Kurti nga Amerika flet për dialogun me Serbinë: U dakorduam me Blinken për marrëveshjen finale - NACIONALE

Kurti nga Amerika flet për dialogun me Serbinë: U dakorduam me Blinken për marrëveshjen finale

1 vit më parë

nga Gazeta Nacionale

Udhëtimi në Amerikë i kryeministrit Albin Kurti në SHBA duket të jetë mbizotëruar nga tema e dialogut me Serbinë. Në agjendën e Kurtit në Amerikë, përveç nënshkrimit të kontratës mbi 200-milionëshe me Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), ishte edhe takimi me sekretarin e Departamentit të Shtetit, Antony Blinken.

Në fakt, në intervistën e Kurtit për VOA-n, kuptohet një gjë themelore. Takimi me Blinken i kryeministrit Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani duket të jetë fokusuar në përfundimin e dialogut me Serbinë.

Kurti flet për dialogun

Në intervistën për Zërin e Amerikës, Kurti në pjesën më të madhe foli për dialogun me Serbinë, takimin e ardhshëm me presidentin serb Vuçiq, e atë se si duhet të duket marrëveshja finale mes dy vendeve.

Madje, Kurti deklaroi se për substancën e marrëveshjes me Serbinë, u dakordua me vetë sekretarin amerikan Blinken.

“Normalizimi i marrëdhënieve bëhet me dialog, i cili duhet të ketë qëllimin e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, të përqendruar në njohje reciproke. Dhe këtu kemi dakordim të plotë me sekretarin Blinken, i cili është aleat, partner dhe mik i madh i Kosovës”, deklaroi Kurti.

Madje, “këshillat” amerikane duket të kenë kryer punë. Kryeministri Kurti dha edhe lajmin se kur mund të ndodhë një takim i ardhshëm në Bruksel.

“Unë jam gjithmonë i gatshëm për Bruksel, i përgatitur mirë për çështje bilaterale. Më 19 korrik nuk u mbajt për shkak se Beogradi kërkoi një shtyerje njëmujore. Vonesa të paarsyshme. Përkundër kërkesave të SHBA-së e Brukselit, presidenti serb që mbështet Kremlinin, kërkon që takimet me mua të shtyhen”, theksoi Kurti.

Kurti tha se kurrë nuk e ka mohuar rëndësinë e dialogut.

“Ne asnjëherë nuk e kemi mohuar rëndësinë e bisedimeve, por ato duhet të jenë parimore. Për SHBA, Kosova është shtet i pavarur, por në të njëjtën kohë e pranojmë se raportet tona me Serbinë nuk janë normale. Andaj, ne kërkojmë normalizim. Normalizimi bëhet me dialog, që ka për qëllim marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, me në qendër njohjen reciproke”, theksoi Kurti.

Çfarë ndodhi në Amerikë?

Këtë të mërkurë është nënshkruar në Washington D.C. marrëveshja ndërmjet Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Kosovës.

Në emër të Kosovës, nënshkrimin në marrëveshje e ka hedhur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërsa nga pala amerikane, nënshkruese ishte Alice Albright, udhëheqëse e MCC-së dhe vajza e ish-sekretares Medeline Albright.

Në takim u thanë fjalë të mëdha për ndikimin që do të ketë kjo marrëveshje, që peshon 202 milionë euro grant.

Por, para nënshkrimit të marrëveshjes, Kurti e Osmani u pritën në DASH nga sekretari amerikan Blinken.

Në një shkrim në rrjetin social Twitter, Blinken ka bërë të ditur edhe njëherë se Amerika e përkrah integrimin euroatlantik të Kosovës dhe mbështet dialogun mes Kosovë dhe Serbisë.

U takova sot me presidenten Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti. Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ne vlerësojmë mikpritjen e Kosovës për afganët dhe mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën”, shkroi Blinken.

Ndërsa marrëveshja me MCC-në sot është ratifikuar në Kuvend.

Lajme të ngjashme