Kosova ‘frikësohet’ nga të burgosurit duhanxhi: Çelet tender 3 milionësh për furnizim me cigare në burgje
Cigaret nëpër burgje kanë një vlerë shumë më të madhe se në liri. Ato janë përdorur e përdoren nga të burgosurit si valuta këmbimi, e kanë shkaktuar kontrabandë e edhe trazira brenda burgjeve. Dhe, prandaj, si duket në Kosovë është hapur një tender që vlen hiç më pak se tre milionë euro për furnizim me cigare.
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka hapur tenderë për të gjithë operatorët ekonomik për furnizim me cigare për të gjithë të burgosurit.
Kontrata ka titullin “Furnizim me cigare për të burgosur-kantina” dhe parashihet të zgjas deri në 36 muaj teksa vlera e parashikuar e kontratës është, siç e thamë, 3 milionë euro.

Kriteret për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët.
Në anën tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës [SHKK], për Nacionale ka thënë se pagesa bëhet me paratë e të burgosurve dhe se çmimorja u dërgohet të burgosurve të cilët vendosin pastaj.
“Tenderi Furnizim me cigare për të burgosur është proceduar bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, duke u bazuar në kërkesat e të burgosurve. Pas përzgjedhjes së operatorit fitues dhe nënshkrimit të kontratës, çmimorja iu dërgohet të burgosurve dhe të burgosurit e bëjnë porosinë përmes zyrtarëve të kantinave, të cilat janë nëpër qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit. Pagesa behet nga paratë e të burgosurve,” thuhet në përgjigjen e SHKK-së.
Sipas këtij institucioni, furnizimi me cigare do të bëhet për të gjitha qendrat korrektuese.
“Me anë të këtij tenderi do të furnizohen të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit,” - kanë thënë nga Zyra për Informimi e SHKK-së.
Për më tepër, afati për dorëzimin e aplikimeve për tenderë është shkurtuar dhe arsyeja e dhënë përputhet me atë që thamë më lartë: frikën se mund të ketë pakënaqësi mes të burgosurve dhe të cenohet siguria.
“Kjo lëndë ka të bëjë me furnizime me cigare të cilat blihen me para të të burgosurve, afati i skadimit të kontratës është në muajin Shtator, dhe duke pasë parasysh afatet normale kohore sipas LPP-se të procedurës me vlera të mëdhaja nga 40 ditë, dhe procedurat e zgjatjes pas hapjes së ofertave mund të vijmë në një situatë ku nuk mund të kemi kontratë dhe mos-furnizimi me cigare tek të burgosurit mund të shkaktojë pakënaqësi ku nuk përjasshtohet edhe cenimi i sigurisë.”- thuhet në arsyetim.
Përndryshe për cenim të sigurisë dhe raste të sulmeve ndaj zyrtarëve të Shërbimit Korrektues raportohen herë pas herë në raportin e policisë.
Një i fundit ka ndodhur të hënën 25 korrik ku një zyrtar është sulmuar fizikisht nga një i burgosur.
“SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR Burgu i Dubravës, Istog 25.07.2022 – 13:30. I dyshuari mashkull kosovar i burgosur në burgun e Dubravës ka sulmuar fizikisht një zyrtar korrektues. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor, sipas raportit mjekësor lëndimet janë të natyrës së lehtë,” - thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.
Data e fundit kur kompanitë mund të aplikojnë për tender është 10 gusht 2022.
Çfarë cigare konsumojnë të burgosurit?
Pakot e cigareve të cila pritet të blihen nga ShKK u përkasin markave të ndryshme. Në këtë listë cigaret e markës “Ronson” janë më të kërkuarat.

Në bazë të listës së cigareve të markës “Ronson”, parashihen të blihen 680 mijë pako, pastaj 205 mijë pako cigare pritet të blihen të markës “Winston Light”, cigare të markës “Marlboro” të llojeve: të kuqe, light, zezë/kaltër parashihen të blihen gjithsej së bashku 160 mijë pako. Cigare të markës “Prestige” pritet të blihen gjithsej 100 mijë e 500 pako. Më pas renditen dhe pako të cigareve të markave tjera, si Lucky Strike, 35 mijë pako; Kent 10 mijë pako, e të tjera lloje të cigareve.
Aktualisht në institucione korrektuese të Kosovës janë 1 mijë e 704 të burgosur.
Kujtojmë që pirja e duhanit dëmton seriozisht shëndetin tuaj.

