Gjermania kërkon nga Qeveria e Kosovës propozim sa më të shpejtë për Asociacionin
Dialogu Kosovë - Serbi vazhdon të jetë "temë e nxehtë" në frontin perëndimor të kontinentit.
Përkushtimi edhe më konkret i Francës e Gjermanisë me angazhimin e këshilltarëve me synimin e vetëm që t'u ndihmojnë Lajçakut e Borrellit, vie sërish në pah.
Ka qenë Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Jorn Rohde që ka thënë se Kosova duhet të vendosë sa më shpejtë propozimin e saj për Asociacionin në tavolinën e negociatave.
Tutje, sipas Rohdes, sa më herët që ndodhë një gjë e tillë, aq më mirë.
“Këtë e ka thënë edhe i dërguari im special për Ballkanin kur ishte në Beograd të premten, dhe themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është obligim kontraktues i Kosovës, i ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe kur thashë më parë se çështja e targave dhe kartave të identitetit është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, kështu është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe.
Rohde nuk harroi të përmendë faktin se ashtu si marrëveshja për targat, edhe Asociacioni duhet të jetë konform Kushtetutës së Kosovës.
Veç kësaj, ai shtoi se Asociacioni duhet të themelohet, pasi kaloi në Kuvendin e Kosovës.
"Pra, Kosova duhet të veprojë për këtë dhe ju e dini, sa më shpejtë të vendosë diçka në tavolinë që është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, aq më shumë do të çmitizojë dhe relaksojë bisedën”, ka thënë ndër të tjerash ai për RTV Dukagjinin.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, në një konferencë për media përgjatë muajit Gusht kur palët regjistruan takimin e fundit në Bruksel, u kishte bërë thirrje Kosovës e Serbisë që ta shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive.
Siç transmetonte VOA atëbotë, Price deklaronte se dialogu në Bruksel ka gëzuar vëmendjen e shumë zyrtarëve të lartë, teksa kishte përmendur edhe faktin se angazhimi i drejtpërdrejt i Sekretarit Blinken dhe prania e Gabriel Escobar në kryeqytetin evropian, e konfirmojnë një gjë të tillë.
“Janë një mori zyrtarësh të lartë që po e vëzhgojnë këtë çështje nga afër. E kemi një zyrtar të lartë që është në Bruksel, duke vëzhguar nga afër këto bisedime. Ju siguroj që këto bisedime e kanë vëmendjen e zyrtarëve të lartë amerikanë. Ambasadori ynë në BE është një nga zyrtarët që po e vëzhgon këtë nga afër. Por, ka zyrtarë të lartë që edhe këtu në Uashington po e bëjnë të njëjtën. Kjo është një çështje me të cilën vetë Sekretari Blinken është angazhuar personalisht prej një kohe të gjatë. Ky është një prioritet që përfshinë gjithë organizatën tonë, në terren dhe këtu në SHBA”, kishte thënë ndër të tjerash Price.
Sllovenia
Edhe Sllovenia qëndron në këtë linjë. Borut Pahor, me 7 shtator të këtij viti në Prishtinë tha përderisa nuk ekziston ndonjë alternativë për Asociacionin e komunave serbe, Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel.
Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Kosova dhe Sllovenia kanë shumë këndvështrime të njëjta për çështjet problematike në botë, por kemi edhe dallime, dhe një prej tyre është për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Një nga marrëveshjet është për Asociacionin. Presidentes Osmani i kam thënë që, ndonëse mbështes Gjykatën Kushtetuese, pres të gjendet një zgjidhje për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Përderisa nuk ka propozime dhe alternativa, vlen marrëveshja e arritur më parë”.
Letrat
Muajin e kaluar, presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Scholtz u kishin dërguar letër të përbashkët kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, e ku u kërkohej atyre që të merrnin vendime të vështira për të gjetur paqen.
"Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t'iu bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që çojnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”. Në lidhje me dërgimin e dy këshilltarëve të tyre për siguri dhe politikën e jashtme, Scholz dhe Macron janë shprehur, se "propozimi ynë është, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opcionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt. Shpresojmë shumë që kjo iniciativë do të ketë interesin dhe përkrahjen tuaj”, thuhej ndër të tjerash në letrën që e kishte pranuar shefi i ekzekutivit kosovar e të cilën e kishte publikuar zyra e tij.

