Enver Hoxhaj: Bislimi e Gërvalla po e lexojnë gabimisht Serbinë - NACIONALE

Enver Hoxhaj: Bislimi e Gërvalla po e lexojnë gabimisht Serbinë

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Ish-kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj ka qenë goxha i zëshëm javëve të fundit, pikërisht kur u shtuan raportimet për një marrëveshje potenciale mes Kosovës e Serbisë.

Në paraqitjen e radhës televizive, Hoxhaj ka folur për situatën momentale politike dhe atë që mund të rrjedhë në vijim.

Veç kësaj, ai pati kritika edhe ndaj zëvendës-kryeminisrit Bislimi e ministres së jashtme, Gërvalla.

Ndër të tjerash Hoxhaj pohoi se të dytë nuk kanë njohuri për politikën e jashtme dhe si të tillë e kanë keqinterpretuar pozicionin.

“Padyshim, jo vetëm që iu mungon eksperienca, por mungon edhe dija bazike se si të sillen në situata të tilla historike dhe unë e kam përshtypjen që mbi të gjitha janë duke e lexuar gabimisht edhe Serbinë, se këta po mendojnë se gabon Vuçiqi dhe ne mund të përfitojmë politikisht prej Kosovës, dhe janë ka sillen në politikë të jashtme edhe si viktimë. Unë mendoj që kjo është qasje e gabuar se Kosova nuk mund të pretendojë që është viktimë në vitin 2022, sepse ne kemi triumfuar në vitin 99 në konferencën e Rambujes mbi Serbinë duke tregu që jemi vend i lirë”, tha Hoxhaj në InDoks.

Tutje, në të njëjtën intervistë ai kujtoi edhe rrugëtimin politik, duke përmendur këtu Planin e Ahtisaarit, dokument ky që solli Pavarësinë e Kosovës.

“Ne kemi triumfuar në Vjenë me planin e Ahtisarit duke arritë shpalljen e pavarësisë dhe këto dyja kanë qenë kontratat tona të para me Perëndimi dhe unë e shoh planin francez dhe iniciativën e re amerikane perëndimore si një mundësi për të arritë një kontratë të tretë me Perëndimin”, ka thënë ai.

Franko-gjerman

Edhe më tutje vazhdon të diskutohet çështja e dokumentit të shumëpërfolur.

I apostrofuari nga Hoxhaj, Bislimi ditë më parë e komentoi një gjë të tillë, duke thënë se ky propozim është më i afërt me pozicionin e Serbisë, sa i përket dialogut.

Në një adresim online në Forumin e Sigurisë në Beograd, Bislimi ka deklaruar se Kosova dëshiron që të arrijë një marrëveshje finale që përmban njohje reciproke.

Siç raportoi Danas, Bislimi kishte thënë se për Serbinë është e rëndësishme të mos ketë marrëveshje finale dhe që ajo të mos përfshijë njohjen reciproke, kështu që, plani është më afër pozicionit të saj.

“Sipas kësaj përspektive, propozimi franko-gjerman është më i afërt me pozicionin e Serbisë, sepse nuk prezanton marrëveshje finale dhe nuk përmban njohjen reciproke në këtë fazë”, kishte deklaruar ai.

Tutje, ai pat vlerësuar se të dy palët janë pajtuar që mos ta publikojnë dokumentin në këtë periudhë.

“U përket të dyja palëve që të vendosin se kur është momenti i duhur për ta bërë publike këtë”, ka thënë ai.

Qasja e PDK-së

Para Hoxhajt, i fundit që ka folur për dokumentin franko-gjerman ka qenë ish-ministri i jashtëm, Bekim Qollaku.

Në "Blic Interview", Qollaku tha se aty nuk është njohja, ani pse e precizoi faktin se nuk e kanë parë dokumentin.

“Çështja e njohjes së Kosovës nuk ekziston në dokumentin franko-gjerman”, deklaroi ai.

Lajme të ngjashme