Luftë, krizë, korrupsion - fjalët më të përdorura nga Kurti me vartës
Luftë, krizë e korrupsion janë fjalitë më të përdorura nga kryeministri Albin Kurti e Qeveria e tij kohëve të fundit. Paralajmërimet e të parit të ekzekutivit rreth potencialitetit për luftë mes Kosovës e Serbisë, tashmë kanë bërë jehonë në mediet ndërkombëtare.
Ndërsa vartësit e tij, në konferenca, Kuvend e gjetiu, shpesh po e përmendin fjalën krizë, duke folur për sfidat me mungesën e rrymës e të grurit, nga të cilat pritet të preket edhe Kosova gjatë dimrit.
Ndonëse më rrallë, Kurti e ministrat e tij po vazhdojnë të përdorin edhe termin korrupsion, të cilin sa ishte pjesë e opozitës e përdorte më shpesh. Pra, në diskursin e Qevrisë, Kosova po rrezikohet nga lufta, kriza energjetike e ajo e grurit, dhe korrupsioni.
“Lufta” e Kurtit
Shefi i ekzekutivit ka disa ditë që po flet për mundësinë e një lufte mes Kosovës e Serbisë.
Deklarata të njëjta ai dha për disa mediume të njohura ndërkombëtare përfshirë "Reuters", "Radio Evropa e Lirë" e "La Repubblica".
Dje për gazetën e njohur britanike, "Reuters", Kurti foli përsëri për luftë.
“Nuk po them se ata do të na sulmojnë këtë javë ose tjetrën, por do të ishte tërësisht e papërgjegjshme që të përjashtohet mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, tha dje mes tjerash kryeministri.
Gjatë intervistës, Kurti theksoi se mund të ketë një konflikt të ri, duke shtuar se Kosova është vigjilente, por jo e frikësuar.
“Ne nuk duhet ta përjashtojmë mundësinë që këto politika agresive të Beogradit të mund të kthehen në sulm kundër Kosovës në një mënyrë ose tjetër. Jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”, citohet të ketë thënë Kurti në intervistë.
Tutje, Kurti theksoi se Kosova është e gatshme ta mbrojë sovranitetin e saj.
“Ne kemi institucionet dhe organet tona të sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova tani është shtet, ky nuk është viti 1998...Ky është viti 2022, kështu që ne jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin tonë, integritetin territorial, për të mbrojtur demokracinë, sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe për të mbrojtur progresin tonë”, ka thënë ai.
Deklarata pak a shumë të njëjta, Kurti i tha edhe për gazetën italiane "La Repubblica".
Të gjitha këto intervista, siç ka shkruar Nacionale, kanë bërë bujë në mediet më të mëdha e kredibile të botës.
Fjalët e shefit të qeverisë kosovare në intervistën me agjencinë e njohur Reuters, janë raportuar nga faqja amerikane e lajmeve, “US News”. Për intervistën e Kurtit me agjencinë britanike raportoi edhe gazeta e njohur izraelite, “Jerusalem Post”.
Fjalët e Kurtit i publikoi edhe rrjeti medial evropian, i specializuar në politikat e BE-së, “Euroactiv”.
Kriza energjetike dhe pak më shumë
Dje në një konferencë për medie, Rizvanolli dha një parashikim krejtësisht pesimist për situatën me energjinë elektrike.
Duke folur për dimrin që po vjen, ajo tha se është e vetëdijshme për situatën e vështirë, duke theksuar se Qeveria ka marrë të gjitha masat e nevojshme.
“Besoj është e qartë për të gjithë. Dimri i ardhshëm do të jetë tejet i vështirë për të gjithë Evropën, kjo do të na ndikojë edhe neve në masën që ne kemi nevojë për import të energjisë. Është mirë të jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që po na presin. Jemi duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të realizueshme për një kohë të shkurtër. KEK-u është duke i bërë të gjitha përpjekjet që ndërhyrjet në blloqe të bëhen para dimrit. Duhet të kursejmë energjinë”, deklaroi Rizvanolli.
Kohë më parë, në një fjalë krejt burokratike, Kurti i “siguroi” qytetarët se po bëjnë çdo gjë për të kaluar sa më lehtë drimrin e këtij viti.
“Duke pasur parasysh edhe gjendjen ekzistuese, të dhënat që na vijnë nga shtetet dhe kompanitë tjera, parashikimet deri diku që përpiqemi t’i bëjmë, duam që me gjithë çfarë dimë dhe mundemi t’ia kalojmë sa më lehtë dimrin 2022-2023”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.
Ndërsa për krizë e luftë ka folur edhe ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Ajo e përmendi luftën për të arsyetuar skandalin e blerjes së grurit të shtrenjtë nga një ndërmarrje ndërtimore e Turqisë, për të cilin skandal ka raportuar ekskluzivisht Nacionale.
“Në fillim të vitit kishim kërkesën për 10 mijë tonë grurë. Në këtë përpjekje, meqenëse nuk kishim mundësi të hulumtomin më shumë, se ishte kohë lufte, ishte me rëndësi siguria shtetërore, siguria e popullit”, tha minsitrja Hajdari, duke u distancuar menjëherë nga përgjegjësia.
“Nuk jam marrë me negocim”, tha minsitrja duke ia gjuajtur topin anëtarëve të grupit negociues brenda minsitrisë së saj.
Ndërsa fjalën korrupsion, kryeministri nuk harroi ta përdorte edhe gjatë parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për nder të 14-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
“Nëse korrupsioni na kërcënon çdo ditë, ne do ta luftojmë në çdo orë. Kosova është çështje e të gjithëve, për të përparuar ajo ka nevojë për të gjithë ne”, theksoi Kurti më 17 shkurt.
Ndryshe, deklaratat e Kurtit për luftë të mundshme mes Kosovës e Serbisë janë kritikuar ashpër nga opozita, analistë e njohës të ekonomisë. Sipas tyre, këto prononcime të kryeministrit mund të ndikojnë në frikësimin e investitorëve të huaj, të cilët janë të interesuar për investime në Kosovë.




