Escobar: Garanca për Kosovën nuk është kërcënim për Serbinë - nuk lejojmë prishje të sigurisë dhe stabilitetit në veri
Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar ka ripërsëritur faktin se ShBA nuk do të lejojë kërcënimin e sigurisë dhe stabilitetit në veri të Kosovës.
Këto deklarime ai i bëri në pyetjen e gazetares nëse shprehja: "Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë garancë për Kosovën" ka qenë kërcënim për Serbinë.
Escobar mohoi të ketë qetë kërcënim për Serbinë, duke thënë se askush nga Kosova nuk do ta kërcënojë Serbinë, por as nuk do ta lejojnë kërcënimin e sigurisë dhe stabilitetit të veriut të Kosovës.
"Ne nuk do të lejojmë askë nga Kosova që ta kërcënojë Serbinë, por as nuk do të lejojmë kërcënimin e sigurisë dhe stabilitetit në veri të Kosovës", tha ai në N1.
Përveç çështjes së sigurisë, Emisari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor deklaroi se edhe Asociacioni do të jetë pjesë e rëndësishme e këtyre diskutimeve, duke shtuar se do të angazhohen pambarimisht që të inicohet.
Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe vazhdon të mbetet një ndër kërkesat kryesore për Qeverinë e Kosovës.
Në dy ditët e fundit kjo u përmend shpeshherë nga Escobar, dhe duhet përmendur faktin, jo vetëm në dy ditët e fundit.
Madje, ai ka deklaruar se nëse nuk fillohet themelimi i Asociacionit, do të gjenden partnerë të tjerë. Kështu shtoi ai në intervistën e fundit dhënë Radios Evropa e Lirë.
“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”.
Çka nënkupton “partnerë të rinj”?
Se çfarë mund të nënkuptohet me deklarimin e Escobarit për partnerë të rinj për themelimin e Asociacionit, Nacionale ka biseduar me opinonistin, Imer Mushkolaj.
Bashkëbiseduesi i gazetarit Shkëlqim Beqiri, theksoi se deklarata e tij më shumë mund të shihet si një “kërcënim” ose si përpjekje që Qeveria të bëjë hapat e parë për themelimin e Asociacionit.
“Si një lloj “kërcënimi” ose një lloj përpjeke të SHBA-ve që përnjëmend Qeveria të marrë masa për fillimin e themelimit të Asociacionit sesa si një mundësi që ata që Escobar që i ka quajtur partnerë alternativë të provojë të bëjë diçka sepse marrëveshja për Asociacionit e përcakton qartë rolin e Qeverisë.”
“Në diskutimin për Asociacionin mund marrin pjesë edhe akterë tjerë, si shoqëria civile etj. por deklarata më tepër ka pasë të bëjë më vendosshmërinë e SHBAve që ka ardhë koha që Qeveria të nisë procesin për themelimin e Asociacionit.”, ka thënë ndër të tjera Mushkolaj.
I pyetur se kush mund të jenë këta partnerët e rinj, Mushkolaj ka thënë se edhe nëse ata janë politik, duhet të kujtohet se nuk e kanë formuar Asociacionin deri më tani.
“Nuk e kam ide se kush mundet me qenë tjetër partnerë alternativë, gjithmonë duke pasur parasysh rolin e Qeverisë në krijimin e këtij organi. Të gjithë ata akter të rinj “politik” potencial, duhet me pasë parasysh që edhe opozita e tanishme ka qenë në pushtet prej 2013 dhe se nuk e kanë formuar Asociacionin.”, ka thënë Mushkolaj.


