave në Fushë Kosovë ka shtënë me armë edhe ndaj policisë
I dyshuari për plagosjen e dy grave në Fushë Kosovë, thuhet të ketë shtënë me armë zjarri edhe ndaj policisë.
Këtë e konfirmoi vet Policia e Kosovës përmes një komunikate zyrtare. Sipas së njëjtës, mësohet se i dyshuari në tentim për t'iu shmangur arrestit policor, shtiu në drejtim të policëve, me këta të fundit që morën masat konform autorizimeve.
"Për rrjedhojë, i dyshuari i armatosur, në përpjekje për t'iu shmangur arrestit policor në rrugën "Fehmi Lladrovci" në Fushë Kosovë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë duke rrezikuar drejtpërsëdrejti jetën e policëve si dhe qytetarëve përreth, dhe me këtë rast ka bërë të domosdoshëm dhe të pashmangshëm ndërmarrjen e të gjitha veprimeve policore në përputhje me autorizimet tyre", thuhet ndër tjerash.
Më poshtë edhe njoftimi i plotë:
INFORMATË SHTESË
Mbështetur në informacionet e pranuara në rrugë operative, policia ka lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit dhe menjëherë ka orientuar veprimet e saj taktike-operative në drejtim të arrestimit të të dyshuarit.
Për rrjedhojë, i dyshuari i armatosur, në përpjekje për t'iu shmangur arrestit policor në rrugën "Fehmi Lladrovci" në Fushë Kosovë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë duke rrezikuar drejtpërsëdrejti jetën e policëve si dhe qytetarëve përreth, dhe me këtë rast ka bërë të domosdoshëm dhe të pashmangshëm ndërmarrjen e të gjitha veprimeve policore në përputhje me autorizimet tyre.
Ndërkaq që sulmi ndaj policisë është neutralizuar i dyshuari në përpjekje e sipër për t'iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit.
Aktualisht përkundër që ka baza të forta dyshimi për vetëplagosje, policia bashkërisht me autoritetet e tjera relevante ligj zbatuese po heton me përpikëri të gjitha rrethanat që karakterizojnë rastin.
Ndërkohë që po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore e ekzaminuese, i dyshuari është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, nga ku rreth orës 18:45 kemi pranuar informatën se personi ka ndërruar jetë.

