Humolli i doli kundër Qeverisë Kurti, simpatizantët e VV-së e ‘gozhdojnë’ me fyerje të papranueshme
Fatmir Humolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka përsëritur edhe sonte kritikat e tij për Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Ai ka theksuar se atë e pengon ngadalësia me të cilën Qeveria Kurti po punon në realizimin e premtimeve elektorale. Madje, ai ka paralajmëruar se do të votojë pro rrëzimit të Qeverisë, nëse jetëgjatësia e saj varet nga vota e tij.
E këto deklarata, të cilat i bëri në TV Dukagjini, kanë ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale, të cilat kryesisht karakaterizoheshin me nuanca linçimi.
Komentuesit e “grinë” Humollin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, në Debat Plus theksoi se nëse nuk sheh ndryshime në qeverisje, do të largohet nga VV.
“Nëse vazhdon kjo ngathtësi e Qeverisë për të përmbushur zotimet elektorale, duhet të bëhen ndryshime qeveritare. Unë për vete pa këto ndryshime nuk mund të qëndroj brenda grupit të LVV-së, pasi nuk po realizohen asnjëra nga kërkesat e mia personale për çfarë unë jam futur në listën e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
Tutje, ai e dha edhe një deklaratë që ngjalli komentuesit të reagojnë.
“Unë kam premtuar që për dy vite nuk votoj kundër kësaj qeverie. Pas dy viteve nëse ka ndryshime pozitive unë vazhdoj ta mbështes këtë shumicë. Pas dy viteve (dy vite qeverisje) nëse varet qeveria nga vota ime, ajo rrëzohet”, deklaroi Humolli.
Shumica e komentuesve qenë të ashpër me Humollin. Atyre nuk u pëlqeu aspak mendimi i lirë i Humollit, i cili ka kohë që është kritik ndaj Qeverisë Kurti.
“Kurvë mashkull”, shkroi njëri nga komentuesit, duke e fyer deputetin e VV-së.
“Sen s'je ka i duhesh vv. Shko te shpia bane nje tuf dele edhe mirru me to”, shkroi një tjetër.
“Jo klloshar nuk mvaret prej teje”, komentoi një tjetër.
“E more kastravec me vv je ba deputet se tjerat parti gjithmon ta kan ngul kepen e Shkupit”, ishte komenti i një tjetri.
Në debatin për Humollin u përfshi edhe një përkrahës publik i VV-së, Valmir Krasniqi. Ai shkroi një status në Facebook, duke thënë se Humolli është mirë të dorëhiqet e të mos i turturojë qytetarët me spektakle.
“Fatmir Humolli eshte mire t’dorehiqet nga cdo funksion n’LVV e t’mos na torturoje cdo t’dyten dite me spektakle e kercenime! Dorehiqu vella e dorezoja mandatin e deputetit LVV. Ose qendro deputet nese mendon njelloj si PSD-istet se je bere deputet me takatin tend!”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Paralajmërimi i Gashit
Një ditë më parë, Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se qeveria e Kosovës do të shkarkohet në vjeshtë.
“Ka indikacione, ka lëvizje dhe interesime, janë tetë deputetë që kanë shprehur interesim për të ardhur në koalicion”, ka shpjeguar Gashi në emisionin Debat Plus të TV Dukagjinit.
Kohë më parë, edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pati arritur në një përfundim të ngjashëm.
“Tradita politike në Kosovë ka dëshmuar, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, se asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin e vet. Po ashtu, kjo traditë tregon se janë kryeministrat ata që vendosin se kur mund të përfundojnë mandatin. Në këtë mënyrë, vetëm kryeministri Kurti i ka votat për ta votuar një mocion mosbesimi, apo për të dhënë dorëheqje në një moment të caktuar. Unë nuk besoj që z. Kurti do ta çojë mandatin deri në fund”, deklaroi ai, në një intervistë për Nacionale.
Pretendimeve të opozitës u është përgjigjur ushtruesja e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se situata në grupin e saj parlamentar është normale.
“Fare nuk besoj se qëndrojnë këto pretendime për arsye se nuk ka pasur as indikacione apo shprehje të vullnetit për të kaluar apo pakënaqësi përbrenda grupit. Situata është normale në grup, me një frymë komunikimi dhe bashkëpunimi, prandaj për më tutje, për kë ka menduar, besoj që z. Gashi duhet të flasë”, deklaroi Kusari-Lila për portalin Dukagjini.


