PDK, LDK, AAK: Takimi me Blinken do të duhej të ndodhte kohë më parë
Edhe tri partitë opozitare parlamentare, PDK, LDK, AAK, kanë dhënë komentet e tyre për vizitën dhe takimin e presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken në Shtetet e Bashkuara të Amerikës [SHBA].
Që të tri partië e mirëpritën në njëfarë forme këtë takim dhe njëzëri u pajtuan se takimi me Blinken është i vonë dhe është dashur që të ndodhë kohë me parë.
PDK
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK] Memli Krasniqi ka thënë se është mirë kur zyrtarët e shtetit takohen me zyrtarë të lartë amerikanë, mirëpo vizita e Osmani-Kurti me Blinken do të duhej të realizohej kohë më parë.
“Problemi kryesor qëndron në faktin që kjo është bërë temë, e s’do të duhej të ishte temë. Pse është bërë temë? Sepse ka kaluar pothuajse gjysma e mandatit të kësaj qeverie dhe është hera e parë që ata u pritën në nivel zyrtar në Departamentin e Shtetit. Pra, një vizitë që do të duhej të ishte e rregullt dhe shumë më e shpeshtë ndodhi për herë të parë, por përkundër këtyre vonesave po e them ne e mirëpresim”, ka thënë Krasniqi, i cili ndër të tjera ka kritikuar Qeverinë për mos-punë.
LDK
Kryetari nuk ka folur, por Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK] Arben Gashi, ka dhënë qëndrimin për takimin në mes të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe krerëve të Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.
Gashi ka thënë se ka qenë takim i vonuar por i nevojshëm dhe i mirëseardhur. Sipas Gashit, raportet me ShBA duhet të jenë të sigurta dhe stabile.
Për takimin në mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti me sekretarin, Blinken, Gashi ka thënë se është dashur të mbahej para dy vjetësh.
“Kurti është dy vjet e gjysmë prapa, kjo marrëveshje për MCC-në po trumpetohet se është një arritje e madhe, sikur të bëhej në kohën e duhur, sot të gjitha do të ishin të përfunduara, pasi këtij projekti i duhen tre vjet që të realizohet”, ka thënë Gashi në Debat Plus.
Ndër të tjera, Gashi ka thënë se “në vjeshten e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2”, duke shtuar se koha për një qeverisje komode ka skaduar.
AAK
I pari që reagoi për takimin e udhëheqësve të shtetit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës [AKK], Ramush Haradinaj.
Ai e ka cilësuar takimin e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken si një të arritur të madhe të vendit.
“E mirëpres, mendoj se është një ngjarje shumë e mirë, e falënderoj Uashingtonin, pra në këtë rast sekretarin Blinken për kohën që ia jep Kosovës, për vëmendjen që ua jep temave të Kosovës dhe të rajonit, asnjëherë nuk kemi pasur dilema se Amerika e ka vërtetë Kosovën ta quaj ashtu për zemër në të gjitha proceset”, ka thënë Haradinaj.
Megjithatë, Haradinaj thotë se marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së janë shumë të zbehta.
“Kemi marrëdhëniet me të zbehta të mundshme me SHBA-të. Temat janë të pashmangshme si për ne, si për Uashingtonin, është e pashmangshme që të trajtohet tema e dialogut dhe çështje të tjera rajonale, mirëpo për fat të keq nuk vinë në një klimë të mirë të marrëdhënieve bilaterale Kosovë – Amerikë, sepse janë bërë shumë pengesa në këto marrëdhënie për shumë gabime, deri në ato që janë të pariparueshme”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, sipas kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj kjo vizitë do sjellë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Kosova do të mbetet pa njohje prej Serbisë.
Ndërsa, analistët e politikës, kanë thënë se nga ky takim pritet që të përfundohet çështja e Manastrit të Deçanit.
Në anën tjetër, disa deputetë të VV-së kanë bërë postime në rrjete sociale ku kanë numëruar takimet e liderit të tyre, kryeministrit Albin Kurti, me zyrtarë të lartë amerikan, pasi ky i fundit u kritikua për mungesë të takimeve.
Përndyshe Osmani e Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nënshkruan marrëveshjen me MCC-në për investime në fushën e energjisë.

