Paralajmërimi i Arben Gashit, a mund të rrëzohet Qeveria Kurti "në vjeshtën e vonë"? - NACIONALE

Paralajmërimi i Arben Gashit, a mund të rrëzohet Qeveria Kurti "në vjeshtën e vonë"?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë shprehur pretendimet e tyre se Qeveria Kurti nuk do të mund të mbijetojë deri në fund të mandatit.

Zyrtarët e lartë të PDK-së dhe LDK-së kanë vlerësuar se qeveria Kurti mund të rrëzohet para kohe, ndonëse tani e ka një shumicë solide në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo njohësit e rrethanave politike në vend, kanë hedhur poshtë pretendimet e dy partive opozitare.

Sipas tyre, rreziku qeverisë Kurti mund t'i vijë nga jashtë dhe jo nga opozita.

Analistët të sigurt për stabilitetin e Qeverisë Kurti

Analisti politik Arton Demhasaj ka thënë për gazetën Nacionale se qeverinë mund ta rrëzojë vetëm dialogu Kosovë-Serbi.

Kësisoj, në pikëpamjen e Demhasajt, mosbesimi ndaj qeverisë shkaktohet vetëm nga sjellja e qeverisë Kurti në raport me dialogun.

Rrëzimi i qeverisë është real në një aspekt, nëse i bëjmë një analizë të gjitha qeverive pas shpalljes së pavarësisë, asnjë nuk ka mbërri të përfundojë mandatin deri në fund dhe arsyet gjithnjë janë ndërlidhur me dialogun. Kështu që tema e dialogut mundet me e rrëzu edhe këtë qeveri. Pas takimeve që kanë ndodhë dy ditë më herët në Uashington, nëse nuk kanë mbërri të dakordohen për ecje tutje në dialog, edhe mund të ndodhë që qeveria mund të bie”, është shprehur Demhasaj.

Sipas Demhasajt, në këtë skenar shkarkimi të qeverisë, tema e dialogut është çështje përcaktuese e fatit të qeverisë.

Arsyeja kryesore e rrëzimit të të gjitha qeverive ka qenë dialogu, edhe mundet me qenë edhe tash. Si kanalizohet për të ardhur deri te rrëzimi, mbetet e paqartë, por prapë mendoj që arsyeja kryesore është dialogu”, ka vlerësuar Demhasaj.

As analisti tjetër politik Imer Mushkolaj, nuk i ka marrë seriozisht pretendimet e opozitës se mund ta rrëzojnë qeverinë aktuale.

Opozita mundet me pasë pretendime të tilla dhe natyrisht e gjithë kjo është legjitime, në kuadër të një lufte politike që partitë opozitare zakonisht e kanë shfrytëzuar. Nuk e di përnjëmend nëse brenda Vetëvendosjes ka pakënaqësi, edhe aq më tepër duke pasë parasysh se këta deputetë për të cilët opozita ose LDK-ja po flet janë pjesë e koalicionit qeverisës. Është pak e besueshme që dikush që është në pushtet të kalojë në opozitë, e aq më pak që nëpërmjet tyre ta rrëzojë koalicionin qeverisës ose qeverinë”, pohoi Mushkolaj, në deklarimin e tij për Nacionale.

Më tutje, Mushkolaj ka shtuar se largimet e deputetëve nga një grup parlamentar janë lëvizje të zakonshme.

Sipas tij, mund të ketë deputetë edhe të LDK-së edhe të VV-së që do të ndryshojnë anë.

Pra mundet me pasë individë të tillë, brenda koalicionit të shumicës, që mund të mos jenë të kënaqur, por të paktën personalisht nuk besoj që mund të ndodhë një gjë e tillë. Mund të ketë lëvizje të deputetëve, ndoshta jo me shifrat çfarë i ka përmend shefi i grupit parlamentar të LDK-së - mund të ketë ndryshime të grupeve parlamentare, mund të ketë kalime edhe nga Vetëvendosja edhe nga LDK-ja”, ka deklaruar Mushkolaj.

Madje, Mushkolaj nuk beson se qeverisë aktuale mund t’i ndërpritet mandati për shkak të dialogut.

Nuk shoh asnjë arsye në kuptimin që qeveria duhet të rrëzohet për dialog. Nuk është një arsye, për shkak se të paktën deri tash, tendenca është që qeveria aktuale t'i zbatojë në praktikë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga partitë që tashmë janë në opozitë. Në këtë mënyrë, opozita duhet të ishte e kënaqur se këto marrëveshje po zbatohen nga qeveria aktuale”, ka deklaruar Mushkolaj.

Opozita pohon se qeveria nuk do të mbijetojë deri në fund të mandatit

Një ditë më parë, Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se qeveria e Kosovës do të shkarkohet në vjeshtë.

Ka indikacione, ka lëvizje dhe interesime, janë tetë deputetë që kanë shprehur interesim për të ardhur në koalicion”, ka shpjeguar Gashi në emisionin Debat Plus të TV Dukagjinit.

Kohë më parë, edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pati arritur në një përfundim të ngjashëm.

Tradita politike në Kosovë ka dëshmuar, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, se asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin e vet. Po ashtu, kjo traditë tregon se janë kryeministrat ata që vendosin se kur mund të përfundojnë mandatin. Në këtë mënyrë, vetëm kryeministri Kurti i ka votat për ta votuar një mocion mosbesimi, apo për të dhënë dorëheqje në një moment të caktuar. Unë nuk besoj që z. Kurti do ta çojë mandatin deri në fund”, deklaroi ai, në një intervistë për Nacionale.

Vetëvendosja mohon pretendimet e opozitës

Pretendimeve të opozitës u është përgjigjur ushtruesja e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se situata në grupin e saj parlamentar është normale.

“Fare nuk besoj se qëndrojnë këto pretendime për arsye se nuk ka pasur as indikacione apo shprehje të vullnetit për të kaluar apo pakënaqësi përbrenda grupit. Situata është normale në grup, me një frymë komunikimi dhe bashkëpunimi, prandaj për më tutje, për kë ka menduar, besoj që Z. Gashi duhet të flasë”, deklaroi Kusari-Lila për portalin Dukagjini.

Sipas deputetes së VV-së, kjo gjuhë i takon të folurës spekulative, e cila është e zakonshme për partitë opozitare në Kosovë.

Por më tepër e shoh si deklaratë spekulative, sesa si diçka përmbajtësore. Janë po të njëjtit që i kanë paraparë pak muaj, më pak se një vit, e kështu me radhë, të Qeverisë, prandaj ne kemi hyrë në vitin e dytë të qeverisjes dhe po besoj që Qeveria do të vazhdojë në mandatin e saj të rregullt deri në vitin 2025, kur do të mbahen zgjedhje të tjera parlamentare”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Lajme të ngjashme