Eksperti kroat: Nuk e zbaton Serbia marrëveshjen, e pranuan vetëm që t’i shmangen sanksioneve ndaj Rusisë - NACIONALE

Eksperti kroat: Nuk e zbaton Serbia marrëveshjen, e pranuan vetëm që t’i shmangen sanksioneve ndaj Rusisë

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Pajtimi për tekstin e Marrëveshjes për Normalizim të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe mëpastaj edhe Shtojcën e Zbatimit në Ohër, për ekspertin kroat të çështjeve të Ballkanit Davor Gjenero, nuk duket të ketë shumë vlerë. Kjo ngase, siç beson ai, Serbia është futur në këtë marrëveshje vetëm e vetëm që të largohet nga trysnia për bashkërendim me Perëndimit rreth sanksioneve ndaj Federatës Ruse pas pushtimit të Ukrainës. Për asnjë arsye tjetër, beson ai. Kështu thotë Davor Gjenero në një bisedë me Nacionalen.

Krejt është e qartë se zoti Aleksandar Vuçiq po provon të manipulojë me të dyja, Bashkimin Evropian dhe perëndimin, ndërsa në anën tjetër nuk do të implementojë asgjë sa i përket Dialogut me Kosovën. Serbia është në këtë dialog me Kosovën vetëm që të shmang presionin rreth moszbatimit të harmonizimit të politikave të jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian”, thotë Davor Gjenero.

Megjithatë, Gjenero beson se tashmë Bashkimi Evropian e ka të qartë këtë. Madje ai thotë se edhe vetë kosovarët nuk presin gjë nga kjo marrëveshje duke e ditur që Serbia nuk do ta zbatojë.

Dhe, është mirë që më në fund vendimmarrësit në Bruksel e kuptojnë këtë fakt. Por, ende nuk ka përgjigje të përnjëmendtë për këtë lojë edhe nga BE-ja edhe ShBA’ja. Ata po e shmangin këtë rreth Serbisë me Rusinë. Kjo mendoj unë është problemi më i rëndësishëm për momentin. Prandaj, është edhe e qartë që njerëzit në Kosovës nuk duhet të shpresojnë shumë rreth përmirësimeve të bëra pas Marrëveshjes së Ohrit”, na tha ai.

Neni 4 i Marrëveshjes për Normalizim të Marrëdhënieve përcakton që Serbia nuk do të pengojë/parandalojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nuk u desht as një muaj kohë që nga kjo marrëveshje, rëndësia e të cilës u proklamua si historike, kur Serbia e shkeli atë. Votoi kundër kalimit në fazë tjetër të shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evopës.

Mes tjerash, shkelja tjetër kishte të bënte me atë që Serbia ndërhyri në punët e brendshme të shtetit të Kosovës, përkatësisht në zgjedhjet e jashtëzakonshme në pjesën veriore të populluar me shumicë serbe, ndonëse në marrëveshje, palët pajtohen që të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra tjetrës dhe marrëdhëniet t’i zhvillojnë sipas Kartës së OKB-së.

Serbia pretendon se pa u themeluar Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe nuk do të nisin zbatimin e marrrëveshjes, ngase, siç konsiderojnë ata, “Asociacioni është parakusht i të gjitha parakushteve” për marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.

Ky Asociacion pritet të jetë krytema e takimit të Nivelit të Lartë në Bruksel që do të mbahet më 2 maj ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë e ka paralajmëruar edhe veët ndërmjetësi i BE’së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajme të ngjashme