Enver Hoxhaj: Kurti s’ka parime për dialog, po i ndihmon Serbisë duke e izoluar Kosovën
Takimi i 18 gushtit në Bruksel mes kryeminsitrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk është se ka ngjallur shumë pritshmëri te partitë opozitare. E gjithë kritika e PDK-së, LDK-së e AAK-së, fokusohet në mënyrën se si Kurti po udhëheq dialogun me Serbinë.
Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se shefi i ekzekutivit po bën dialog pa parime, duke shtuar se pritjet e tij nga takimi i 18 gushtit janë zero.
Kritika e profesorit
Ish-shefi i diplomacisë kosovare, që tash është deputet i Kuvendit të Kosovës, ka kohë që është shfaqur kritikues ndaj dialogut që Kurti po e bën në Bruksel.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës ka qenë kritik ndaj mënyrës se si po negocion Kryeministri Kurti në Dialogun e lehtësuar nga Brukseli.
Në një prononcim për Nacionale, Hoxhaj tha se si parti opozitare nuk ka asnjë informacion se për çka do të diskutohet më 18 gusht në Bruksel mes Kurtit e Vuçiqit.
“Në seancën e fundit të Kuvendit e kam pyetë personalisht Kryeministrin Kurti se çka pret nga takimi i 18 gushtit dhe duhet ta informojë Kuvendin dhe opozitën për temat që do t’i ngrisë! Nuk jemi të informuar as atë ditë dhe as sot nuk e dimë se çfarë do të ngrisë në takim zoti Kurti! Ai do të merret gjatë gjithë kohës me probleme që ka krijuar vetë dhe ky do të jetë epilogu i dialogut me Serbinë, sa gjatë që ai do të udhëheqë Qeverinë”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj shtoi se Kryeministri po bën dialog me Serbinë, pa parime, pa qëllim final dhe pa platformë.
“Nëse në të kaluarën Kurti ka pretenduar se Kosova po bën dialog pa parime, gjë që nuk ka qenë e vërtetë se ne kemi pasur edhe parime edhe platformë. Pikërisht ai vetë po dialogon pa parime, pa qëllim final dhe pa platformë, sepse asnjëherë nuk i ka bërë publike parimet e tij apo ka sjellë platformë në Kuvend! Pritjet e mia janë zero nga takimi”, theksoi ai.
“Kohë e vetmisë për Kosovën”
Madje, Hoxhaj deklaroi se shefi i qeverisë së Kosovës është duke e ndihmuar Serbinë me gabimet dhe dështimet e tij.
“Kosova është nën udhëheqjen e tij në një izolim të vetëshpalluar, duke i ndihmuar mbi të gjitha Serbisë me gabimet dhe dështimet në politikën e saj të jashtme, ku politika e jashtme është rrudhur në dialog dhe dialogu në vendimet teknike me qëllime populiste! Kjo është kohë e vetmisë për Kosovën dhe humbje e shansave për një marrëveshje historike me Serbinë në interes të Kosovës, me njohje të ndërsjelltë”, shtoi Hoxhaj.
Hoxhaj po ashtu mbrojti qëndrimin e partisë së tij se Kryeministri Kurti nuk duhet të dialogojë për çështje teknike, por për njohjen e Kosovës.
“Nëse amerikanët dhe evropianët kërkojnë dialog për kryetemën e dialogut - njohja e ndërsjelltë - zoti Kurti në vend se të merret me tabelën kryesore dhe emërtimin e Kosovës, që është anëtarësim në OKB, merret me tema populiste! Kështu, deri në fund, do të jetë qasja krijo situata me probleme dhe zgjidhi gjoja ato si qasje për të ndërruar temat dhe larguar vëmendjen nga kriza ekonomike që e ka përfshirë Kosovën”, përfundoi Enver Hoxhaj.
Ndryshe, edhe partitë tjera opozitare, si LDK e AAK, janë treguar shumë të ashpra me Kurtin rreth temës së dialogut me Serbinë.
Dje në një prononcim për Nacionale, zyrtari i LDK-së, Anton Berisha, tha se nuk pritet gjë konkrete nga takimi i 18 gushtit.
“Ai dialogun është duke e përdorë si instrument të faktorizimit të vetes dhe për qëllime të ngushta politike, e jo si një proces serioz me implikime shumëpalëshe. Në fakt z. Kurti është joserioz në të gjitha temat serioze, përderisa aktron seriozitet në tema joserioze”, komentoi dje Berisha për Nacionale.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, i kërkoi Kurtit të mos diskutojë për çështje teknike në Bruksel.
“Ndalimi i dialogut teknik dhe përkushtimi i plotë në dialogun sipas diskutimeve me Sekretarin Blinken për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë”, janë elementet që duhet t’i përmbajë marrëveshja finale sipas Tahirit.



